Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Miljo Balltov pikturoi “engjëllin më të gjallë” në kishat e trojeve tona

Piktori nga Strellça po bënte rrugën e tij në artin e pasçlirimit, duke e ndarë kohën e tij mes pikturës kishtare dhe asaj laike

7
Miljo Balltov (1871 - 1951)
Foto: Muzeu Historik – Strellça

Piktor ikonash dhe mësues - këto dy fjalë i përmendim gjithmonë kur përpiqemi të ringjallim nga harresa e së shkuarës një piktor që hapat e parë në art i hodhi në vitet e para pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman (1878). I tillë është Miljo Marinov Balltov, imazhet e shenjta të të cilit në altarët e kishave dhe portretet e frymëzuara në galeri deri më sot, dëshmojnë për një bullgar të denjë, i cili e ndante zjarrin e tij krijues midis pikturës kishtare dhe asaj laike.

Pasardhës i një prej familjeve më të shquara në qytetin Strellça – Balltovi, piktori i lindur në vitin 1871 që nga fëmijëria tregonte një prirje drejt arteve. Megjithatë, për të marrë një arsim akademik, atij iu desh të priste deri në moshën 25-vjeçare, kur me përpjekjet e intelektualëve dhe krijuesve në vendin tonë u hap Shkolla Shtetërore e Vizatimit. Dhe megjithëse nuk u klasifikua në mesin e 48 të pranuarve në klasën e parë, një vit më vonë fati e takoi me Jarosllav Veshin.

Ndryshe nga shumë të rinj bullgarë, të cilët pas Çlirimit u larguan për të përmirësuar talentin e tyre artistik në universitetet e huaja, Miljo Balltov e gjeti Evropën në atdheun e tij.

"Jarosllav Veshin sapo kishte ardhur në Bullgari - tregon Nikoleta Petkova, drejtoreshë e Muzeut Historik në qytetin Strellça. – Ai sillte frymën e kohës së re, sillte edhe ide të reja nga Evropa. Miljo Balltov kishte fatin të studiojë te piktori çek, i cili në vitin e dytë pas themelimit të Shkollës Shtetërore të Vizatimit u bë profesor në të. Si student Miljo Balltov ishte shumë i zellshëm dhe përvetësonte shumë mirë mësimet.”

„Pozicioni pranë Sivri Tepe“

Si shumë kolegë dhe bashkëqytetarë të tij, Miljo Balltov u mobilizua dhe mori pjesë në Luftën e Parë Ballkanike. Dhe pikërisht në këtë kohë fatale ai e shpalosi talentin e tij si peizazhist. Është pak i njohur fakti që Miljo Balltov mori pjesë edhe në Luftën e Parë Botërore. Ai banonte në Moravski Leskovac, ku themeloi një shkollë dhe u emërua kryetar i qarkut. “Edhe në kohë lufte, piktori gjen një mënyrë për të mësuar  fëmijët dhe për t'u angazhuar në profesionin e tij të dashur”, thekson drejtoresha e muzeut Nikoleta Petkova.

Peizazh

Në vitin 1923 Miljo Balltov u bë kryebashkiak i qytetit të tij të lindjes Strellça. Përveçse kryetar dhe sekretar i bashkisë, ai u zgjodh edhe kujdestar i kishës. Krahas kësaj ai merrte pjesë aktive në jetën kulturore të qytetit, madje krijoi dekore për disa pjesa teatrale, të cilat, për fat të keq, kanë humbur. Ai la trashëgiminë e tij duke pikturuar afresket dhe ikonat në kisha të ndryshme në rajonin e qyteteve Pazarxhik dhe Plovdiv dhe gjatë gjithë jetës së tij të ndërgjegjshme jepte mësime. Në kishën "Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej" në fshatin Kadievo, ai rikrijoi skenën e jashtëzakonshme të "Darkës së Fundit". Në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Pazarxhik, pikturoi ikonën mrekullibërëse “Shën Hyjlindësja me Fëmijën”, e cila ndihmoi shumë familje për të pasur fëmijë. Dhe në vendlindjen e tij ai rikrijoi imazhin më të gjallë engjëllor të pikturuar në trojet tona.

“Vetëm ata që kishin mbaruar kursin trevjeçar në Shkollën Shtetërore të Vizatimit dhe më pas edhe Shkollën e Pikturimit të Ikonave e kishin të drejtën të pikturojnë afresket dhe ikonat në kisha - kujton një fakt interesant Nikoleta Petkova. – Kështu ndodh me Miljo Balltovin, i cili mori porosinë e parë për kishën “Shën Kryeengjëlli Mihaill” në Strellça. Një nga veprat e tij më të mira në të është ikona e Kryeengjëllit Mihaill në ikonostas - një imazh me gjak të plotë, i pikturuar në lëvizje me një shpatë flakëruese, me një mburojë, me sandale të bukura në ngjyra."

Shën Kryeengjëlli Mihaill

Dhe ndërsa shenjtorët në afresket e Miljo Balltovit posedojnë fytyra të idealizuara njerëzore, në imazhet e njerëzve të tij më të afërt ai huazon tiparet e një hapësire shpirtërore, më eterike, sikur i afron me hyjnoren. Kjo është arsyeja pse një aureolë engjëllore buron nga portretet e katër fëmijëve të tij. Imazhi i vajzës së tij Nevena është veçanërisht rrëfyes – fytyra e saj e zhytur në mendime me sytë e kthyer nga shikuesi i ngjan një lajmëtari nga një botë më e lartë që mbart një mesazh të rëndësishëm.

Portreti i Nevena Balltovës

Miljo Balltov përfundoi udhëtimin e tij tokësor në vitin 1951 në Plovdiv, ku deri në çastin e fundit punonte si mësues dhe piktor.

“Ai krijonte në një periudhë interesante, kur shteti i ri bullgar fillonte të arsimonte krijues të vet - thekson Nikoleta Petkova. - Ata prezantonin veprat e tyre në ekspozita dhe arti në përgjithësi po ngrihej në një nivel shumë të lartë. Miljo Balltov është pjesë e këtij procesi dhe është mirë që të kemi më shumë raste për të folur për njerëz të tillë që mbahen mend në vendlindjet e tyre, por, për fat të keq, nuk kanë arritur të zënë vendin e duhur në historinë e artit bullgar nga fillimi i shekullit të XX-të.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Muzeu Historik – Strellça




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria merr pjesë në Panairin e Librit në Lajpcig me një program të pasur kulturor

Autorë dhe figura kulturore bullgare përfaqësojnë vendin tonë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig. Mes tyre është poeti, shkrimtari, kompozitori dhe muzikanti Emanuill Vidinski, i cili sot, 28 mars, do të marrë pjesë në diskutimin "Midis..

botuar më 25-03-28 10.22.PD
Georgi Grozev

Georgi Grozev studion trumbetë në Gent dhe e bën të njohur Bullgarinë në mbarë botën

“Muzika më gjeti vetë”, thotë Georgi Grozev dhe, duke qeshur, fillon të tregojë një ngjarje nga kopshti i fëmijëve, kur kishte shkuar vetë të regjistrohej për mësime në piano. Dhe kështu, në fakt, filloi rruga ime në muzikë. Krejt pa..

botuar më 25-03-23 7.30.PD
Penka Kuneva

Në një koncert në Los Anxhelos do të interpretohen vepra nga Penka Kuneva dhe muzikantë klasikë bullgarë

Një koncert në Los Anxhelos me një program tërësisht bullgar, kushtuar festës kombëtare 3 mars , do të mbahet më 21 mars. Këtë e bëri të ditur në një intervistë për Radio Bullgarinë kompozitorja e njohur e filmit Penka Kuneva. Për “Gruan..

botuar më 25-03-21 7.00.PD