Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

81% e bullgarëve janë të mendimit se Kuvendi Popullor i emëron anëtarët e tij mbi baza partiake

Foto: BGNES

Kriza parlamentare në Bullgari ka vonuar për muaj të tërë procedurat për zgjedhjen e drejtuesve të organeve rregullatore kryesore si Komisioni Rregullator i Energjisë dhe Shërbimeve të Ujit, Gjykata Kushtetuese, etj. Pasi u formua një shumicë qeverisëse, e cila zgjodhi një qeveri, Kuvendi Popullor i 51-të vendosi të bëjë përzgjedhjen e krerëve të organeve rregullatore ku brenda një jave u zhvilluan zgjedhje të rëndësishme - për kryetar të Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore, për zëvendësdrejtorin e BNB-së, si dhe përbërja e Komisionit Rregullator të Energjisë dhe Shërbimeve të Ujit u rinovua me përfaqësues të propozuar nga partitë e koalicionit në pushtet.
Teodor Sllavev
"Emërimet po e zhvendosin procesin normal legjislativ. Shpërndarja e kuotave partiake për këto organe është fakt, mandatet tashmë janë caktuar dhe janë shpërndarë", tha Teodor Sllavev nga Instituti Bullgar për Iniciativa Ligjore në një intervistë për programin "Horizont" të BNR-së.

Megjithatë, bullgarët presin që përzgjedhja që do të bëhet gjatë zgjedhjes së organeve nga Kuvendi Popullor të jetë negative. Këtë e tregon një studim i kryer në periudhën 17-25 mars nga Global Metrics në emër të Institutit Bullgar për Iniciativa Ligjore:

"82% besojnë se do të zgjidhen individë të afërt me forcat politike dhe 77% besojnë se do të emërohen njerëz që do t'u shërbejnë interesave të këtyre forcave politike. Kjo do të thotë se ata nuk do të jenë njerëz të pavarur. Përzgjedhja negative që prodhon parlamenti vjen pas përzgjedhjes negative që bëjnë partitë kur propozojnë kandidatët e tyre për pozitat e ndryshme – në Kuvendin Popullor dhe për autoritetet lokale. Prandaj na duhen njerëz që kanë karakteristikë kryesore besnikërinë”.

Është e rëndësishme që Bullgaria të ketë institucione dhe administratë publike të pavarura dhe profesionale. Dhe 90% e të anketuarve thonë se shoqëria duhet të marrë pjesë në një llojë forme në procedurën e përzgjedhjes së organeve përmes organizatave joqeveritare.

"Mënyra në të cilën ata kanë zgjedhur organet e deritanishme na çon të mendojmë se do të kërkojnë një person që nuk do të duhet të përballet me këtë shumicë dhe që do ta shohë pozitivisht këtë shumicë në rastin e zgjedhjeve të tjera të parakohshme", thotë Teodor Sllavev. Sipas tij, palët duhet të kuptojnë se pavarësia e organeve rregullatore është gjithashtu në interesin e tyre:
Banka Kombëtare Bullgare
"Këto institucione do të siguronin lojë të ndershme. Nuk është mire nëse u shërbejnë pushtetarëve, pasi ata ndryshohen pas një periudhë kohore. Nëse në një moment u shërbejnë interesave të tyre, në një tjetër moment kjo gjë mund t’iu kthehet kundër, gjë që ne e kemi vërejtur dhe që është frika jonë se për momentin nuk do të shkojmë drejt zgjedhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, inspektoratit dhe komisionit kundër korrupsionit. Edhe pse rregullat procedurale janë gati, ato nuk kanë kaluar përmes sallës plenare për shkak të dështimit të kuorumit, pikërisht sepse nuk mund të garantohet për momentin që shumica (prej 160 personash) do të sigurojë njerëz të tillë të bindur”.

