Këtë javë pritet që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të prezantojë zyrtarisht propozimin e saj për strukturën dhe përbërjen e KE-së së re, në të cilën ajo kërkon të arrijë një ekuilibër gjinor në mandatin e saj të dytë në krye.
Sipas “Politico”, Ekaterina Zaharieva do të jetë eurokomisari i mundshëm bullgar dhe do të marrë resorin "Menaxhimi i Krizave dhe Ndihma Humanitare" në Komisionin e ardhshëm Evropian. Në fakt, ky nuk do të jetë një resor i ri, pasi Kristalina Georgieva ishte Komisionere Evropiane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ndihmë Humanitare dhe Reagim ndaj Krizave në periudhën 2010-2014.
Bullgaria ishte e vetmja nga vendet anëtare që përmbushi kërkesat e Brukselit për të paraqitur dy kandidatura – një grua dhe një burrë, përkatësisht dy ish-ministra - Ekaterina Zaharieva dhe Julijan Popov.
Ju ofrojmë komentet dhe analizat e eurodeputetit nga Partia Popullore Evropiane (EPP) Radan Kënev dhe të politologut dr. Ivan Naçev.
“Pres që parimi i kuotave për të ruajtur ekuilibrin mes burrave dhe grave në Komision të jetë prijës, por nuk them se po e mbështes këtë”, theksoi në një intervistë për rubrikën “Euranet Plus” eurodeputeti bullgar nga Partia Popullore Evropiane Radan Kënev.
"Ka shumë komponentë që ndikojnë në formimin e Komisionit dhe në mënyrë që Bullgaria të ketë një resor me ndikim duhet të jenë zhvilluar negociata të qëndrueshme që janë të lidhura me atë që Bullgaria mund të bëjë në një drejtim ose në një tjetër” – shtoi eksperti i integrimeve politike në BE, dr. Ivan Naçev.
A ka mundësi që Sofja të shpërblehet me një resor solid, pasi vetëm ajo plotësoi kushtet e Ursula Von der Leyen, duke nominuar dy persona?
“Nuk besoj se kjo mund të ketë ndonjë ndikim, por nga gjithçka që dëgjohet, ka mundësi që Bullgaria të ketë një resor serioz në KE-në e ardhshme. Tani për tani flitet kryesisht rreth "Kohezioni" dhe "Zhvillimi rajonal", vuri në dukje Kënev.
Nga ana e vet Naçev shpjegoi se "këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dëshirën e Ursula von der Leyen, por për një ekuilibër midis familjeve politike që mbështesin ose do të mbështesin këtë koalicion të ardhshëm".
"Së dyti është me rëndësi se sa peshon vetë vendi në politikën përkatëse, d.m.th nëse një shtet është shembull për shtetet e tjera evropiane dhe nëse mund të menaxhojë një sektor të madh politik. Në vend të tretë vjen edhe vetë portofolio i kandidatit. Vendimet janë politike – nuk është vetëm përbërja e Komisionit”, shtoi politologu.
"Procesi po vazhdon, për momentin kemi një numër dyshifror të grave, por nuk i kam parë të gjithë kandidatët e mundshëm," tha në fillim të muajit presidentja e KE Ursula von der Leyen dhe theksoi se gjatë gjithë jetës së saj politike ajo ka luftuar që gratë të kenë akses në lidership, në pozita kyçe vendimmarrëse.
Flitet edhe për presion nga ana e saj për të emëruara gra si komisionere evropiane.
“Nuk mund të komentoj më shumë nga ajo që po shohim në media. Flitet se Ursula von der Leyen nuk ka instrumentet e domosdoshme për të ushtruar presion, por ajo e ka përdorur ndikimin e saj, duke këmbëngulur që disa shtete të propozojnë për komisionerë evropian gra”, tha Radan Kanev për BNR.
Cila është lëvizja e duhur në këtë situatë - të zëvendësohet kandidatura mashkullore me atë femërore, apo është më mirë të mbahet zotëria në momentet kur të tjerët bëjnë ndryshime?
