Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të Shtunën e Madhe Krishti zbret në ferr dhe shpëton të drejtët

Foto: arkiv

Shërbesat e së Shtunës së Madhe fillojnë të premten në mbrëmje me Oden për Krishtin. Kisha përkujton varrimin e Krishtit Shpëtimtar dhe zbritjen e Tij në ferr për të shpëtuar të drejtët e kyçur atje që vdiqën para veprës së Tij shëlbuese.

Jozefi i Arimatesë dhe Nikodemi, pasi kërkuan leje nga Pilati, e morën Trupin e Krishtit nga kryqi, e vajosën me miro aromatike, e mbështollën me një qefin të ri dhe e vendosën në një varr të ri të gdhendur në shkëmb në Kopshtin e Getsemanisë. Kur Ai u vendos në varr, atje ishin gratë, pasuese të Tij dhe Nëna e Shenjtë e Zotit, e mbuluar nga lotët, me zemrën e shpuar nga pikëllimi.

Varrimi i Krishtit – një mozaik mural në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem

Pasi e vendosën në varr, judenjtë e mbyllën atë me një gur të madh dhe vendosën një roje në mënyrë që dishepujt të mos e merrnin trupin e Shpëtimtarit dhe pastaj të thoshin se Ai ishte ringjallur. Ata refuzuan të pranonin se Zoti i jetës ishte në varr, por ai së shpejti do të lavdërohej nga mrekullia e ringjalljes.

Për Kishën, e Shtuna e Madhe është "dita e shtatë më e bekuar", në të cilën Perëndia Fjalë shtrihet në varr si një Njeri i vdekur dhe në të njëjtën kohë shpëton botën dhe hap varret e të drejtëve për jetën e përjetshme.

Të shtunën në mëngjes shërbehet Liturgjia e Shenjtë. Pastaj priftërinjtë i ndërrojnë rrobat e tyre të errëta me rroba të çelëta të Pashkëve. Ata u japin kungimin të moshuarve dhe të sëmurëve që nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë deri në shërbesën e mesnatës së Pashkëve të shtunën duke u gdhirë e diela. Perdja e Portave Mbretërore të Altarit po ndërrohet gjithashtu. Gjatë shërbesës, prifti hedh lulet nga qefini te besimtarët si shprehje e pritjes së gëzueshme të Ngjalljes së Ndritshme.

Të shtunën në mbrëmje fillon shërbesa festive e Pashkëve, e cila vazhdon deri në orët e para të Ngjalljes së Krishtit.

Tekst: Aleksandra Karamihaleva

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv, wikipedia.org, mitropolia-sofia.org




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Më 3 mars, Bullgaria feston Lirinë

Më 3 mars festojmë 147 vjetorin e Çlirimit të Bullgarisë pas pesë shekujve të sundimit osman. Kjo ditë u shpall festë kombëtare në vitin 1990 me vendim të Kuvendit Popullor. Traktati i Shën Stefanit midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane, i..

botuar më 25-03-03 6.05.PD

Të Lidhurit e Djathit përgatitin besimtarët për kreshmën dhe pendimin

Është e Diela e të Lidhurit të Djathit . Sipas traditës ortodokse, dita kremtohet çdo vit në prag të Kreshmës së Madhe, kur të krishterët falin njëri-tjetrin. Kjo është dita e fundit para kreshmës, në të cilën besimtarët mund të konsumojnë bulmetra..

botuar më 25-03-02 6.10.PD

Të krishterët ortodoksë në Bullgari kremtojnë Ditën e Shpirtrave

Dita e Shpirtrave, ose Dita e të Vdekurve, është një ditë e rëndësishme për shumë të krishterë. Në këtë ditë kujtojmë të afërmit dhe të dashurit e ndjerë. Kjo është e para nga tre Ditët e Shpirtrave të vitit, e cila është quajtur nga populli..

botuar më 25-02-22 5.30.PD