Nuk mungojnë arsyet për të dyshuar në kriteret e përzgjedhjes së njerëzve për poste të rëndësishme dhe se sa ekspertiza dhe përvoja profesionale apo besnikëria partiake ndikojnë. Në këtë kontekst mund të përfshihet edhe njoftimi se Prokuroria Evropiane po nis një hetim administrativ për veprime të mundshme të paligjshme të prokurores evropiane bullgare Teodora Georgieva. Njoftimi erdhi pasi regjistrimet qarkulluan në internet këtë muaj, duke pretenduar se tregonin një bisedë të janarit 2020 midis Georgievës dhe të dyshuarit si lobist në pushtetin gjyqësor, ish-hetuesit Petjo Petrov, i njohur si Pepi Euroja. Sipas pretendimeve në video, Pepi Euroja mori pjesë në një plan për të eliminuar konkurrentët e Georgievës në garë. Zyra e Prokurorisë Evropiane nuk komentoi drejtpërdrejt përmbajtjen e regjistrimit, por theksoi se pavarësia e çdo prokurori në sistemin e saj është "thelbësore për misionin e institucionit". Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i Institutit Bullgar për Iniciativa Ligjore, Teodor Sllavev, komentoi për Radion Kombëtare Bullgare:
Teodora Georgieva
"Sulmet kundër prokurorit tonë evropian erdhën pas një ngjarjeje që organizuam - një intervistë që ajo dha për "Capital", në të cilën ajo vuri në dukje probleme specifike - se si hetimet e Prokurorisë Evropiane në Bullgari po pengohen nga institucionet bullgare. Në të, ajo thotë drejtpërdrejt se sheh presion politik të fshihet pas kësaj. Është e jashtëzakonshme që ky organ (Prokuroria Evropiane) gjen mundësi për t'u kontrolluar dhe vetëpastruar - diçka që Gjykata jonë e Lartë nuk ka treguar se mund ta bëjë. I njëjti rregull duhet të zbatohet këtu, nëse kjo konfirmohet."

"Zyra e Prokurorisë Evropiane do ta ketë shumë të vështirë të kryejë hetimin e saj pa u mbështetur në institucionet bullgare, të cilat janë magjistarë në paraqitjen e realitetit ndryshe," vuri në dukje eksperti, duke shtuar se shoqëria bullgare duhet të kërkojë që institucionet "të bëjnë punën e tyre". Koha e organizatave të qytetarëve nuk ka kaluar, shprehet kategorik analisti. Shoqëria njeh legjitimitetin në organizatat qytetare sepse besimi në institucione të tilla si qeveria, parlamenti, biznesi dhe mediat po bie në mënyrë drastike.

Sipas një interviste të Sillvia Velikovës, BNR-"Horizont"
Foto: BGNES, Julijana Kornazheva, bili-bg.org, БТА
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Калин Джорджеску

Ngjarjet me adresë ballkanike

Autoritetet rumune largojnë Calin Georgescu nga zgjedhjet presidenciale Calin Georgescu nuk do të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në Rumani në maj. Kandidatura e tij u anulua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas këtij..

botuar më 25-03-15 8.30.PD

Komentet pas vendimit të Gjykatës për rishpërndarjen e votave

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2024 u komentua nga forca të ndryshme parlamentare. Zëvendëskryeministri Tomisllav Donçev nga GERB komentoi pyetjen se a ka rrezik për qeverinë dhe mazhorancën: "Një..

botuar më 25-03-13 6.34.MD
Kryeministri Rosen Zheljazkov

Kryeministri Rosen Zheljazkov mirëpret propozimin për një armëpushim njëmujor në Ukrainë

Bullgaria mirëpret marrëveshjen e armëpushimit në Ukrainë të arritur ndërmjet delegacioneve të Kievit dhe Uashingtonit, të cilët u takuan të martën në Xheda të Arabisë Saudite. Kjo duket qartë nga një postim i kryeministrit Rosen Zheljazkov në..

botuar më 25-03-12 10.36.PD