Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull, midis një shtëpie të ngrohtë apo një frigoriferi të plotë.
“Familjet bullgare, si dhe familjet evropiane, duhet të kufizojnë shpenzimet e tyre në dimër, kur, pavarësisht se çmimet e energjisë elektrike në Bullgari nuk rriten, kostot e energjisë elektrike rriten dhe, në sfondin e kostove të tjera të rritura, kjo në mënyrë të pashmangshme ndikon në familjet e tyre”.
Kështu tha eksperti i Forumit Bullgar të Energjisë dhe Minierave, Anton Ivanov, i pyetur nëse edhe ne si konsumatorë do të përballemi këtë sezon, si të tjerët në Evropë, para zgjedhjes "Ushqimi apo ngrohja?"
“Ne nuk jemi përballur me të aq sa jemi përballur vitin e kaluar apo një vit më parë, pra nuk kemi asnjë ndryshim në këtë aspekt”, tha analisti në një koment për një material nën titullin "Heating or eating: an unpalatable choice", zhvilluar nga redaksia ndërkombëtare e “Euranet Plus”, ku flitet për “zgjedhjen e pakëndshme” që pret disa prej njerëzve që përdorin energjinë elektrike dhe gazin natyror në Kontinentin e Vjetër këtë dimër.
Megjithatë, ne nuk jemi në mesin e tyre, sepse “energjia elektrike shtëpiake nuk është rritur në çmim në Bullgari, pasi mendoj se jemi i vetmi vend në BE që e kemi ruajtur tregun e rregulluar”, tha Anton Ivanov:
“Në këtë kuptim, konsumatorët vendas janë të mbrojtur nga rritja e çmimeve, por ata që kanë zgjedhur të ngrohen me energji elektrike – ata vërtet do të përballen me fatura më të larta, të cilat ka gjasa të vendosin disa familje para një zgjedhjeje më të vështirë”, paralajmëroi eksperti.
Studimi kujton gjithashtu apelin nga Strasburgu të eurodeputetëve drejtuar Komisionit Evropian nga nëntori - për veprime për t'u marrë me rritjen e çmimit që rëndon buxhetet e familjeve. Janë dhënë shembuj të vendeve që vendosën lehtësira tatimore, subvencione dhe tavane çmimesh për të frenuar krizën.
Midis tyre janë Varshava, ku kemi një ngrirje të çmimeve të energjisë "për një periudhë nëntë mujore në 2025", siç thotë ministrja polake e mjedisit Paulina Hennig-Kloska, dhe Vjena, masat e së cilës Caroline Nwafor nga Fondi Austriak për Klimën dhe Energjinë përmbledh si kjo:
"Për të trajtuar varfërinë energjetike, qeveria federale ofron tre programe: njëri është "Ombrella e Energjisë", i dyti është "Ngrohja e pastër për të gjithë" dhe i treti është "Kursimi i energjisë në shtëpi", ku çdokush mund të marrë këshilla falas për energjinë ose të zëvendësojë një ose dy pajisje të vjetra shtëpiake, duke përfshirë një frigorifer ose një sobë”.
Gjithashtu kujtohet një rritje e pritshme e çmimeve në Austri për shkak të skadimit të të ashtuquajturit “frenim i çmimit të energjisë elektrike”.
"Rumunët nuk duhet të shqetësohen për faturat e tyre në rast se ka temperatura më të ulëta! Do të ketë gaz! Do të ketë gjithashtu një tavan të faturave, duke përfshirë energjinë elektrike," premton ministri rumun i energjisë Sebastian Burduia dhe homologu i tij grek Theodoros Skilakakis kujton një nismë të përbashkët të të dy vendeve me vendin tonë – përsëri për ndërhyrjen e KE-së, por për t'u marrë me çmimet më të larta të energjisë në Evropën Lindore në krahasim me Evropën Perëndimore:
"Jemi dëshmitarë të një fenomeni në Evropën Juglindore, këtë herë që përfshin Austrinë, dhe çmimet janë absurde! Në të po ndikojnë disa faktorë, mes tyre mungesa e ndërlidhjeve me Evropën Perëndimore, e cila është plot energji të lira dhe algoritmi kabllor. Ne gjithashtu kemi nevojë për një instrument, i cili nuk lejon fitime të tepërta në kurriz të konsumatorëve dhe bizneseve”.
Lidhur me taksën mbi fitimet e tepërta të gjeneruara nga prodhuesit e energjisë elektrike, Anton Ivanov tha se "kjo është një masë që tashmë është zbatuar dhe në Bullgari vazhdon të zbatohet", dhe paralajmëroi se "çdo taksë ka vendet e veta pozitive dhe negative":
"Kjo është një masë e lejueshme, e arsyeshme kur energjia është shumë e shtrenjtë në treg, dhe kostot e prodhimit të disa prodhuesve nuk janë aq të larta. Por për secilin prodhues duhet të ketë një analizë shumë të qartë”.
Eksperti nga Forumi Bullgar i Energjisë dhe Minierave ndau gjithashtu detaje rreth propozimeve në një letër drejtuar KE-së së Bukureshtit, Athinës dhe Sofjes:
“Të tre vendet kanë bërë thirrje për përshpejtimin e projekteve me interes të ndërsjellë për të rritur kapacitetin e ndërlidhjeve në kufijtë e Hungarisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, që janë aktualisht hallkat kritike, por kjo do të marrë kohë. Masa tjetër është një analizë më e thellë e tregut të energjisë elektrike në Evropë, në mënyrë që të mos lejohet rritja e çmimeve në zona të caktuara të tregut”.
Edhe eurodeputeti gjerman nga e majta, Martin Schirdewan, bëri thirrje për rregullimin e tregut evropian të energjisë: "Ne kemi nevojë për një rregullim strategjik të këtij tregu në afat të gjatë. Ne kemi nevojë edhe për investime në burimet e rinovueshme të energjisë."
"Tregjet e vetme kryesore në BE që nuk janë të rregulluara si bursat e fondeve janë tregu i energjisë elektrike dhe tregu i gazit natyror. Dhe sipas Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve, këto janë dy tregjet e vetme që përdorin mekanizma tipikë shkëmbimi. Kur do të kemi një propozim për rregullimin e bursës së këtyre tregjeve, në mënyrë që të ketë transparencë dhe parashikueshmëri dhe të dimë se si shitet energjia elektrike dhe gazi në BE dhe kujt?” pyeti eurodeputeti rumun nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve Dan Nika.
“Tregu i energjisë elektrike ka dy veçori, të cilat, sipas meje, nga pikëpamja inxhinierike nuk lejojnë të zbatohen të gjitha ato mundësi që janë në dispozicion në bursa”, tha eksperti Anton Ivanov, si dhe saktësoi:
“E para është që energjia elektrike nuk mund të ruhet ende për një kohë të gjatë, domethënë prodhohet dhe konsumohet për momentin, në bursa nuk ka mall që prodhohet dhe konsumohet për momentin, ka të tilla që shiten, sigurisht, por këto janë produkte që nuk përdoren nga klienti fundor”.
“Karakteristika e dytë e energjisë elektrike janë pikërisht mundësitë e dorëzimit tek përdoruesi fundor në pika të ndryshme të tregut, të cilat siç thashë nuk janë të garantuara. Ndryshe nga bursat ku tregtojmë produkte, të cilat në çdo moment mund të përfundojnë në portofolin e çdo klienti në Evropë, dhe kjo ndodh në disa sekonda, për energjinë elektrike, kjo është e pamundur!”, tha eksperti, sipas të cilit, nëse zbatohen mekanizma të ngjashëm me ata të shkëmbimeve financiare në lidhje me energjinë elektrike, ata “mund të çojnë në probleme shtesë sesa të zgjidhin ato me të cilat po përballemi tani”.
Dhe a kemi arsye të shqetësohemi për një krizë të rëndë energjetike në vendin tonë këtë dimër?
"Kriza energjetike ka të bëjë me sigurinë e furnizimeve, d.m.th., njerëzit - veçanërisht ata që do të përdorin energji elektrike për ngrohje - po rrisin varësinë e tyre nga domosdoshmëria që furnizimet me energji elektrike të jenë të sigurta dhe të besueshme."
