Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kalorësi djallëzor Shën Theodhori

Foto: arkiva

"Në një rajon të gjerë në Bullgarinë Veriore, kalorësi Shën Theodhor perceptohet si një personazh djallëzor. Përkufizimet popullore për të janë si më poshtë: një shenjtor vampir, përbindësh ose goblin... Ai vizitonte festat e beqarëve, të cilat ishin të ndaluara gjatë asaj kohe, merrte pamjen e një beqari të ri, por që dallohej nga shenjat e tij (mungesa e një vrime hunde, dhëmbët e artë ose sytë e zjarrtë, asimetria në fizik –i çalë, gungaç, me një sy) - shkruan prof. Raçko Popov në studimin e tij “Shenjtorët dhe demonët e Ballkanit”.

Kulti popullor i Shën Theodhorit në Ballkan në fakt bashkon kultet e dy shenjtorëve të krishterë që kanë jetuar në shekullin e IV - Shën Theodhor Stratillat dhe Shën Theodhor Tiron. Imazhi folklorik i Shën Theodhorit e paraqet atë si një kalorës të frikshëm dhe me një kohë të rrezikshme, të "përshkueshme", nga njëra anë me kalime midis stinëve, nga ana tjetër - midis jetës dhe vdekjes.
"Java e Theodhorit në përgjithësi konsiderohet si "hatalija", e keqe, e rrezikshme. E quajnë të shurdhër, të zezë, të zbrazët, të papastër", shpjegon etnologu Prof. As. Petja Bankova nga Akademia Bullgare e Shkencave (BAN). Në të kaluarën, kjo periudhë - nga Sirni zagovezni deri në ditën e Shën Theodhorit - ishte e lidhur me një sërë ndalimesh. Për shembull, gratë nuk duhet të lanin rrobat, sepse nëse Shën Theodhori kalonte me kalin e tij të bardhë, një erë e keqe do t'i përshkonte rrobat. Sipas besimit, nëse një person vesh një rrobë të tillë, ai sëmuret dhe vdes.
Prof. As. Petja Bankova
"Tabuja seksuale respektohet jashtëzakonisht rreptësisht, sepse besohej se një fëmijë i ngjizur ose i lindur gjatë javës së Theodhorit do të kishte cilësi të mbinatyrshme. Ai mund të shndërrohej në vampir, njeri-ujk ose përbindësh (karakonxhull) gjatë jetës së tij si dhe pas vdekjes."

Në Bullgarinë Veriore, imazhi i vetë shenjtorit interpretohet si një kalorës i frikshëm nate, i cili del nga varrezat dhe bredh në fshat me nënën ose gruan e tij, të quajtur Baba Todoriçka.

“Diçka që është e njohur dhe jo shumë e hulumtuar është nocioni i kuajve apo kalorësit demonikë të Theodhorit - vazhdon rrëfimin e saj Prof. As. Bankova. – Merë ra fjala, kjo ide është karakteristike edhe për mitologjinë e serbëve, rumunëve dhe vllehëve.

Nga pikëpamja mitologjike, funksioni i kalit si ndërmjetës midis botës së të gjallëve dhe botës së përtejme të të vdekurve dhe paraardhësve është i njohur dhe vërtetuar prej kohësh. Kali është kafsha që mund të parathotë vdekjen për shembull. Kuajt kanë qenë të njohur për faktin se kalëroheshin nga keqbërësit, si murtaja dhe kolera. Dihet gjithashtu ideja që në formën e një gjysmë njeri-gjysmë kal, të ngjashme me centaurët e lashtë, gjatë netëve të pista nga Krishtlindjet deri në Epifaninë, bredhin përbindëshat e rrezikshëm. Në përgjithësi supozohet se këta janë shpirtrat e rimishëruar të njerëzve që kanë vdekur gjatë ditëve të pista dhe javës së Theodhorit."

Në veri të Stara Pllanina, bullgarët besonin se Shën Theodhori djallëzor dhe "vampirik" bridhte natën me kalin e tij të bardhë dhe i ndëshkonte fermerët që nuk respektonin ndalimin e punës, duke i shënjuar trupat e tyre me mavijosje dhe plagë në formë patkoi. Kuajt e natës dhe kalorësit sjellin sëmundje dhe vdekje për njerëzit që nuk respektojnë ndalesat tradicionale të javës së Theodhorit, ata u bëjnë të keqe udhëtarëve që udhëtojnë gjatë natës. Më e rrezikshmja, dhe jo vetëm gjatë kësaj periudhe, është nata e thellë, para se të këndojnë gjelat e parë, kur demonët janë më të fortë dhe mund të hyjnë në hapësirën njerëzore, dhe vendbanimet e forcave të botës tjetër janë udhëkryqet, vendet ku ndodhin vorbullat, grumbujt e mbeturinave, vende ku rrjedh uji.

Sipas një besimi tjetër që lidhet me periudhën e tranzicionit rreth ditës së Theodhorit, shenjtori ngul kokën e tij në tokë dhe kështu i jep ngrohtësi dhe pjellori.

"Këto nocione rreth tij mund të shpjegojnë pse pikërisht për festën e tij bëhen një numër i madh parashikimesh për të ardhmet e vajzave rreth martesës - vëren Prof. As. Bankova. - Sepse në ditë të ndryshme të javës së Theodhorit, vajzat vinin nën jastëk kokrra tërshëre ose misri, duke besuar se do të martoheshin me djalin që do të shihnin në ëndrrat e tyre. Për të njëjtin qëllim, ato mbillnin disa hudhra, të cilat i emërtonin sipas beqarëve të ndryshëm. Kërcelli që rritet më shpejt tregonte se me kë do të martohej vajza”.

I shumëanshëm dhe plot ngjyra, imazhi i Shën Theodhorit herë është një mbrojtës, herë një demon i frikshëm, i yni, i afërt dhe bullgar, sipas fjalëve të Prof. As Petja Bankova, dhe plot huazime dhe referenca për hapësirën ballkanike dhe evropiane. Theodhori është gjithashtu ndër shenjtorët e rangut të lartë hierarkik që ka jo vetëm një, por 2-3 ditë kremitme gjatë vitit, pasi përveç të ashtuquajturit Todorovden (Dita e Shën Theodhorit) dimëror, atij i kushtohet edhe një festë patronale verore. Këta shenjtorë, si rregull, gëzojnë nderim të veçantë.

Foto: arkiva, arkiva personale, pixabay


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë

Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë edhe në muajin gusht. Shfaqjet e para ishin në qershor, kur grupe folklorike nga Bullgaria prezantuan kostume, valle dhe këngë popullore bullgare para teatrit "Aleksandër Moisiu" në qytetin e..

botuar më 24-08-11 10.15.PD

Tingulli i gajdeve do të dëgjohet mbi livadhet e Ilindenit me rastin e tubimit në fshatin Gella

Me rastin e tubimit tradicional në fshatin Gella , nga sot, 2 gusht, deri në të dielën, 4 gusht, në livadhet e Ilindenit do të tingëllojë një program pesëmbëdhjetëorësh me muzikë autentike të Rodopeve. Pritet që eventi të tërheqë mijëra..

botuar më 24-08-02 8.05.PD

Festivali i qëndistarisë paraqet traditën e qëndisjes në fshatin Vardim

Vazhdon festivali treditor i qëndisjes për banorët dhe mysafirët e fshatit Vardim në rajonin e qytetit Svishtov. Ajo zhvillohet në sheshin pranë Vatrës së Kulturës "Trudoljubie 1907", njoftuan organizatorët. Festivali promovon një pjesë..

botuar më 24-07-27 7.35.PD