Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria është pjesë e bienales botërore për krijimtarinë dhe zejtarinë "Homo Faber" në Venecia

8
Foto: “Homo Faber”/Rosina Pençeva

Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të.

Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një delikatesë në Tokën e Lindjes së Diellit, ndërsa revista Vogue vlerësoi bukurinë e Sofjes dhe e renditi atë në mesin e kryeqyteteve kulturore të Evropës, forumi më i madh për krijimtarinë dhe zejtarinë shfaqi sërish interes drejt identitetit bullgar.

Punimet origjinale të punuara me dorë, që ndërthurin në vetvete traditat tona kombëtare me elementë të përditshmërisë dhe historisë sonë mijëravjeçare, dolën jashtë kufijve të Bullgarisë për t'u bërë eksponate në bienalen "Homo Faber", e cila vazhdon deri më 30 shtator. Organizatori është fondacioni zviceran Michelangelo, ndërsa shtëpia e ekspozitës është ishulli i bukur San Giorgio Maggiore në Venecia. Rreth 70 vende prezantojnë vepra artizanale dhe bizhuteri në 10 salla të bashkuara nën moton "Rruga e Jetës".

“Fondacioni është më i interesuar ndaj autorëve që janë ambasadorë të identitit tonë bullgar, sesa ndaj autorëve të suksesshëm” – thekson Rosina Pençeva, përfaqësuese për Bullgarinë në “Homo Faber”, dhe shton se ky event është vërtet i rëndësishëm për ne, sepse na prezanton në skenën botërore.

Tre bullgarët që janë pjesë e bienales këtë vit janë Dimitër Stankov - një argjendar bullgar që krijon në Belgjikë dhe shpesh interpreton traditën bullgare në punën e tij, Ljudmill Jordanov - autori i maskave të kukerave, si dhe studentja për interior design Jana Cenov, e cila është ndër guidat e reja të ekspozitës e përzgjedhur me konkurs. Detyra e tyre është të njohin vizitorët me historinë magjepsëse të veprave dhe autorëve të tyre.
Dimitër Stankov
Dimitër Stankov është ndër të paktët njerëz me fat që fondacioni zgjedh të prezantojë për herë të dytë, për të ndjekur zhvillimin e punës së tyre. Në një bisedë me kolegun e tij Bozhidar Janev, ai flet për frymëzimin e krijimit të veprës për bienalen:

"Unë pata fatin që u përzgjodha përsëri. Puna që bëra për këtë edicion ishte bërë posaçërisht për temën e dhomës "Festat". Unë u frymëzova nga tradita japoneze e pijes sake dhe e gjithë historia që rrethon këtë ritual dhe komunikimin mes njerëzve duke e kombinuar atë me traditën bullgare. Ka një ndryshim të madh midis argjendarëve në Evropë dhe argjendarëve në Bullgari. Ato të Evropës Perëndimore janë më të specializuar. Disa janë vetëm montues gurësh, të tjerë janë vetëm lustrues, ndërsa argjendarët bullgarë janë shumë më të arsimuar dhe në shumicën e rasteve e bëjnë të gjithë punimin dhe janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetë, duke filluar nga punimi i dyllit, e deri te vendosja e gurëve. Fatmirësisht kam mundësinë të vazhdoj traditën bullgare dhe të jem më i njohur sa i përket anës teknike”.

Mund të shihni gotën për sake të Dimitër Stankov në sallën “Festat”, siç theksoi ai vetë, ndërsa në sallën “Ëndrrat” ndodhen dy maskat e kukerave të Ljudmill Jordanov. Cili është ndryshimi midis tyre dhe nga çfarë materialesh janë bërë, mësojmë nga vetë autori:
Ljudmill Jordanov
"Njëra prej maskave është në formën e një suveniri, ndërsa tjetra është maskë ritualesh dhe ka marrë pjesë në festën kombëtare "Surva" këtë vit, si dhe në një sërë festivalesh. I fundit prej tyre ishte në Korenë e Jugut (Festival kulturë dhe kërcim), ku së bashku me grupin tim e vizituam dhe prezantuam Bullgarinë. Ato janë bërë tërësisht nga materiale natyrale - dru, lëkurë dele, dhe që të duken të frikshme ne përdorim brirë nga kafshë që nuk janë të rrezikuara. Unë jam rritur në një familje zejtarësh, që nderon traditat bullgare. Për më shumë se gjysmë shekulli, familja ime ka marrë pjesë në festivalin "Surva", në prodhimin e maskave dhe në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit".
Bienalja “Homo Faber” në San Giorgio Maggiore, Venecia, do të mirëpresë vizitorët gjatë muajit shtator – muaji në të cilin tradita kulturore bullgare është pjesë e skenës botërore të zejtarisë.

Përpiloi: Desisllava Shapkarova (bazuar në intervistat e Bozhidar Janev, BNR-Radio Sofja)
Foto: Ekipi “Homo Faber”/Rosina Pençeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Takim në Ambasadën e Shqipërisë me studentët e Universitetit të Sofjes

Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..

botuar më 24-10-06 12.05.MD

Arti transformon vendet e preferuara në qendër të Plovdivit

Në ditët e para të vjeshtës, banorët dhe mysafirët e Plovdivit janë të ftuar të kujtojnë hapësira të veçanta, të dashura dhe interesante në qendër të qytetit. Ky rizbulim i veçantë dhe njohje e vendeve të përvetësuara nga emocionet dhe kujtimet personale..

botuar më 24-10-02 7.35.PD

"Triumfi" - kandidati bullgar për "Oscar" triumfoi në "Trëndafilin e Artë"

Filmi "Triumfi" i tandemit regjisorial Petër Vëllçanov dhe Kristina Grozeva fitoi çmimin e madh për film artistik në Festivalin e 42-të të Kinemasë Bullgare "Trëndafilin e Artë" në Varna. Filmi mori edhe çmimin për skenarin e shkruar nga dy..

botuar më 24-09-27 11.47.PD