Fermerët në Europë vazhdojnë të përballen me vështirësi dhe sprova të mëdha, si në treg ashtu edhe për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme që ndikojnë në prodhim. Pas protestave masive bujqësore në të gjithë BE-në që nga fillimi i vitit, fermerët po vuajnë gjithnjë e më shumë nga përmbytjet, thatësira, zjarret, sëmundjet e kafshëve, importi nga Ukraina dhe kërkesat mjedisore.
Vetëm një javë më parë, Këshilli i Bujqësisë u mblodh në Bruksel, ku u dëgjuan thirrje të forta për rishikimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore, e cila, sipas pjesëmarrësve, nuk është krijuar për t'iu përgjigjur realiteteve dinamike dhe as për t'u përballur me krizat e njëpasnjëshme.
Rezerva për krizat bujqësore arrin në 450 milionë euro në vit, por po zvogëlohet me shpejtësi. Komisioneri aktual Evropian për Bujqësinë, Janusz Wojciechowski, u bëri thirrje anëtarëve të rinj të Parlamentit Evropian që të punojnë për të rritur fondin në kuadrin e ardhshëm financiar shumëvjeçar:
“Rezerva, e cila arrin në 450 milionë euro, është absolutisht e pamjaftueshme. Dhe kjo është kërkesa ime e parë, thelbësore për politikën e ardhshme të përbashkët bujqësore. Parlamenti Evropian duhet të vendosë që rezerva e krizës të jetë të paktën disa herë më e lartë. Ne duhet të kemi një shtyllë shumë të fortë të Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe të ndihmës së krizës, sepse asnjë sistem sigurimesh nuk do ta garantojë këtë. Rreziku tashmë është aq i lartë në aktivitetin bujqësor, saqë asnjë sistem, madje as një sistem sigurimi i mbështetur nga subvencione të ndryshme, nuk mund të garantojë sigurinë e fermerëve. Prandaj rritja e këtyre fondeve për aktivitete të ndryshme të krizës është shumë e rëndësishme”.
Thatësira ekstreme i ka vënë fermerët në pjesë të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe në vendin tonë, përballë një sërë sfidash. Ministrat e bujqësisë nga Grupi i Vishegradit, me pjesëmarrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë, u bashkuan rreth nevojës për të kërkuar fonde të tjera evropiane, jashtë atyre bujqësore, për financimin e bujqësisë, duke marrë në konsideratë ndryshimet klimatike dhe për të kërkuar zgjidhje të reja në lidhje me funksionimin e rezervës së krizës së Bashkimit Evropian për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sivjet mijëra ferma në vendin tonë u prekën nga temperaturat jashtëzakonisht të larta dhe nga periudha e gjatë e thatësirës, njoftoi ministri i bujqësisë, Georgi Tahov, të cilat çuan në uljen e rendimentit mesatar të këtij viti të misrit dhe lulediellit. Gjithashtu, vendi ynë ka përjetuar një sërë zjarresh të paprecedentë. Rimëkëmbja e fermave dhe zonave të djegura do të marrë kohë dhe burime të mëdha financiare, gjë që krijon një rrezik real që fermerët të heqin dorë nga kultivimi i tyre.
Bullgaria kërkoi aktivizimin e fondeve nga rezerva bujqësore e BE-së për shkak të dëmeve të shkaktuara nga thatësira dhe zjarret. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit i dërgoi një kërkesë me shkrim KE-së për aktivizimin e një mekanizmi mbrojtës.
Kjo ndihmë është pjesë e një pakete totale prej afro 120 milionë euro, e ndarë midis pesë vendeve anëtare të BE-së - Gjermania - me 46,5 milionë euro, Estonia - 3,3 milionë euro, Italia - 37,4 milionë euro, Rumania - 21,6 milionë euro dhe Bullgaria - 10,9 milionë euro.
Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Georgi Tahov theksoi:
“Bëmë një analizë shumë serioze të humbjes së likuiditetit të fermerëve tanë dhe morëm garancinë se në këtë mekanizëm do të dërgohen në vendin tonë mbi 11 milionë euro. Kjo në vetvete ka të bëjë me 200 për qind financim kombëtar dhe këtu flasim për më shumë se 60 milionë leva”.
Fondet do të bëjnë të mundur kompensimin e fermerëve që kanë humbur prodhimin. Është planifikuar që ndihma të jepet deri më 30 prill 2025 dhe deri në fund të këtij viti vendet, përfshirë dhe Bullgarinë, duhet të informojnë KE-në për kushtet në të cilat do të jepet ndihma.
Informacioni për fondet e akorduara nuk i qetëson fermerët në vendin tonë. Canka Naceva, kryetare e Shoqatës së Prodhuesve të Drithërave në Lloveç, një nga rajonet më të prekura nga thatësira, me plantacione misri, parashikoi falimentime midis fermerëve për shkak të rendimenteve shumë të ulëta të këtij viti:
“Këtë vit janë 40% më të ulëta se vitin e kaluar. Situata është shumë e vështirë, për të mos thënë katastrofike, sepse përveç thatësirës, krizës i shtohen edhe çmimet e ulëta të blerjes së prodhimit - 35 cent për 1 kg, 350 leva për 1 ton. Pres që të ketë kolegë të falimentuar. Po kërkohen opsione për një fushatë të re mbjelljeje - për plehra, për fara. Po diskutojmë organizimin e një takimi me Shoqatën e Bankave për të kërkuar ndihmë për kredi bujqësore më preferenciale. Vendi ynë është mjaft i varfër dhe nuk mund të sigurojë asnjë kompensim apo pagesë shtesë nga buxheti kombëtar, pasi nuk ka të tillë”.
Në një intervistë për BNR, Ilija Prodanov - Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Drithërave, shpjegoi se ende nuk ka të dhëna përmbledhëse për humbjet, por dëmi është drastik:
“Nuk i kam ende statistikat zyrtare se sa janë rendimentet mesatare, por ajo që kemi si informacion nga kolegët në të gjitha rajonet e vendit tonë është se për lulediellin rendimenti lëviz diku drejt 100 kg, kurse për misrin rreth 200 kg për një hektar, që është mbi 50-60% nën normale. Humbjet janë vërtet shumë të rënda. Vetë fakti që KE aktivizoi rezervën e krizës dhe ndau fonde, edhe pse minimale, të pamjaftueshme për Bullgarinë, tregon se situata është mjaft alarmante. Çështja është se në përgjithësi sasia totale e rezervës bujqësore nuk mjafton, gjë që tregon mungesën e mjeteve të Komisionit për të përballuar fatkeqësi të tilla, gjë që është një problem për Europën. Duhet gjetur një mekanizëm që të mundësojë reagime në një situatë të tillë, sepse këto mjete janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme që të ndihmohen prodhuesit e prekur. Sa për shumën prej 10.9 milionë euro për Bullgarinë, ato nuk mjaftojnë në sfondin e humbjeve, të cilat sigurisht do të arrijnë gati një miliard leva.”
Z. Prodanov, ju i cilësoni mjetet e ndara si të pamjaftueshme, por ekziston mundësia e bashkëfinancimit kombëtar 200% dhe ndihma mund të arrijë në 60 milionë leva.
“Pagesa shtesë është hipotezë, sepse për momentin nuk kemi pasur bisedime zyrtare me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë për të parë nëse këto mjete do të futen në buxhet. Shpresojmë se do të parashikohen, në fund të fundit kjo është një mundësi që i jepet shtetit të cilën ai e ka të drejtën ta përdorë, duke pasur parasysh situatën. Mendoj se në javët në vijim do të kemi takime formale me ministrinë dhe do të shohim se çfarë do të bëhet në këtë drejtim. Paratë nuk mjaftojnë, sepse humbjet janë shumë të mëdha. Edhe këtu, ne mbështetemi në faktin se nuk është e drejtë që vende si yni, që kanë një buxhet të kufizuar, të kenë bashkëfinancim kombëtar”.
Sa zona në vendin tonë janë të prekura nga thatësira dhe zjarret?
“Thatësira ka prekur të gjitha sipërfaqet e lulediellit dhe misrit në vend, që janë rreth 10 milionë hektarë, pothuajse 1/3 e të gjithë tokës së punueshme. Sa i përket grurit gjithashtu kemi pasur dëmtime nga thatësira, por ka qenë në më pak zona, ndërsa te misri dhe luledielli është në të gjithë vendin, me shumë pak përjashtime, por janë paksa të vogla. Sa për zjarret, problemet janë me kolegët blegtorë, ku ka kullota të djegura – kjo është një dëm i madh për ta, nëse nuk ka vend ku të kullosin kafshët”.
A keni qartësi në këtë fazë se cili do të jetë mekanizmi për pagimin e këtyre fondeve dhe si kryetar i Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Drithërave çfarë kërkesash do t'i drejtoni Ministrisë së Bujqësisë kur të fillojnë negociatat?
“Për momentin nuk ka asnjë qartësi. Bullgaria ka kohë deri në fund të vitit për të siguruar mekanizmin, kështu që mendoj se do të përfitojmë plotësisht nga koha që na është dhënë për të gjetur mënyrën më të përshtatshme të pagimit, jemi në pritje të bisedimeve. Për ne është e rëndësishme që këto fonde të shpërndahen sa më drejtë. Problemi i madh i çdo ministrie gjithmonë ka qenë mungesa e të dhënave statistikore të detajuara në Bullgari. Evropa duhet të mendojë për një mekanizëm për të punuar në situata të tilla. E shihni edhe raportin strategjik për bujqësinë e Presidentes së KE-së, i cili tregon se për periudhën e ardhshme programore nuk kemi garanci për kornizën financiare, d.m.th. ne nuk e dimë se çfarë fondesh do të ketë sektori i bujqësisë në kuadrin e ardhshëm financiar, politika po bëhet shumë e turbullt dhe vendet anëtare të BE-së nuk do të jenë të lumtur. Do të shohim se si do të zhvillohet KE-ja e re pas formimit të tij. Komisioneri i ri për Bujqësinë do të ketë 100 ditë kohë për të paraqitur vizionin e tij. Do të presim me padurim të shohim, por ajo që shohim në raport tregon qartë se gjërat nuk janë rozë. Së pari, nuk ka financa, së dyti, ambicia e tyre për tranzicionin e gjelbër nuk është zbehur në asnjë mënyrë, ne kemi shumë biseda përpara dhe është shumë e rëndësishme të jemi në simbiozë me shtetin, të punojmë në të njëjtën mënyrë, sepse përndryshe thjesht do të humbasim”.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) do të shënojë më 7 nëntor të këtij viti 65 vjetorin e themelimit të tij, njoftuan mediat publike. Këtë ditë, një nga drejtueset e njohura të lajmeve Radina Çervenova do të rikthehet në emisionin qendror “Nëpër botë dhe te..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..