“Në çdo rast, duhet të jemi më konsensual, Bullgaria ka një përvojë të keqe në histori, kur u dha një shenjë nga Parlamenti Evropian dhe nga vetë Komisioni Evropian se kandidati që kishte propozuar nuk ishte i përshtatshëm. Atëherë formimi i vetë Komisionit me Rumjana Zhelevën ishte nën kërcënim dhe në fund Bullgaria mori një resor shumë të kufizuar... Është shumë e rëndësishme të marrim pjesë si shtet anëtar nga vetë fillimi i negociatave. Për fat të keq, aktualisht ne nuk e dimë që kur kanë nisur negociatat dhe si po zhvillohen”.
Pse sipas jush komisionerja evropiane Iliana Ivanova nuk u mbështes për një mandat të dytë?
“Deri më tani asnjë eurokomisionar bullgar nuk ka marrë mandat të dytë, me përjashtim të Kristalina Georgievës, por ajo nuk e mbaroi. Për këtë duhet të ketë një marrëveshje të madhe politike brenda vetë vendit dhe duhet të ketë një shenjë shumë të qartë nga KE, në këtë rast nga kryetarja, se ajo dëshiron që ky person të emërohet. Në rastin tonë nuk kishim asnjërën nga këto dy gjëra”, tha politologu.
Është e qartë se Komisioni i ri Evropian do të ketë resorë të rinj “Mbrojtje”, “Mesdheu” dhe “Politika e Strehimit”.
Cilat janë parashikimet tuaja dhe a mund të shtjelloni se çfarë po bëjnë këto dy të fundit pasi vetëm për të parin flitet prej muajsh dhe të tjerët mbeten në hije?
“Ata mbeten në hije, sepse ne nuk kemi qartësi”, tha eurodeputeti i PPE.
"Resori “Politika e Strehimit”, i cili me shumë gjasa do të kombinohet me resorin e zhvillimit rajonal, ishte një kërkesë aktive nga ana e Grupit Socialist në Parlamentin Evropian, e cila u plotësua nga Ursula von der Leyen në negociatat për të mbështetur kandidaturën e saj. Por çfarë do të përfshihet në kompetencat e këtij resori, për mua kjo është absolutisht e paqartë. Ka të ngjarë që ky resor t’u ofrohet komisionerëve evropianë, që janë lidhur me partitë socialiste dhe socialdemokrate”, shpjegoi Radan Kënev.
“Sa i përket resorit “Mesdheu” – aty mund të presim një theks të caktuar në politikën e migracionit, në marrëveshjet me vende të ndryshme të Pellgut të Mesdheut, për masat e përbashkëta kundër migracionit të paligjshëm. Kjo është e logjikshme për një resor të tillë, por përsëri nuk kemi informacion të mjaftueshëm. Gjërat janë pak më të qarta, por jo shumë më të qarta në fushën e mbrojtjes”, theksoi eurodeputeti, duke sqaruar se detajet do të bëhen të qarta nga letrat që i përcaktojnë resorët që Ursula von der Leyen duhet t'u dërgojë komisionerëve evropianë.
"Një nga prioritetet e Komisionit të ri Evropian do të jetë barazia gjinore. Kryetarja e tij është shumë e prirur që të ketë një numër pothuajse të barabartë të burrave dhe grave brenda Komisionit Evropian. Kjo mund të bëhet, apo jo, por me rëndësi më të madhe është të balancojmë interesat e shteteve anëtare” – theksoi gjithashtu ai.
A do të arrijë Presidentja e KE-së një ekuilibër në të gjitha nivelet?
“Po, me siguri, sepse kemi një ekuilibër shtete të mëdha - shtete të vogla, kemi një ekuilibër Lindje-Perëndim, kemi një ekuilibër Veri-Jug. Ajo tregoi akoma në komisionin e mëparshëm, se është në gjendje ta arrijë këtë ekuilibër, kështu që mendoj se do ta arrijë këtë edhe në këtë komision”, tha politologu dr. Ivan Naçev.
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: Rojters, EPA/BGNES, Zyra e Shtypit e GERB, BTA
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..
Banorët e qytetit Pleven të Bullgarisë Veriore do të përcjellin vitin 2024 me një Qytezë Krishtlindjesh dhe takime me Plakun e Krishtlindjeve. Programi..
Modernizimi i aftësive të të menduarit kritik, verifikimi i fakteve dhe shkrim-leximi mediatik janë thelbësore për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë..