Byreku (banica) dhe Sallata jonë“Shopska” kanë qenë më shumë se një herë në pozitat kryesore të renditjeve gastronomike botërore. Por kuzhina kombëtare bullgare nuk përbëhet vetëm nga këto dy gjellë, qebapët, patatet e skuqura me djathë dhe e ashtuquajtura “Shkembe Çorba”. Është e dukshme se gjithnjë e më shumë gatime dhe verëra vendase po përfshihen në menynë e restoranteve tona, por ka ende shumë për të dëshiruar në këtë drejtim. Përveç kësaj, shpeshherë profesionistët diskutojnë se cilat pjata mund t'i quajmë bullgare. Arsyeja është se një pjesë e madhe e këtyre ushqimeve janë karakteristike edhe për fqinjët tanë ballkanikë. Përveç kësaj, në disa vende ka një tendencë drejt një “leximi” më modern të kuzhinës sonë kombëtare në përgjigje të ndryshimeve në shijet e klientëve dhe përhapjes së të ashtuquajturës kulturë “gourmet”.
E megjithatë, baza e gjithçkaje janë produktet tradicionale bullgare dhe recetat e gjysheve dhe stërgjysheve tona. Si ruhet kjo pasuri e madhe dhe a mund të vendoset vendi ynë si një destinacion gastronomik global?
Potenciali ynë në këtë drejtim është i madh dhe i padiskutueshëm. Harta interaktive e kuzhinës e territorit të gjuhës bullgare, e përgatitur nga një ekip i Akademisë Bullgare të Shkencave, jep një ide të përgjithshme të diversitetit të trashëgimisë sonë gastronomike.
Megjithatë, cilat gatime lokale mund të bëhen pjesë e kartëvizitës turistike të Bullgarisë?
Para së gjithash, ky është byreku, është kategorike Margarita Koteva - kryeasistente në Institutin e Gjuhës Bullgare dhe pjesë e ekipit që e përgatiti hartën. "Ai përgatitet pothuajse në çdo rajon me të gjitha llojet e mbushjeve. Duke filluar nga byreku me presh, i cili përgatitet nga minoriteti bullgar në Korçë /Shqipëri/ e deri te rajoni i Mallko Tërnovos, e gjithashtu në Dobruxhën Veriore - kudo gjejmë varietete të jashtëzakonshme të byrekut” – thotë Margarita Koteva dhe po vazhdon:
"Nga produktet e qumështit mund të veçojmë kosin tonë të famshëm , gjalpin tonë të bërë në shtëpi, djathin tonë të freskët. Për shembull, mocarela mund të zëvendësohet me djathë të freskët bullgar. Mund të theksojmë edhe gatimet e përgatitura me bullgur, i cili është jashtëzakonisht i shëndetshëm. Ne kemi mish qengji me bullgur, kemi kumbulla me bullgur dhe gatime të ndryshme të ëmbla. Për shembull, një hallvë, e cila përgatitet me të ashtuquajturin pekmez - një pjatë jashtëzakonisht e ëmbël. Ose antipasta me speca të thatë, që bëhet në Bullgarinë Veriperëndimore.
Në kartëvizite mund të përfshihet edhe supa e peshkut, si dhe sallamurika /zakonisht gatuhet me hudhër të grirë, piper djegës, të ashtuquajturën erëz devesil (Levisticum officinale), kripë, domate të grira dhe uthull, që t’i jepet shije supës së peshkut/ që përgatitet në Tutrakan. Nuk duhet harrohen edhe llojet e ndryshme të së ashtuquajturës “pllakia” (gjellë zakonisht me peshk të pjekur me vaj, qepë, domate, karota etj.) - me krap, qefull, të cilat gatuhen në bregdetin tonë pranë Detit të Zi ..."
Nën ndikimin e shfaqjeve të njohura televizive të gatimit, njerëzit janë në kërkim të emocioneve të reja në kulinari. Interesi për kuzhinën fusion po rritet gjithashtu. Shumë nga kuzhinierët tanë profesionistë kanë filluar të modernizojnë recetat tradicionale bullgare sipas tendencave të reja në këtë sektor.
"Varet nga vetë kuzhinierët, të cilët i përfshijnë këto ushqime në menytë e hoteleve dhe restoranteve. Çështja është se duhet vlerësuar se në çfarë mase duhet ta bëjnë këtë, sepse kuzhina bullgare është e ndikuar nga ajo evropiane. Edhe këtu kemi receta që kanë ndryshuar me kalimin e viteve dhe ato nuk janë më aq autentike. Duhet të vazhdojmë të këmbëngulim që gjellët kombëtare bullgare të konsumohet në restorantet tona, madje duhet të ketë një seksion të veçantë në meny për gatime specifike tradicionale bullgare” – tha në përfundim Margarita Koteva.
Lexoni më shumë:
Foto: BTA, BGNES, YouTube
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Duke filluar nga kjo verë, vizitorët në Vraca mund të eksplorojnë qytetin malor përmes turneve plotësisht falas me guidë sipas modelit të turneve të ngjashëm që ofrohen në qytetet kryesore evropiane . Ideja është që vizitori i cili është ne..
Në Bullgari ka më shumë se 5 mijë shpella, secila më misterioze dhe e paarritshme, secila me historinë, bukurinë dhe misteret magjepsëse. Disa nga këto thesare të vërteta nëntokësore janë të rregulluara dhe mirëpresin turistët. Ju sjellim..
Ofertat e pronave për pushime në Bullgari janë rritur me 30-40% në tre vitet e fundit. Aktualisht numri i tyre i kalon 20 mijë. Gjithnjë e më shumë klientë preferojnë të marrin me qira një apartament apo edhe një shtëpi të tërë gjatë pushimeve të..