Me shtëpitë e tij të vjetra me çati me tjegulla, rrugicat e pjerrëta të cilat gjarpërojnë gjer në shpatet e malit dhe muret prej guri që ruajnë sekretet shekullore, Kovaçevica është një nga fshatrat më të bukur dhe më romantik bullgar. Nuk ka vizitor që të mos habitet nga bukuria e këtij cepi të virgjër të malit Rodopa. Disa shtëpi janë të braktisura dhe të shembura, por të tjera janë të restauruara pa ndryshuar pamjen e tyre. Kovaçevica është shpallur një rezervat arkitekturor, falë të cilit u ruajt pothuajse e paprekur nga betoni dhe turizmi masiv.
Në fshat nuk ka më shumë se 7 bujtina dhe 3 restorante. Pjesa tjetër është arkitekturë, natyrë, heshtje dhe ajër kristal të pastër. Ndalemi përballë ish-shkollës, e ndërtuar në vitin 1892 nga donatori Jorxhe Dimitrov. Ndërtesa është restauruar dhe është kthyer në muze. Në katin e parë të saj strehohen ekspozita të piktorëve bashkëkohorë bullgarë. Bisedojmë me kuratorin e ri Toma Zhuglev, i cili me dëshirë na çon nëpër muze:
“Këto tavolina, dërrasa e zezë, trarët kryesorë që shihni ju, kanë mbetur nga shkolla. Ka një klasë të tërë me bojëra, stilolapsa, fletore, tekste, vizore, trekëndësha, harta...Gjithçka tjetër nga vitet e themelimit të shkollës është e ekspozuar këtu.Ne kemi një dhomë tjetër që përfaqëson jetën e njerëzve të asaj kohe dhe gjithashtu një dhomë thurje me një tezgjah rreth 200 vjeçar. Mund të shikoni edhe ekspozitën lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të bullgarëve në Maqedoni dhe Edrene, e cila përmban edhe një koleksion armësh të vjetra etj.”
Për herë të parë fshati Kovaçevica u përmend në regjistrat osmanë në shekullin e XV-të. Rreth kësaj kohe, në këtë pjesë të malit Rodopa mbërritën disa nga kolonët e parë, banorë të fshatrave të dikurshme bullgare, të cilat sot janë pjesë e Shqipërisë.
“Ata erdhën prej andej dhe fillimisht u vendosën në mëhallën e poshtme, dhe ajo quhet Mëhalla Arnaute - thotë Toma. – Pas rënies së Tarnovgradit nën zgjedhën osmane në vitin 1393 prej andej erdhën bujarë dhe u vendosën në pjesën e sipërme të fshatit. Ata që ishin në mëhallën e poshtme sillnin me vete ndërtimin, blegtorinë. Dhe ata në mëhallën e sipërme, bujarët, sillnin me vete shkrimin, letërsinë, dijen.
Në Kovaçevica nuk kishte sundim osman, siç ndodhte në të gjithë Bullgarinë, sepse njerëzit këtu ishin shumë të pasur. Në vitin 1877, një vit pas masakrës së Batakut, turqit e burgosën të gjithë popullsinë mashkullore të Kovaçevicës në Kishën “Shën Nikolla”, e cila funksionon edhe më sot, dhe njësoj si në Batak përgatiteshin për t'i vrarë. Atëherë banorët e tjerë të fshatit Kovaçevica mblodhën para dhe ia dhanë sundimtarit të rrethit të Nevrokopit dhe ai dha urdhër që njerëzit të kurseheshin.”
Fshati Kovaçevica nuk u shkatërrua nga pushtuesi, ndryshe nga vendbanimet e tjera bullgare të asaj kohe. Falë kësaj, ajo ka ruajtur pamjen e saj nga 200 vjet më parë. Gjëja e parë që të bën përshtypje janë shtëpitë e mëdha e të bukura me dy, tre, madje edhe katër kate. Dhe secila ka stilin e vet.
“Ata ishin një nga ndërtuesit më të mirë në atë kohë - shpjegon i riu Toma me krenari të pa maskuar. - Për shembull, shtëpitë në Batak të asaj kohe janë të ndërtuar nga mjeshtër nga Kovaçevica, kemi njerëz që kanë ndërtuar në Itali ose në Greqi - në qytete si Drama, Kavalla, Kato Nevrokopi... Dhe ajo që është specifike për ndërtimin tonë është përdorimi i gurit dhe drurit. Shikoni, këtu është një mur guri i ndërtuar me kashtë, dru dhe baltë. Çatitë peshojnë të paktën 30 tonë dhe janë bërë tërësisht me tjegulla guri.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Liderët e turizmit nga Bullgaria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u nderuan nga edicioni i 10-të i forumit ndërkombëtar Balkan Awards of Tourism Industry 2024. Ceremonia u zhvillua në Sofje më 5 dhjetor. Kalaja Kaleto në komunën e Bellogradçikut..
Ministri i kulturës Najden Todorov nderoi Prof. Ljudmill Vagalinski me certifikatën “Mbrojtës të Trashëgimisë”. Arkeologu dallohet për zbulimet e rëndësishme në qytetin antik Herakleja Sintika. Ministri deklaroi se gërmimet e Prof. Vagalinski..
Në ditët e sotme, në portin e Pomorie ankorohen kryesisht jahte, dhe varkat e vjetra të peshkimit prej druri janë zëvendësuar nga anije moderne të pajisura me motorë të fuqishëm. Jetesa tradicionale e qytetit tonë të Detit të Zi, e lidhur me peshkimin,..
Ministri i kulturës Najden Todorov nderoi Prof. Ljudmill Vagalinski me certifikatën “Mbrojtës të Trashëgimisë”. Arkeologu dallohet për zbulimet e..
Liderët e turizmit nga Bullgaria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u nderuan nga edicioni i 10-të i forumit ndërkombëtar Balkan Awards of Tourism..