Krishtlindjet janë një festë shumë e veçantë për këngëtaren Rumjana Koceva. Për vite, ajo mbledh familjen dhe miqtë në shtëpinë e saj - momente të dashura që i ngrohin ditët e saj deri në Krishtlindjet e ardhshme. Këngëtarja e estradës këtë vit i dha një përjetim emocionues muzikor auditorit të saj vendas, duke kënduar disa nga "Këngët e përjetshme të Krishtlindjeve" në bullgarisht. Kështu titullohet edhe albumi i saj, i cili është ribotuar në disk, por pritet të dalë sërish në pllaka moderne vinili.
“Ky disk është shumë i kërkuar dhe çdo vit më telefonojnë miqtë duke më kërkuar që t'ua jap sepse nuk mund të mendojnë një dhuratë më të mirë për Krishtlindjet se ai. Prandaj vendosa ta ribotoj, duke i shtuar edhe tri të tjera përmbledhjes prej 11 këngësh, për të cilat shkrova edhe tekste” - na tregon këngëtarja.
Të interpretojë disa nga këngët më të famshme të Krishtlindjeve në bullgarisht është një ëndërr e vjetër e Rumjana Koceva:
“Ndërsa punoja jashtë vendit, vura re se sa shumë njerëzve në mbarë botën u pëlqenin këngët e Krishtlindjeve. Kur ktheheshim në shtëpi, askush nuk po i këndonte apo i shkruante. Për të mos thënë që ne nuk kishim as Krishtlindje - nuk kishim Plaku i Krishtlindjes, kishim Plaku i Vitit të Ri. Prandaj vendosa që do të ishte mirë t'i këndoja dhe t'i regjistroja këto këngë edhe për auditorin bullgar. Mendimi im është se mesazhet e këtyre këngëve, të cilat janë tepër të forta, do të arrijnë në zemrën e dëgjuesve bullgarë në mënyrën më të drejtpërdrejtë nëse i dëgjojnë në gjuhën e tij amtare.”
"Ejani të bekuar"
Për të zgjedhur titujt më të përshtatshëm, Rumjana Koceva dëgjoi mbi 120 këngë nga vende të ndryshme. Dhe asaj iu deshën pothuajse dy vjet për të shkruar tekstet e duhura në bullgarisht:
"Nëse nuk e dini, më lejoni t'ju them se është shumë më e vështirë të këndosh në bullgarisht sesa në anglisht. Është më e vështirë sepse në anglisht ka fjalë të shkurtra ose shumërrokëshe që shqiptohen qartë dhe lehtë, ndërsa në bullgarisht të njëjtat kanë një theks të caktuar, i cili kur këndohet duhet të përkojë me kohën e fortë të taktit, përndryshe tingëllon e panatyrshme.”
"Kambanëze të argjendta" /duet me Vasill Petrov/
Këngëtarja i ndan këngët e Krishtlindjeve në tre grupe:
"Disa këndojnë pikërisht ngjarjen që kremtojmë Ditën e Krishtlindjes - Lindjen e Krishtit. Grupi tjetër janë këngët kushtuar traditave të krijuara me kalimin e viteve në shoqërinë njerëzore - për të dekoruar një pemë në shtëpi, për të bërë një tryezë festive për Krishtlindje, për të mbledhur të gjithë familjen rreth saj, për t'i bërë dhurata njëri-tjetrit, për të bërë fëmijët të lumtur, të bëjmë gjeste fisnike edhe jashtë familjes… Grupi i tretë përfshin të ashtuquajturat këngë të dimrit dhe fëmijëve - këto janë këngët më të gëzueshme të Krishtlindjeve! Për grupin e parë të këngëve - me temë kishën, lexova disa bibla dhe libra lutjesh për të gjetur fjalët më të sakta për t'u përdorur në përkthim - për shembull për Shën Virgjëreshën Mari, e cila është gjithmonë shumë e shenjtë dhe sundon shpirtrat tanë, ndërsa Jezu Krishti sundon zemrat dhe mendjet tona. Kur shkrova tekstet, Rumen Bojaxhiev-biri krijoi orkestrime origjinale të pabesueshme, që nuk ngjanin me asnjë tjetër, edhe pse këto këngë janë interpretuar mijëra herë nëpër botë në forma të ndryshme. Këngët bullgare u bënë të mrekullueshme!" - thotë me gëzim Rumjana Koceva dhe shton se këngën “Hiri i mahnitshëm” e regjistroi në momentin e fundit, para daljes së albumit, prandaj është përfshirë në të në një version a cappella.
"Hiri i mahnitshëm"
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook / Rumjana Koceva
Ju ofrojmë një dozë magjie me këngën më të re të interpretueses Kristina Dimitrova-Manasieva, ose e njohur më mirë si KristinSax. Përveçse këndon ajo i bie saksofonit dhe flautit. Veçse interpretuese e këngës së saj të re “Magjia”, KristinSax është..
Në Ditën e Asistencës së Maternitetit, ju ofrojmë një këngë kushtuar një teme të vështirë - vdekshmërinë femërore gjatë lindjes. "Të mos jemi vetëm" bashkon disa nga muzikantët tanë më të mirë. Përveçse interpretoi këngën në mënyrën e tij të..
DEEP ZONE Project janë gati me projektin e tyre më të fundit BG Ethno House - "Biljana e bukur", në të cilin edhe një herë kombinojnë muzikën moderne të kërcimit elektronik me motive origjinale të bazuara në folklor, si gjithmonë me shumë dashuri për..
Petko Sllavov është një krijues kompleks - në fushën e muzikës e njohim si autor i teksteve dhe interpretues (këngëtar, basist dhe kitarist) në..
Sot do të kthehemi pas në kohë me SARACTA, ose "Kujdestari" - kështu quhet aventura e guximshme muzikore e producentëve Fabrizio Parisi dhe The Editor. Sfida..