"Për fat të keq, në vitet e fundit, jo vetëm në Bullgari, por edhe në rajon, janë nxjerrë nga eksploatimi një sërë termocentralesh me qymyr. Të gjithë i dimë disavantazhet e tyre mjedisore, por këto janë termocentrale me besueshmëri të lartë, pasi përdorin një resurs vendor energjetik, të pavarur nga furnizimet e jashtme dhe sigurojnë prodhim të vazhdueshëm të energjisë elektrike. Ato u zëvendësuan në masë të madhe nga burimet e rinovueshme të energjisë, por sidomos burimet e energjisë diellore, në dimër nuk ofrojnë sigurinë e nevojshme të furnizimeve”.
Mungesa e një qasjeje të përbashkët në Evropë përkeqëson diferencat e çmimeve në vende, por gjithashtu rrit nivelet e varfërisë energjetike - veçanërisht në Evropën Juglindore, duket qartë nga publikimi.
Artikulli gjithashtu bën të qartë se vendet me më pak energji të rinovueshme do të përballen me nivele më të larta të varfërisë energjetike.
A jemi ne mes tyre?
“Bullgaria, pavarësisht se ka një përqindje të lartë të termocentraleve me qymyr, përdor gjithashtu një përqindje të lartë të termocentraleve me emetim të ulët - këto janë hidrocentrale. Centrali bërthamor gjithashtu ka një faktor të ulët emetimi, por këtu theksi është se kur në një periudhë të gjatë ne kemi një ngopje të burimeve të rinovueshme në Evropë në tërësi, pastaj Europa në tërësi do të varet shumë më pak nga furnizimet e jashtme dhe në këtë kuptim do të kemi çmime më të ulëta”, theksoi eksperti Anton Ivanov dhe shtoi:
“Ne duhet të jemi të qartë se si do të arrijmë në atë të ardhme ku objektet e burimeve të rinovueshme energjetike do të jenë aq të shumta saqë ato do t’i bëjnë të panevojshme burimet e tjera të energjisë me emetim të lartë dhe sistemet e transmetimit të energjisë elektrike në Evropë do të jenë aq të zhvilluara, në mënyrë që energjia të mund të jetë transferuar nga ato rajone ku kemi një tepricë, të themi, të energjisë së erës në ato që kanë mungesë të energjisë së rinovueshme".
“Për momentin në rajonin tonë, kur ka mungesë, ne nuk mund të mbështetemi në furnizime të mjaftueshme nga Evropa Qendrore dhe Perëndimore”.
“Për të arritur atë furnizim realisht optimal të energjisë me burime energjetike që kanë varësi të vogël nga furnizimet nga palët e treta, do të duhet të bëjmë, së pari, investime të konsiderueshme dhe së dyti, duhet shumë kohë", theksoi eksperti:
“Pikërisht për këtë periudhë tranzicioni, ne besojmë se refuzimi i burimeve të besueshme të energjisë që disponojmë për momentin duhet të bëhet në mënyrë shumë më të moderuar, në mënyrë që të mos arrijmë situata në të cilat, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, familjet tona të jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve jashtëzakonisht të larta të mungesës së furnizimit me energji elektrike”, sqaroi Anton Ivanov nga Forumi Bullgar i Energjisë dhe Minierave në një intervistë për Zornica Bliznashka, bazuar në artikullin e redaksisë ndërkombëtare të Euranet Plus.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga vende të tilla ne shpesh u afrohemi me armiqësi dhe jo me mirëkuptim. Ajo që ata kanë përjetuar..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të gjenomave të bullgarëve bashkëkohorë. Me iniciativën, vendi ynë do të kontribuojë në një projekt..
Prej më shumë se një jave historia e një familje blegtorësh që rritin raca vendase të deleve ka tërhequr vëmendjen e publikut në Bullgari, por edhe të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Dhe në vend që të ndiqte teatrin në parlament dhe luftërat për..
Prej më shumë se një jave historia e një familje blegtorësh që rritin raca vendase të deleve ka tërhequr vëmendjen e publikut në Bullgari, por edhe të..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të..
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga..