Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Fondacioni Theodora von Auersperg fillon punën edhe në Bullgari

"Është mirë tа lëmë botën një vend më të mirë se sa ashtu si e kemi gjetur" - beson themeluesja e fondacionit Princesha Theodora von Auersperg.

Foto: princesstheodora.net

Mbrojtja e kafshëve dhe fëmijëve të pafavorizuar, si dhe promovimi i nismave të ndryshme kulturore, janë thelbësore për përmirësimin e mjedisit jetësor në vendin tonë. Rreth kësaj ideje u bashkuan pianistja e talentuar Nadezhda Canova dhe princesha Theodora von Auersperg, të cilat krijuan një degë në Bullgari të fondacionit të themeluar në Vjenë, me emrin e princeshës. Ambasadorë të vullnetit të mirë të fondacionit janë trajnerja emblematike e gjimnastikës ritmike Neshka Robeva dhe dirigjentja e korit Vanja Moneva.
Vanja Moneva, Teodora von Augsburg, Neshka Robeva dhe Nadezhda Canova
“Për fëmijët që janë rritur si jetimë ose pa dashuri të mjaftueshme në familje, komunikimi me kafshët është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ato japin dashuri, të mësojnë përqendrimin, përgjegjësinë. Nëse një fëmijë rritet me një kafshë, ai bëhet një i rritur vërtet i përgjegjshëm që i do kafshët, dhe deri diku edhe njerëzit. Ju e dini se nëse dikush keqtrajton një kafshë, ai me siguri po bën të njëjtën gjë edhe me njerëzit”, shpjegoi Nadezhda Canova, drejtore artistike e fondacionit, në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Njohja e saj me princeshën, e cila ka lindur dhe ka jetuar në vendin tonë deri në moshën 8-vjeçare, ka ndodhur në një mënyrë mjaft interesante:

"Kemi komunikuar fillimisht online sepse ajo jetonte në SHBA. Më vonë u transferua në Vjenë për shkak të sëmundjes së nënës së saj dhe kështu arritëm të takoheshim personalisht - kujton pianistja. - Kjo ndodhi në sallën Musikferein në një koncert ku u luajt "Requiem" nga Giuseppe Verdi, me pjesëmarrjen e sopranos Krasimira Stojanova dhe dirigjent Riccardo Muti. Pas koncertit patëm një takim edhe me ta, së bashku me tenorin Kamen Çanev. Me një fjalë ishte një mbrëmje e paharrueshme, nga e cila do të lindin shumë gjëra të mira."

Dëshira e tyre për të ndihmuar kafshët e pastreha dhe interesi për këtë temë nuk shfaqet papritur. Që në vitin 2023, Princesha Theodora von Auersperg nën patronazhin e saj zhvillon një koncert në të cilin marrin pjesë muzikantë të njohur klasikë vendas, përfshirë Nadezhdën, të titulluar "Dëgjo muzikë, shpëto një putër".



“Organizuam një koncert bamirësie dhe paratë e mbledhura i shpërndamë në tre strehë kafshësh në qytetet përkatëse. Koncertet u mbajtën në qytetet Sofje, Pazarxhik dhe Vidin, ku interesi ishte shumë i madh dhe sallat ishin plot.

Në të janë pjesë disa nga muzikantët më të mirë bullgarë, duke përfshirë pianistët Borisllava Taneva dhe Margarita Ilieva, flautistin Javor Zhelev, trumpetistin Petër Makedonski, klarinetistin Rosen Ideallov, flautisten Ana-Maria Krajçeva dhe të tjerë.

Kur ishte rreth 18 vjeç, princesha zbuloi se ajo ishte e birësuar dhe se babai i saj biologjik ishte Princi Anton Franz von Auersperg. Ai vendos ta njohë atë si vajzën e tij dhe t'i japë asaj titullin që i takon.

"Që atëherë, ajo vendosi që do ta përdorte këtë titull për të bërë diçka të vlefshme. Ajo vetë është shumë modeste dhe gjëja kryesore që e emocionon është qëllimi i fondacionit - të ndihmojë. Ajo beson se është mirë ta lëmë botën një vend më të mirë se sa e kemi gjetur”, – theksoi Nadezhda Canova.
Teodora von Auersperg dhe Nadezhda Canova
Viti 2025 do të jetë dinamik dhe plot organizime të ndryshme për fondacionin, është e bindur pianistja:

“Në vitin 2025 do të mbajmë një tjetër koncert nga seria “Dëgjo muzikë, shpëto një putër”, po planifikojmë koncerte dhe mbrëmje gala në Austri dhe Gjermani. Në një të ardhme më të largët planifikojmë të zgjerojmë aktivitetet e fondacionit në Spanjë dhe SHBA”.

I urojmë suksese fondacionit dhe do të vazhdojmë të ndjekim me interes aktivitetet e tij!

Foto: princesstheodora.net, arkiva personale e Nadezhda Canovës
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Jeta është një varg Ramazanesh – myslimanët në Bullgari festojnë Bajramin

Data 30 mars i vendos fundin kohës më të bekuar të vitit, siç e quajnë myslimanët muajin e Ramazanit . Gjatë këtij viti, ai filloi më 1 mars, ndërsa detyrimi më thelbësor i myslimanëve në këtë periudhë 30-ditore është agjërimi – përmbajtja nga..

botuar më 25-03-30 5.10.PD

Palombarët hapën sezonin e zhytjeve pranë qytetit Kiten

Palombarë nga shoqata e Burgasit "Miqtë e Detit" hapën sezonin e zhytjeve. Në një temperaturë uji prej shtatë gradësh, ata bënë shëtitjen e tyre tradicionale pranverore përgjatë brigjeve të Kitenit, ku ka pamje kurioze për zhytësit - mbetje të..

botuar më 25-03-29 6.15.PD

Lokomotivat e reja të Hekurudhave Shtetërore Bullgare do të mbajnë emrat e rilindësve bullgarë

Dhjetë lokomotivat e reja elektrike "Smartron", të cilat Hekurudhat Shtetërore Bullgare "BDZ - Transport pasagjerësh" duhet të marrin në bazë të kontratës me kompaninë "Siemens Tron", do të marrin emrat e figurave të shquara bullgare nga epoka e..

botuar më 25-03-28 6.20.PD