Në mars 2023, këngëtari Vasko Vasilev-Bazilio ishte i ftuar në Radio Bullgarinë me rastin e koncertit "Me hirin e këngës", kushtuar 40 viteve të veprimtarisë skenike.
Në fillim të vitit 2025 ju ofrojmë edhe një intervistë me Vaskon. Shkasi këtë herë është një koncert i madh, kushtuar katër dekadave nga pranimi në familjen e Shtëpisë së Madhe – BNR.
"40 vjet në Radion Kombëtare Bullgare - një potencial krijues vërtet i rëndësishëm për mua, sepse jeta ime në radio ndryshoi shumë, jo vetëm si krijues, por edhe plotësisht. Radioja më dha një emocion shumë të madh pozitiv dhe ishte një trampolinë në jetën time. Këtu takova gruan time, Nataniela Vasileva, dhe ajo kaloi rreth po aq vite si redaktore në Redaksinë e Gjuhës Shqipe të Radio Bullgarisë. Për mua, radioja është një shtëpi, siç na pëlqen të themi për institucionin në shumicën e rasteve. Jam vërtet shumë i lumtur që këtu ishte streha ime si krijues dhe si një person që krijoi më të vlershmen, e pikërisht familjen dhe shumë miq”.
Gjithçka filloi me një konkurs në fillim të viteve 80 të shekullit të kaluar. Një konkurs jo për këngëtarë, por për specialistë teknikë, ose thënë ndryshe regjisorë zëri. Pas një përzgjedhjeje prej dy muajsh dhe një testimi të aftësive, Vasko Vasilev u emërua në drejtorinë "Teknikë" të radiostacionit të vetëm bullgar në atë kohë. Në ato vite, Vasko Vasilev ishte student në "Departamentin e Estradës" të Konservatorit Shtetëror të Muzikës dhe ishte pjesë e Ansamblit të Trupave të Ndërtimit si artist dhe interpretues në korin e formacionit. Dhe siç thotë ai vetë me shaka për veten e tij – shampanja nuk mund të mbetet në një shishe!
"Dëshira për të dalë në skenë, për të punuar, për të krijuar, për të kënduar ka qenë gjithmonë një nxitje e madhe për mua. U shpallën konkurse për korin "Svetosllav Obretenov" dhe për solistë në Korin Miks të Radios Kombëtare Bullgare dhe më miratuan edhe në të dyja vendet. Zgjodha Korin Miks të Radios.
Udhëtonim rreth gjashtë muaj në vit jashtë Bullgarisë, korrëm suksese të mëdha në Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Izrael, Japoni... Ne ishim më të njohur nëpër botë se në Bullgari” – tregon ai me krenari të sinqertë. Repertori i Korit Miks ishte kryesisht operistik, “pasi kemi kënduar pothuajse të gjithë titujt e famshëm të operës” – kujton këngëtari, Një fakt që e takoi me disa prej koreve më të mëdha të artit operistik, mes tyre këngëtaren e madhe operistike Gena Dimitrova. Ajo e pëlqeu të riun Bazilio si interpretues në operën “Nabuko” dhe me kënaqësi i mësoi atij solfège për disa javë.
Bazilio е pranon rolin e tij si interpretues i këngëve sllave kishtare në një mënyrë tepër personale, me një dozë përulësie, por me përkushtim të plotë. Vitet e fundit besimi ka qenë një pjesë shumë e madhe dhe e pandashme e jetës dhe veprës së tij. Këngëtari e vlerëson shumë lart publikun bullgar, sidomos atë jashtë kufijve të vendit.
“Ata janë shumë më të ndjeshëm ndaj kulturës bullgare, sepse nuk jetojnë në vendlindjen e tyre, ndjekin nga distanca gjithçka që ndodh në atdhe dhe e mbajnë në zemër. Ata janë shumë mirënjohës për atë që ne kryejmë dhe i ofrojmë si ushqim shpirtëror... Jam pafundësisht i lumtur që si këngëtar, për kaq vite në Radion Kombëtare Bullgare dhe si solist, kam qenë transmetues i një bukurie kaq emocionale në shpirtin e dëgjuesve” – tha Vasko.
Dhe kjo mirënjohje dhe rrugë e kaluar do të jetë baza e një albumi të ri të artistit me këngë sllave kishtare. Do të ketë dhe një biografi krijuese, të cilën vetë këngëtari po e shkruan dhe do të publikohet në vitin aktual 2025. Në të një rol të rëndësishëm i jepet BNR-së, udhëtimeve me Korin Miks dhe magjisë së muzikës. Jemi në pritje edhe të një koncerti të madh kushtuar përvjetorit dhe korniza e të gjithë kësaj do të jetë mbrojtja e disertacionit të doktoraturës në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski", kushtuar Nikollaj Rajnov - Zotkërkues dhe Zotluftëtar. “Me gjithë këtë do të marrë fund një cikël shumë i rëndësishëm krijues, shpirtëror dhe jetësor për mua si person” – vuri në duke ai.
Dhe dëgjueseve të Radio Bulgarisë, Vasko Vasilev-Bazilio u uroi:
“U uroj të gjithëve shëndet, besim në Zot, mirësi dhe dashuri. Jini gjithmonë të frymëzuar, kërkoni dritën në veten tuaj, forcën shpirtërore në jetë, jetoni me dinjitet dhe zbuloni këngën tuaj dhe talentin tuaj unik. Unë e bëj këtë për shumë vite me besimin tim te njeriu dhe te Zoti Jezu Krisht, unë këndoj këngën time, lavdi Zotit për gjithçka!”
Më shumë për Vasko Vasilev – Bazilio mund të mësoni nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Foto: arkiv personal, BNR, Facebook /Vasko Bazilio, Facebook /Kori Miks i BNR
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Këngëtarja e re Paola e përfundoi vitin 2024 me një këngë të re. "Fuqia e dashurisë" nuk është vetëm një këngë, por një udhëtim muzikor drejt zemrës. “Ideja është të tregojmë se të gjithë jemi të bukur ashtu siç jemi dhe se ajo që mbajmë në..
Kënga e 42-të nga Projekti “Artistë që këndojnë” titullohet “Peshore”. Ajo është në interpretim të këngëtarit Atanas Penev , i njohur si frontmeni i grupit B.T.R. "Ditët e anasonit" me B.T.R. "Jo për mua" – një këngë nga albumi i..
Në vitin e ri hyjmë me shumë ngrohtësi, e cila na jep këngën “Çelësi është Sol”. Poetesha Gina Dundova gjeti frymëzim për poezitë e saj gjatë vizitës në qytetin Teteven dhe shëtitjeve nëpër bjeshkët malore rreth tij. Ajo ia kushtoi kompozitorit..
Këngëtarja e re Paola e përfundoi vitin 2024 me një këngë të re. "Fuqia e dashurisë" nuk është vetëm një këngë, por një udhëtim muzikor drejt zemrës...