Më 8 prill, fillon Panairi i 61-të Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë në Bolonja. Eventi më i madh ndërkombëtar i letërsisë për fëmijë këtë vit do të zgjasë deri më 11 prill dhe Bullgaria prezantohet për herë të parë me një stendë të veçantë tematike prej 64 m2 dhe me ekspozitën "Gëzim, trishtim dhe shpresë. 25 ilustruesit bullgarë të librave për fëmijë". Kuratorët e ekspozitës janë artistët e njohur Anton Stajkov dhe Svoboda Cekova, të cilët posaçërisht për forumin kanë përzgjedhur vepra të viteve të fundit të krijuara nga 25 ilustrues modernë bullgarë të librave për fëmijë të gjeneratave të ndryshme, me përvoja jetësore dhe profesionale të ndryshme.
"Kemi vite që punojmë mbi temën tonë "Gëzim, Trishtim dhe Shpresë", e cila shqyrton ilustrimet për fëmijë dhe artistët bullgarë për fëmijë në një këndvështrim tjetër. Piktura për fëmijët nuk është vetëm argëtim, nuk është vetëm buzëqeshje. Ajo ndikon mbi probleme përmes të cilave fëmijët mund të përfshihen në tema të ndryshme, mund t'i çojë në katarsis, t'i trishtojë ose t’i fusë në mendime. Është shumë e rëndësishme që ilustruesi të përcjellë të gjithë gamën e ndjenjave që duhet të përjetojnë fëmijët", thotë Anton Stajkov për Radio Bullgarinë.
Koncepti i stendës është përdorimi i imazheve të njohura për publikun brenda dhe jashtë vendit, të cilat kthehen në një dekor të vërtetë, si një teatër prej letre për fëmijë. Në qendër të stendës është ariu i njohur i ilustruesit Kirill Zllatkov nga libri "Kur dua të hesht" të Zornica Hristovës.
"Kjo ekspozitë përbëhet nga 25 fragmente librash të kapura në foto nga afër dhe çdo ilustrim ka një QR kod që zhbllokon përmbajtje shtesë në një faqe onlajn të krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Pikërisht këtu qëndron e gjithë puna- të largohesh duke lënë një gjurmë në gjuhën bullgare dhe angleze pas panairit. Faqja onlajn do të ketë në dispozicion të gjithë bazën e të dhënave me përzgjedhjen e librave, me përmbajtjen e ekspozitës, me tekstet tona kuratoriale, me galeri vizatimesh përgatitore nga autorët, me pamje nga afër të librave. Ideja është që të kemi një prani më të qëndrueshme që të mund të përmirësohet nga kuratorë të tjerë. Shpresojmë që kjo të kthehet në një prioritet shtetëror."
Është përgatitur edhe një katalog dygjuhësh, i cili do të mund të shkarkohet edhe online për të arritur një audiencë sa më të gjerë, thotë Svoboda Cekova.
Me shumë krenari, Radio Bullgaria thekson praninë e Alja Markovës nga redaksia spanjolle e radios sonë, e cila është përfshirë me ilustrime nga libri i saj i kuzhinës.
“Alja Markova është një artiste shumë interesante sepse ka një histori të shkëlqyer nga jeta e saj në Spanjë, ku ka punuar për një nga botuesit më të mëdhenj të teksteve shkollore. Për të punuar në këtë biznes, duhet të kesh aftësi të jashtëzakonshme jo vetëm në vizatim, por edhe të mund të vizualizosh gjërat që vijnë nga klientët pedagogë me një ritëm relativisht të shpejtë. Shumica e kolegëve tanë e dinë që pedagogët janë klientë shumë kërkues dhe këmbëngulës dhe Alja Markova ka kaluar përmes kësaj shkolle. Neve na pëlqen shumë libri i saj." - shprehet Svoboda Cekova
Ekspozita "Gëzim, trishtim dhe shpresë. 25 ilustrues bullgarë të librave për fëmijë" do të prezantohet edhe në Bullgari. Ndalesa e saj e parë në atdhe është në Panairin Pranveror të Librit përpara Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje(NDK). Ajo do të hapë festimet e muajit maj të qytetit të Dupnicës, në shtator ajo do të jetë mysafire në Muzeun e Fotografisë në Kazanllëk dhe më pas në Burgas në bibliotekën e rinovuar të qytetit, ku do të mbahet një master class nga Emill Mitev, kushtuar teknikave të ndryshme në ilustrimit të librave për fëmijë.
* Ekspozita realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Fondit Kombëtar "Kultura" dhe Programit Bashkiak "Kultura" dhe me asistencën e konsullatës së vendit tonë në Bolonjë.
Lexoni më tepër:Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..
Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..
Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..