Vjaçesllav Llupov ishte një nga të ftuarit specialë në një forum të qyteteve ballkanike që u mbajt së fundmi në Sofje. Kryetari i Taraklisë e shfrytëzoi kohën edhe për takime me përfaqësues të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në vendin tonë, në të cilat ai ngriti çështjen e financimit të pritur për Qendrën Kulturore Bullgare. Vendimi për ndërtimin e një të tillë tashmë është marrë nga qeveria bullgare. Përpara Radio Bullgarisë, Vjaçesllav Llupov shprehu shpresën për një bashkëpunim më aktiv me autoritetet bullgare. Sipas tij, në ambasadën bullgare në Kishinau , ata merren kryesisht me politikë, gjë që pengon komunikimin normal me qytetarët bullgarë që kërkojnë ndihmë prej tyre.
Pas një marrëveshjeje të nënshkruar midis qeverive të Bullgarisë dhe Moldavisë verën e kaluar, Universiteti Shtetëror në Taraklia "Grigorij Cambllak" funksionon si një degë e Universitetit të Ruse "Angell Kënçev". Në këtë mënyrë u dha mundësia për qasje në arsimin e lartë bullgar për një numër të madh të qytetarëve moldavë me origjinë bullgare nga rajoni i Taraklisë dhe Gagauzija. Mësimi zhvillohet në specialitete nga shtatë drejtime profesionale të Universitetit të Ruse: "Pedagogji e mësimdhënies", "Administratë dhe menaxhim", "Informatikë dhe shkenca kompjuterike", "Inxhinieri mekanike", "Elektroteknikë, elektronikë dhe automatikë", "Teknikë komunikimi dhe kompjuterike" dhe "Inxhinieri e përgjithshme". Megjithatë, problemet nuk mungojnë:
"Ju e dini që gjysma e financimit tashmë prej një kohe të gjatë vjen nga Bullgaria. Përveç kësaj, ky është universiteti i vetëm në Moldavi, në të cilin studentët marrin bursë të dyfishtë – si nga Moldavia, ashtu edhe nga Bullgaria. Megjithatë, në të njëjtën kohë ai nuk kërkohet fare. Aty studiojnë rreth 160-200 studentë në vit, që është shumë pak – thekson kryetari i bashkisë së Taraklisë për Radio Bullgarinë. – Sepse për një kohë të gjatë aty mësohen profesione që nuk kërkohen nga fëmijët, në vend që të futen profesione që janë të kërkuara, për ndonjë arsye kjo nuk bëhet. Ne shpresojmë shumë që drejtimi do të ndryshohet dhe mendoj se atëherë ai ka të gjitha shanset të bëhet një nga universitetet më të njohura në Moldavi. Sepse nëse arsimi në këtë universitet do të njihet edhe në vendet evropiane, kjo do të jetë një parakusht i shkëlqyer që fëmijët të studiojnë në të."
"Aktualisht, specializimet në Universitetin e Taraklisë janë punonjës social, mësues i valleve popullore, mësues i muzikës popullore. Në formën e shkollimit me korrespondencë, përgatiten edhe specialistë të IT-së dhe mësimi bëhet në gjuhën bullgare" – shpjegon Llupov dhe shton:
"Nuk ka problem të flasim bullgarisht. Aty pothuajse të gjithë, përfshirë edhe të rinjtë, flasin bullgarisht. Unë mbërrita në Tarakli gjashtë vjet më parë dhe nuk e dija fare. Tani të paktën e kuptoj, sepse komunikoj me njerëzit. Bullgaria ka siguruar prej kohësh mësues të gjuhës bullgare, të cilët punojnë si në shkolla, ashtu edhe në kopshte, në universitete mësohet në gjuhën bullgare."
Përveç se kryetar i qytetit, Vjaçesllav Llupov është edhe biznesmen, i cili përpiqet të kontribuojë në përmirësimin e Taraklisë. Si i tillë, ai shpesh përballet me pengesa të ndryshme nga ana e autoriteteve moldave dhe jep një shembull me rikonstruksionin e Muzeut të Trashëgimisë Kulturore në qytet:
"Fituam projektin 'Fshati Evropian' në Moldavi. Këto janë para që janë marrë hua nga Europa dhe shpërndahen midis vendbanimeve që fitojnë projektet. Problemi është se projektet nuk arrijnë tek ne. Edhe një herë them – këtu bëhet fjalë për politikë, sepse unë jam nga opozita, nga partia e gabuar. Këtë projekt na e dhanë vetëm sepse ai është aq i madh dhe serioz dhe ne realisht po e zbatojmë, që të mund t’u tregojnë europianëve – shikoni, ne po bëjmë diçka."
Ekziston një ide që Muzeu i Trashëgimisë Kulturore të jetë pjesë e një kompleksi etnokulturor më të madh, që përfshin gjithashtu teatrin, i cili funksionon plotësisht me mbështetjen e qytetit, hotelin, punëtoritë artizanale, restorantet me kuzhinë kombëtare bullgare dhe një kapelë të vogël, në mënyrë që kjo të shndërrohet në një Bullgari të vogël në territorin e Moldavisë.
Foto: arkiv personal, BTA, tdu-tar.md, Facebook/ Muzeu i Trashëgimisë Kulturore i Taraklisë
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Përmirësimi i superkompjuterit bullgar Discoverer tashmë përfundoi me sukses dhe makina tani ka sisteme të reja që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të specializuara shtesë në fushën e inteligjencës artificiale për biznesin, komunitetin shkencor dhe..
Që nga themelimi i tij më 11 prill 2022, Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji – INSAIT ka arritur një sërë suksesesh dhe vazhdon ta pozicionojë Bullgarinë në hartën globale të teknologjisë. Disa..
Menjëherë pas hapjes së sezonit të motoçikletave në Sofje në fund të marsit, kryeqyteti ynë pret ekspozitën më të madhe të motoçikletave në vendin tonë. Ajo do të mbahet nga sot deri më 14 prill në Arena 8888 Sofja. Do të ekspozohen midis 700 dhe..
Ditën e dytë pas Pashkëve, fillon Java e Ndritshme. Quhet kështu për shkak të dritës që Ngjallja e Krishtit i sjell botës. Sipas traditës ortodokse,..
Universitet i Ri Bullgar shpall fillimin e nismës “Ditët Pranverore të Arteve” – një festë e krijimtarisë dhe kulturës. Nga 22 prill deri më 5..