Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Skenaristët Veselin Dimanov dhe Dimitër Stafidov përpara Radio Bullgarisë:

Për personalitetet që lanë gjurmë në shoqërinë bullgare dhe filmin “Milen”

Juristi Kristijan Takov dhe gazetari Milen Cvetkov janë njerëz që i qëndruan përballë vështirësive të Tranzicionit

Milen Cvetkov
Foto: BGNES

Pashkët e vitit 2020 mbetën në histori për dy arsye. E para ishte gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të Covid-19 që po shpërthente atëherë dhe që na imponoi një sërë kufizimesh, pasojat e të cilave ende po i përballojmë. E dyta, për fat të keq, është përsëri pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Por ajo vazhdon edhe sot, madje pa shpresë për përfundimin e saj të afërt. Bëhet fjalë për luftën në rrugë, e cila, në 19 prillin e tmerrshëm të vitit sfidues 2020, i mori jetën një gazetari bullgar. Milen Cvetkov ishte nga ato personalitete të forta që nuk bënin kompromis kur bëhej fjalë për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe denoncimin e padrejtësive shoqërore e politike. Ai nuk lejonte që pyetjet e rëndësishme të heshteshin për shkak të presionit të qarqeve me ndikim dhe këmbëngulte që të thuhej e vërteta, edhe nëse kjo nënkuptonte përballje me interesa të fuqishme. Pikërisht ky qëndrim i tij pa kompromis – në emër të gazetarisë objektive dhe të pavarur – e shndërroi atë në simbol të luftës kundër abuzimeve sistematike nga të fuqishmit e ditës. Dyshimet nëse vdekja e tij ishte një përpjekje për vrasje apo një aksident i zakonshëm i fatkeq vazhdojnë të mbeten.

Veselin Dimanov dhe Dimitër Stafidov

Regjisori Veselin Dimanov dhe redaktori Dimitër Stafidov, me mbështetjen e fëmijëve të Milenit – Kalina dhe Bojan, filluan punën për skenarin e filmit “Milen”, i cili e paraqet gazetarin e dashur pa maskë – ashtu siç ishte gjatë gjithë jetës së tij. Filmi bazohet në mbi 40 intervista, qindra orë arkiv televiziv dhe arkivin personal të gazetarit. Premiera u mbajt më 20 shkurt në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK).

“Mbi 40 intervista, secila prej tyre nga 1 deri në 3 orë, kryesisht me kolegë të Milenit. Filmi përfaqëson 90% rrëfim për karrierën e tij në të gjitha shfaqjet dhe ngjyrat e saj dhe 10% jetë personale, përmes syve të fëmijëve të tij, sepse ata vetë duan të tregojmë çfarë gazetari ishte Mileni” – shpjegon Dimitër Stafidov.

Ndër kolegët që flisnin për punën dhe miqësinë e tyre me Milen Cvetkov, spikasnin emrat e gazetarëve Llora Krumova, Georgi Millkov, Kamen Vodeniçarov dhe të tjerë.

Dimitër pranoi se të prekësh në këtë mënyrë botën e Milenit dhe të bësh film për të është një nder i jashtëzakonshëm, pasi prindërit e tij kanë qenë shikues të të gjitha emisioneve të Milenit ndër vite, gjë që e ka lejuar ta dëgjojë zërin e tij çdo ditë nga ekrani.

Filmi për Milen Cvetkov nuk është i pari i realizuar nga tandemi profesional Dimanov – Stafidov. Në vitin 2022, në ekran u shfaq filmi “Morali është e mira”, i dedikuar një tjetër personaliteti emblematik të skenës sonë shoqërore-politike – juristit Kristijan Takov, i cili ndërroi jetë nga kanceri në vitin 2017. Megjithëse kanë fat të ndryshëm, ka diçka që i bashkon këta dy bullgarë:

“Tranzicioni që nuk ndodhi dhe mbeti në kujtesën e bullgarëve si diçka që është e keqe, nuk ka ndodhur dhe, sigurisht, dikush ka përfituar prej tij. Këto janë personalitete që i qëndruan përballë ndryshimeve të këtij tranzicioni dhe për ta ia vlen të tregohet” – është i bindur Veselin Dimanov.

Morali në Bullgari po përballet me gjyqe çnjerëzore, tha avokati Kristijan Takov gjatë jetës së tij, i cili u shndërrua në simbol të përpjekjes së një të tërë brezi bullgarësh për një shoqëri më të drejtë. Ndoshta kjo është një nga arsyet për suksesin e jashtëzakonshëm që filmi pati edhe mes komuniteteve bullgare jashtë vendit:

“Unë u përpoqa që gjithçka në film të ishte perfekte, por nuk mendoja se një sukses i tillë, si ai që pati jashtë vendit, ishte i mundur për një film të këtij lloji. Ai është specifik, nuk është i destinuar për publik të gjerë, megjithëse u përpoqëm ta paraqesim në një gjuhë të kuptueshme. Sipas mendimit tim, nevoja e njerëzve për të besuar në diçka me vlerë është ajo që tërheq vëmendjen e publikut si ndaj filmit të mëparshëm, ashtu edhe, shpresojmë, ndaj filmit të tanishëm. Njerëzit thjesht kanë nevojë për diçka që t’u tregojë drejtimin e duhur” – thotë Stafidov.

Të dy shpresojnë se, njësoj si “Morali është e mira”, edhe filmi i tyre “Milen” do të përfshihet në përzgjedhjen e kanaleve televizive ndërkombëtare për filma.

Fotografi: BGNES, Tanja Millusheva (Horizont), afflatus.bg, Facebook /MILEN - Dokumentar

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbi 65 modele motoçikletash do të ekspozohen për herë të parë në Moto Expo 2025 në Sofje

Menjëherë pas hapjes së sezonit të motoçikletave në Sofje në fund të marsit, kryeqyteti ynë pret ekspozitën më të madhe të motoçikletave në vendin tonë. Ajo do të mbahet nga sot deri më 14 prill në Arena 8888 Sofja.   Do të ekspozohen midis 700 dhe..

botuar më 25-04-11 5.55.PD
Foto: Qendra Kulturore dhe Informative Bullgare në Shkup

Universitetet bullgare prezantojnë programet e tyre në gjuhën frënge në Shkup

Mundësitë për arsim të lartë cilësor në frëngjisht në Bullgari do të prezantohen gjatë një ekspozite arsimore në Shkup. Ngjarja është pjesë e fushatës “Continuons en français” – le të studiojmë në frëngjisht në universitetet bullgare” dhe do të..

botuar më 25-04-09 1.40.MD

Dy shkaba egjiptiane të helmuara u gjetën në Rodopet Lindore

Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve njoftoi në faqen e saj në Facebook për dy shkaba egjiptiane të helmuara në Rodopet Lindore . Një zog - femër, me një transmetues të bashkangjitur, vdiq në duart e Dr. Volen Arkumarev. Shkaku i vdekjes, sipas..

botuar më 25-04-09 12.23.MD