Vallë, a është qeveria në detyrë në të vërtetë një qeveri teknike? Kjo është pyetja që bullgarët ia bëjnë vetes pasi Dimitër Gllavçev, i propozuar për ushtrues detyre kryeministër, prezantoi përbërjen personale të kabinetit, në të cilin ka një përkulje të dukshme ndaj partive nga "kombinimi" që e qeveriste vendin tonë deri vonë - GERB-SDS dhe “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB). Kabineti u betua më 9 prill dhe vetëm një javë më vonë, kryeministri në detyrë i kërkoi presidentit të nxjerrë dekrete për të zëvendësuar dy prej ministrave - të punëve të jashtme dhe të bujqësisë. Ishte pozicioni i ministrit të jashtëm ai që ishte në themel të një prej mosmarrëveshjeve që "ngeci" zbatimin e rotacionit të parë të menaxhimit të Bullgarisë në kabinetin "Denkov-Gabriel".
Dimitër Gllavçev propozoi që në vend të diplomatit Stefan Dimitrov, Ministrinë e Punëve të Jashtme ta marrë nënkryetari i GERB-it dhe ish-diplomat i parë Daniell Mitov. Kjo forcoi mosbesimin se kabineti teknik do të jetë në gjendje të përballojë detyrën e tij kryesore – organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe transparente të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 qershor, së bashku me ato për Parlamentin Evropian. Rregulli i rëndësishëm - që ministrat në qeverinë teknike të jenë njësojë të largët nga të gjitha forcat politike - duket se u shkel dhe presidenti Rumen Radev vonoi nxjerrjen e dekreteve për zëvendësimin e ministrave për t'i dhënë kryeministrit kohë për të korrigjuar propozimet e tij. Ndërkohë, Daniell Mitov tërhoqi pëlqimin për të qenë ushtrues detyre i ministrit të jashtëm, duke thënë në parlament - "Unë nuk duhet të bëhem mollë sherri që përçan shoqërinë dhe pengon institucionet të punojnë".
Partitë parlamentare kërkuan votë mosbesimi për kabinetin teknik, ndërsa kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev i sugjeroi presidentit që ai vetë të kombinojë postin e kryeministrit dhe atë të ministrit të jashtëm. Kreu i shtetit e cilësoi idenë si avangarde dhe tha se me sa duket Gllavçev “ende nuk e ka kuptuar çfarë detyre ka marrë saktësisht si kryeministër”.
Vëzhguesit e tablosë politike në vendin tonë e komentojnë situatën kështu:
“Kabineti teknik, si sipas rregullave të mëparshme të formimit, ashtu edhe sipas rregullave të reja të miratuara, ka për detyrë organizimin e zgjedhjeve, por ai, si çdo organ tjetër i pushtetit, është organ politik - kujton politologia Doc. Allbena Taneva. - Problemi nuk është i ri, në shumë qeveri teknike kemi parë figura të shquara partiake nga i gjithë spektri politik. Është mirë të theksohet se veprimet e nxituara në menaxhim, si në çdo aktivitet njerëzor, zakonisht fshehin një sërë rreziqesh dhe surprizash për të gjithë pjesëmarrësit.”
Posti i ministrit të jashtëm është padyshim patatja e nxehtë në kabinet - edhe kur u prezantua projekti i përbërjes, kandidatët u zëvendësuan dhe pak ditë pas betimit – u kërkua riorganizim. Kjo është një shqetësim i veçantë për disa analistë. Nuk ka arsye të qarta për ndërrimin e ushtruesit të detyrës së ministrit të punëve të jashtme, thotë gazetari Petër Karaboev.
“Vendimi se kush do të jetë ministër i jashtëm nuk e prek aq shumë vetë Ministrinë. Supozohet se këto janë struktura dhe një administratë që duhet të funksionojë edhe në pritje të zgjedhjes së ministrit. Sensacionale në këtë rast ishte, se nuk kaluan as 9 ditë nga prezantimi i projekt-kabinetit dhe ky ishte zëvendësimi i dytë i ministrit të jashtëm. Është absurde të jesh në detyrë për një javë dhe të kërkojnë të të zëvendësojnë. Nuk dëgjuam ndonjë arsye të qartë pse.”
"Presidenti praktikisht po përballet me zgjedhjen e pakëndshme për të mos firmosur dekretin për zëvendësimin e këtyre ministrave dhe ata të mbeten. Kjo do të rrisë edhe më shumë tensionin në shoqëri dhe në klasën politike" - komentoi analisti politik Sllavi Vasilev. Sipas fjalëve të tij, situata politike në vend "bie ndesh me arsyen e shëndoshë":
“E shihni se si për momentin, pasi me vetëdije ia hoqën rolin presidentit në formimin e qeverive në detyrë, të cilat për shkak të rrethanave në tre vitet e fundit u bënë alternativë politike e pushtetit në Kuvendin Popullor, Peevski, Borisov dhe Petkov vendosën t'i heqin mundësinë personalisht Rumen Radevit për të krijuar një alternativë politike.”
Përgjegjës për kabinetin zyrtar janë ata që vendosën rregullat për zgjedhjen e tij – parlamenti - është kategorik Prof. Aleksandër Marinov. Sa i përket vonesës së dekreteve për zëvendësimin e ministrave të jashtëm dhe të bujqësisë, ai komentoi se situata është shkaktuar nga një provokim i qëllimshëm se deri ku dhe çfarë mund të shkojë:
“Jemi në një territor absolutisht të paqartë. Do të vijë koha që Gjykata Kushtetuese të vendosë, prandaj për momentin nuk mund të themi me siguri se cili është kuadri ligjor. Megjithatë, ne mund të reflektojmë në kornizën politikë - është i bindur Aleksandër Marinov. - Shumë e pyetën veten se përse ky aktivitet i duhej udhëheqësit të forcës më të madhe politike në parlament Bojko Borisov, i cili i rekomandoi kryeministrit në detyrë se kë të largonte dhe kë të emëronte. E vërteta është se ky ishte një provë dhe një provokim në të njëjtën kohë për presidentin - a do të përkulet. Siç e dimë, presidenti Radev nuk është nga ata që përkulen dhe ai shprehimisht e kundërshtoi këtë qasje, përfshirë edhe nga pikëpamja e personalitetit. Mitov u tërhoq. Pra kjo mbaroi. Ishte e qartë se ishte një opsion jashtëzakonisht i pafat që ministër teknik i punëve të jashtme të emërohej zëvendëskryetari i një prej fuqive kryesore politike. Nga ky këndvështrim, presidenti kundërshtoi me të drejtë.”
Përpilues: Ioan Kolev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, BTА, Ani Petrova, BNR
Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..
Abdullah Öcalan propozoi bisedime paqeje me PKK nga burgu Lideri i Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Öcalan, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm, u vizitua nga një i afërm i tij për herë të parë..