Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Prof. Hristo Jocov – mes klasikës dhe xhazit, ku historitë përjetohen

Hristo Jocov feston 65 vjetorin e tij me një koncert me Orkestrën Filarmonike të Plevenit

2
Hristo Jocov
Foto: arkiva personale

"Një koncert me muzikë origjinale është një mënyrë e shkëlqyer për të festuar ditëlindjen," thotë me buzëqeshje një nga muzikantët më të shquar dhe krijues të xhazit në skenën bullgare, perkusionisti Hristo Jocov. Një fjalë e thënë, një gur i hedhur (Që do të thotë se premtimi i dhënë duhet mbajtur)! Për të tretin vit radhazi, festa e tij personale më 17 shkurt do të shoqërohet me një dhuratë për publikun - një koncert me muzikë origjinale të interpretuar nga Orkestra Filarmonike e Plevenit. Këtë vit, Prof. Jocov feston 65 vjetorin e tij dhe në mënyrë që ngjarja të jetë në harmoni me festën, datat e koncertit janë dy - në ditën e Shën Valentinit dhe Trifon Zarezan, 14 shkurt - në sallën "Katja Popova" në Pleven dhe më 17 shkurt - në sallën "Bullgaria" të Sofjes.

Programi do të na çojë sërish në kufirin mes klasikes dhe xhazit, ku emocionet krijojnë histori - aty ku Hristo Jocov është një virtuoz i vërtetë dhe si muzikant dhe si kompozitor. Veprimtaria do të drejtohet nga dirigjent Maestro Borisllav Jocov, vëllai i kompozitorit dhe një klarinetist i shquar.
Borisllav Jocov
Përveç dirigjimit, Borisllav Jocov do të jetë edhe solist në veprën për klarinetë dhe orkestrën harkore "Skorpion" nga suita e dhomës së xhazit "Zodiak". Një vepër e cila u shfaq në fund të vitit 2024 dhe është frymëzuar nga shkrimtari japonez Haruki Murakami. Hristo Jocov e shkroi atë duke pasur parasysh shenjat e zodiakut të muzikantëve të afërt me të dhe familjen e tij. Në shfaqjen “Ujori” i të njëjtit cikël, ai punoi së bashku me vajzën e tij Nadezhda Jocova, pianiste e shquar klasike në Gjermani. Në Pleven dhe Sofje do të zhvillohet edhe koncerti për bateri dhe orkestër, me solist vetë Maestro Jocov, si dhe premiera e "Koncertit për Orkestër".

"Ky është fokusi i ngjarjes dhe arsyeja e këtij programi - na thotë Prof. Hristo Jocov. - Shkurtimisht, "Koncert për Orkestër" është një zhanër në muzikë, të cilin, megjithatë, kompozitorët, nuk e di pse, nuk e kanë përdorur shumë shpesh. Dhe ky është një ushtrim muzikor pafundësisht interesant për mua, sepse ti ke një instrument me mundësi të pafundme, që është orkestra. Në rastin tim, orkestra zgjerohet dhe përfshihen instrumente që zakonisht nuk janë të pranishme në programet e orkestrës simfonike, si kontrabasi, klarineta dhe shumë instrumente me goditje. Është një formë trepjesëshe që zgjat rreth 40 minuta, e krahasueshme me një simfoni. Gjëja më e rëndësishme për mua është lëvizja, dinamika, ngjyra, emocioni në muzikë - shpjegon Hristo Jocov filozofinë e tij muzikore.

Dhe nëse tashmë e keni ndjerë improvizimin e xhazit në fjalët e maestro Jocov - atëherë duket se keni plotësisht të drejtë.

"Sigurisht që procesi i krijimit të muzikës është i njëjtë, përveç se në xhaz ndodh në momentin në skenë, ndërsa pjesa tjetër është improvizim në kokën e kompozitorit, i cili thjesht duhet ta shkruajë që të tjerët ta lexojnë. Në fakt, improvizimi është diçka që me kalimin e viteve, duke fituar përvojë, zhbllokoi në mendjen time mundësinë e kësaj nevoje muzikore - për të shkruar muzikën time simfonike – për ta materializuar atë."
Një përvojë që për Hristo Jocovin filloi me orët e instrumenteve me goditje të Prof. Dobri Paliev në Akademinë Kombëtare të Muzikës "Ljubomir Pipkov", vazhdoi me muzikën si ushtar dhe nga viti 1982 deri në 1989 si pjesë e Big Band-it të Radios Kombëtare Bullgare me xhaxhain e tij Vili Kazasjan, i cili ishte dirigjent në atë kohë. Në katër dekadat e fundit ai ka luajtur me grupe të ndryshme xhazi në Bullgari dhe Evropë, dhe së bashku me Antoni Donçevin dhe formacionin "Versioni Akustik" fitoi dy çmimet më prestigjioze evropiane të xhazit - Jazz Hoeilaart në Belgjikë në 1985 dhe European Jazz Competition në Gjermani në 1986.


Që nga viti 1989, Prof. Hristo Jocov jep mësim në departamentin "Pop dhe Jazz Art" në Akademinë Kombëtare të Muzikës "Prof. Panço Vlladigerov". Së bashku me vëllain e tij Borisllav dhe këngëtaren dhe perkusionisten Hilda Kazasjan, ata janë pjesë e muzikantëve që kanë ndërtuar skenën e xhazit në Bullgari në 30 vitet e fundit. Ata janë baza e disa prej projekteve muzikore, turneve dhe performancave më të rëndësishme muzikore në vendin tonë.


"Jazz-i nuk është më ai loji i muzikës amerikane që ishte në vitet 1930 dhe 1940. Ai është një mënyrë e vetë-shprehjes, jo vetëm një stil. Nuk është si asgjë tjetër. Bëhet fjalë për faktin se është muzikë në të cilën improvizimi është seriozisht i pranishëm dhe gjëja më e rëndësishme është personi që e ka krijuar atë."


Ai thotë se edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga parimet dhe qëndrimi që ka marrë vetë nga mësuesi i tij, Prof. Dobri Paliev. "Për të gjithë ne që kemi kaluar përmes shkollës së tij, është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë jetën tonë, për të gjithë karrierën tonë. Për të gjithë ne ai është si një guru", thotë edhe sot muzikanti. Mbështetjtje dhe vëmendje individuale – kështu shprehen nxënësit e Prof. Paliev. "Mbaj mend që më dhuroi daullen time të parë të madhe. Ishte një lumturi e madhe për mua", kujton pasardhësi i tij i denjë.

Komunikimi i dyanshëm, ku kufiri mes mësuesit dhe muzikantit është shumë i rëndësishëm. Ndoshta është pikërisht përvoja e Hristo Jocovit në të dy anët e skenës ajo që është baza e "Koncertit për bateri dhe orkestër simfonike" - vepra e tretë në programin e koncertit të tij të përvjetorit me Orkestrën Filarmonike të Plevenit.


"Kur fillova të jepja mësim, kuptova se nuk kishte literaturë për këtë instrument (daullen). Ai gjithmonë trajtohet si pjesë e një grupi dhe është përgjegjës për ritmin. Nuk është kurrë solo, nuk është kurrë përpara, e lëre më në vepra simfonike para një orkestre simfonike. Dhe thashë me vete - kjo është shumë interesante, le ta provojmë! Dhe unë e kompozova pjesën (në vitin 2015). Është komplet improvizim, nuk ka nota për të luajtur, që njeriu t’i mësojë dhe t’i luajë. Ky është një udhëzim muzikor. Çdokush mund ta bëjë këtë, ta luajë ashtu siç e dikton vizioni i tij për muzikën dhe karakteristikat e tij stilistike. Koncerti për daulle dhe orkestër simfonike është luajtur nga unë dy herë në Poloni dhe pesë herë në SHBA, gjë që është thjesht e pabesueshme”.

Foto: arkiva personale Hristo Jocov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Kristian Kostov bën një fillim të ri me këngën e tij "Unë jam ti"

Kristian Kostov, edhe pse i ri, tashmë është një interpretues dhe autor i njohur. Ai la një përshtypje të fortë gjatë sezonit të katërt të X Factor në vendin tonë, duke arritur në finalen e madhe dhe duke fituar një audiencë të madhe. Më pas ai u shfaq..

botuar më 25-03-26 6.05.PD

"Më e shtrenjta" nga Danny Levan

Danny Levan është një interpretues i ri me origjinë bullgaro-greke. Pas suksesit të këngës së tij në duetin me Hristiana Loizu, të quajtur në bullgarisht " Më fsheh sytë" vitin e kaluar, Danny është gati me një këngë të re të titulluar "Më e..

botuar më 25-03-24 2.10.MD
Foto: Kori i Fëmijëve i Radios Kombëtare Bullgare

Kori i Fëmijëve i Radios Kombëtare Bullgare befason publikun në koncertin me rastin e 65-vjetorit të krijimit të tij

Kori i Fëmijëve i Radios Kombëtare Bullgare feston 65 vjetorin e tij me një koncert në ditën e themelimit të tij - 21 mars. Që atëherë, këngëtarët e rinj kanë përhapur lavdinë e mjeshtërisë korale bullgare në mbarë botën dhe jo rastësisht quhen..

botuar më 25-03-21 8.05.PD