Optimizëm i kujdesshëm për Sirinë - ky është pozicioni që ka mbizotëruar deri më tani në BE që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit. Shumica e politikanëve në Komunitet janë të kujdesshëm ndaj grupit "Hajat Tahrir al-Sham" dhe udhëheqësit të tij Ahmed Husein al-Sharaa për shkak të afërsisë së tyre me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik.
Kujdesi duket se e tejkalon optimizmin, duke gjykuar nga fjalët e politikanëve të shquar evropianë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen:
“Rënia e regjimit të Asadit i jep shpresa të reja popullit sirian, por ato shoqërohen me rreziqe. Situata mbetet tejet e pasigurt, ndaj po monitorojmë me vëmendje zhvillimet. Populli sirian meriton një tranzicion paqësor - një tranzicion që ruan integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, mbështet institucionet shtetërore dhe pasqyron aspiratat e popullit sirian në të gjithë diversitetin e tij. Kjo do të thotë se duhet të respektohet uniteti kombëtar dhe të mbrohen pakicat.”
Liberalët evropianë janë të shqetësuar edhe për veprimet e mëtejshme të Turqisë, e cila ishte edhe shtytësi kryesor i ngjarjeve në Siri. Eurodeputetja nga “Rinovo Evropën”, Nathalie Loiseau:
“Një Siri e re po lind. Shpresa është e përzier me pasigurinë pasi rebelët islamikë pushtuan Damaskun, duke shkaktuar shqetësime të arsyeshme mes të krishterëve. Të gjitha pakicat në vend duhet të gjejnë vendin e tyre në Sirinë e re.”
E gjithë kjo është përkundër sfondit të bazave ushtarake ruse që mbeten ende atje - diçka që shumë vendeve anëtare të BE-së nuk e pëlqejnë. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Kallas pas Këshillit të Punëve të Jashtme të hënën e kaluar:
“Shumë ministra të jashtëm morën fjalën për të thënë se ky duhet të jetë një kusht për udhëheqjen e re të vendit - për të hedhur poshtë ndikimin rus. Nga këto baza ata kryejnë aktivitetet e tyre edhe në Afrikë dhe në Fqinjësinë Jugore. Kjo sigurisht ngre shqetësime për sigurinë evropiane.”
Shumica e përfaqësuesve evropianë shprehën optimizëm të matur për Sirinë. Dhe ju, e pyetëm Kelly Petillo nga Këshilli Evropian për Politikën e Jashtme.
“Kam edhe unë ndjenja të përziera. Sigurisht, të gjithë shpresojnë se procesi do të jetë i udhëhequr nga OKB-ja, do të jetë gjithëpërfshirës, i kuptimplotë dhe do të çojë në një tranzicion të sigurt politik, si dhe do të garantojë se do të kërkohet përgjegjësi - ju e dini se regjimi kreu krime të tmerrshme dhe i shihni ato në lajme çdo ditë. Pra, ky moment do të jetë i rëndësishëm për ndërtimin e besimit mes sirianëve, të cilët kanë vuajtur kaq shumë. Rimëkëmbja ekonomike është e rëndësishme për çdo sirian që shikon përpara. Këto janë pyetje të mëdha dhe është e vështirë të parashikohet në këtë fazë se ku do të shkojnë gjërat. Optimizmi i kujdesshëm i shumë njerëzve vjen nga mesazhet pozitive që grupazhi “Hajat Tahrir al-Sham” dhe udhëheqësi i tij Ahmed Hussein al-Sharaa po transmetojnë aktualisht. Sigurisht, kjo lidhet kryesisht me dëshirën për të tërhequr investime. Bëhet fjalë për ta bërë Sirinë një vend për të jetuar. Kjo është një sfidë e madhe për vendin duke pasur parasysh situatën aktuale.”
Ju përmendët grupazhin dhe udhëheqësin e tij. A mund t'u besohet vërtet atyre duke pasur parasysh faktin se ata ishin pjesë e Al Kaedës dhe Shtetit Islamik?
“Nuk mendoj se kemi arsye për t'u besuar atyre tani, sepse nuk i kemi parë në pushtet. Ata mund të përpiqen të na tregojnë se janë të ndryshëm, gjëja e parë është që pushteti nuk është i centralizuar. Mund të përpiqen të na tregojnë se nuk duan të udhëheqin vetëm, por të integrojnë forca të ndryshme politike dhe të sjellin investitorë të mundshëm nga jashtë. Aktualisht ka një nevojë të madhe për rimëkëmbje ekonomike, por edhe për ekspertë që mund të këshillojnë se si të ndryshohet kushtetuta, si p.sh. juristët. Siria është plot me njerëz të tillë - brenda dhe jashtë. Pra, për të frymëzuar besim, ata duhet të tregojnë se mund të përfshijnë njerëz të ndryshëm në proces. Do të ishte një shenjë shumë e keqe, po të tregojnë se duan të sundojnë të vetëm në një vend pa shtet ligjor.”
Po, por sinjalet nga grupazhi dhe kryetari i tij janë të përziera. Sepse kuptuam që femrave u ndalohet të jenë gjyqtare...
“Ashtu është, kemi marrë sinjale të përziera. Nga njëra anë, dëgjojmë informacione për rihapjen e shkollave, por nga ana tjetër - për ndalimin e të drejtave të grave. Sinqerisht, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për gratë në Siri në të ardhmen. Por gjithsesi, kjo është një periudhë kalimtare, duhet t'i japim pak kohë dhe ndoshta do të vijë një moment kur mund ta fillojmë këtë bisedë. Fokusi i menjëhershëm duhet të jetë siguria, pastaj do të jetë koha për ekonominë.”
Kallas ishte ndoshta e para që përdori termin “optimizëm i kujdesshëm” në lidhje me Sirinë...
“Po, keni plotësisht të drejtë. Ata janë padyshim të kujdesshëm dhe në kuadrin e kujdesit të tyre po përpiqen të krijojnë disa kontakte dhe të kuptojnë nëse mund t'i besohet qeverisë për momentin për të siguruar një tranzicion të qetë në Siri. Besoj se qasja e deritanishme e BE-së është e saktë - të rihapin ambasadat e tyre në Damask, ku mund të dërgojnë chargé d'affaires të tyre.”
Presidenti i KE von der Leyen vizitoi Turqinë dhe mbajti një konferencë të përbashkët me Presidentin Erdogan. Kjo duket të jetë një shenjë e një afrimi, por a nuk mbeten dallimet në lidhje me kurdët dhe a nuk do të ndikojë kjo në marrëdhëniet dypalëshe në të ardhmen?
“Po, këto marrëdhënie janë shumë komplekse. Turqia është shfaqur si një faktor kyç në ngjarjet e dy-tre javëve të fundit. Ky është një fakt që ne nuk mund ta ndryshojmë. Prandaj, është e drejtë që BE-ja po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj me Turqinë, sepse kjo do të jetë e një rëndësie kritike për të ardhmen në Siri. Në të vërtetë, problemi kurd është shumë delikat për Turqinë. BE-ja do t'i përmbahet më tepër linjës së OKB-së, e cila dënon sulmet kundër tyre nga forcat turke. Veprimi ushtarak definitivisht nuk është i mirëpritur për sa kohë që konflikti në Turqi vazhdon. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë integritet territorial në kuadër të Rezolutës 2254 të OKB-së, e cila kërkon një armëpushim dhe zgjidhje politike të konfliktit në Siri. Ky është një problem i madh për këdo që dëshiron të shohë një të ardhme të qëndrueshme për vendin. Pra, nga njëra anë, Bashkimi Evropian do të dëshirojë të forcojë bashkëpunimin e tij me Turqinë për shkak të interesit të tij të madh për kthimin e refugjatëve sirianë në Siri, por nga ana tjetër, Turqia do të përpiqet të balancojë afrimin e saj me Komunitetin dhe ndjekjen e interesave të veta, duke përfshirë dhe çështjen e kurdëve në Siri. Një problem tjetër është se Shtetet e Bashkuara janë forca më e madhe që vepron në këtë front dhe kanë një president shumë të paparashikueshëm që hyn në detyrë në janar. Kjo ka të ngjarë t'i komplikojë gjërat, por Erdogan e admiron jashtëzakonisht Trump. Pra, do të kemi dy burra të fortë. Nga ana e vet Trump do të përpiqet të ruajë interesat amerikane në verilindje duke u përpjekur të mposhtë Shtetin Islamik, i cili është ende atje. Në të njëjtën kohë, ai gjithashtu mund të përpiqet të bllokojë veprimet e Erdoganit për çështjen kurde.”
A do të tërheqë Rusia përfundimisht të gjitha bazat e saj nga Siria?
“Kjo është një çështje shumë komplekse. Ne nuk e dimë se deri në çfarë mase Rusia po diskuton praninë e saj me “Hajat Tahrir al-Sham”, as nëse bazat e saj do të mbeten. Por ne shohim shumë retorikë nga ministrat evropianë që thonë se ata nuk do të angazhohen me Sirinë nëse Rusia nuk tërheq plotësisht bazat e saj nga atje. Pra, ka vende që kategorikisht nuk duan një prani ruse në Siri, por kjo do të jetë një çështje më vete. Ne duhet ta trajtojmë çështjen siriane në kuadrin e çështjeve të ndërlidhura, të cilët përfshijnë lojtarë të jashtëm. Sigurisht, secili prej tyre do të donte të shihte sa më pak përfaqësues ndërkombëtarë. Rusia, për shembull, mund të thotë: "Si doni që ne të largohemi, pasi Izraeli vazhdon të sulmojë Sirinë?" Rusët do ta përdorin patjetër këtë retorikë, siç bëjnë gjithmonë. Pra, do të flitet për ndërhyrje të jashtme dhe ky është padyshim një problem i palës turke, Rusisë dhe Izraelit. Por do të jetë më shumë çështje për forcat e jashtme dhe nuk do të ndalojë apo ngadalësojë tranzicionin e brendshëm politik në Siri.”
A do të tërhiqet Irani nga Siria sipas jush?
“Kjo pyetje është shumë e vështirë. Vetë "Hajat Tahrir al-Sham" nuk do të ndërhynte, sepse, edhe nëse ata verbalisht e prezantojnë veten si një qeveri gjithëpërfshirëse, ata historikisht janë shumë të vetëdijshëm për ndikimin iranian në Siri. Ka dyshime sesi Irani e vlerëson rolin e tij të ardhshëm në Siri, duke pasur parasysh se përfaqësuesit e tij janë dobësuar ndjeshëm. Dhe “Hajat Tahrir al-Sham” nuk do të ishte shumë i prirur për praninë e tyre sepse kjo do të nënkuptonte një përsëritje të regjimit të Asadit. Ata nuk kanë interes që kjo të ndodhë sepse është krejtësisht e papajtueshme me natyrën e tyre dhe përkatësinë e tyre fetare. Pra, nuk mund të prisnim një prani serioze iraniane atje. Natyrisht, Irani ka nevojë për Sirinë, por në një farë kuptimi ai duhet të rivlerësojë këtë mbështetje dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Sheshi i akullit më i madh në Gadishullin Ballkanik “Ice Park” ndodhet në Sofje. Parku i akullit i sapohapur zë një sipërfaqe totale prej 11,000 metrash katrorë, me një fushë akulli prej 4,000 metrash katrorë. Tre sheshe patinazhi të mëdha janë të lidhura..
Lidhur me miratimin të mërkurën e kaluar të përbërjes së re të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht mori detyrën para disa ditësh, iu kushtua më pak vëmendje një ngjarjeje tjetër të rëndësishme të së njëjtës ditë - miratimit të buxhetit të Bashkimit..
Ekipi i shkollës së mesme të dytë angleze në Sofje “Thomas Xhefersën” fitoi Konkursin e Gjashtë Evropian të Drejtësisë për nxënës, i cili u mbajt në Rumani, njoftoi Ministria e Arsimit. Në konkurs, nxënësit bëjnë një simulim të procesit gjyqësor mbi..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet..
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes,..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë..