Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Carev Brod - historia e jashtëzakonshme e një fshati ndërkombëtar

Foto: Veneta Nikollova

Carev Brod ka kohë që ka famën e një fshati ndërkombëtar, dhe banorët e tij nuk e fshehin krenarinë e tyre se janë pasardhës të tatarëve, gjermanëve, turqve, bullgarëve banatë “emigracionit të bardhë” , shqiptarëve, çekëve etj. Në fshatin e rrethit të Shumenit praktikohen tri fe, prandaj edhe sot e kësaj dite atje qëndrojnë tre tempuj – një kishë ortodokse, një katolike dhe një xhami. “Ne jemi si një bashkësi e vogël popujsh” – bën shaka kryetari i bashkisë Stefan Zhivkov dhe shton se populli tashmë është “përzier”, por ende i ruan zakonet dhe kujtimin e të parëve.

Shkolla fshatare Shenjtorët Kirili dhe Metodi njihet si Shkolla e Ndryshme. Aty shkollohen 122 fëmijë nga 7 vendbanime

I vendosur midis kryeqyteteve të vjetra bullgare, Pliska dhe Presllavi i Madh, dikur Carev Brod (Bullgaria Verilindore) ndodhej pikërisht në rrugën përgjatë së cilës udhëtonin mbretërit, prej nga vjen emri i tij. Në mesin e shekullit të 19-të, pas Luftës së Krimesë, një grup i madh tatarësh të Krimesë që merreshin me mbarështimin e bagëtive u vendosën këtu, mësojmë nga kryetari i bashkisë. Pak më vonë, në Carev Brod mbërritën edhe gjermanët:

Në vitin 1900 Ferdinandi i Sakskoburggotës vendosi rreth 50 familje gjermane nga Austro-Hungaria dhe më saktë nga Banati, si dhe bullgarë banatë, u dhanë toka dhe ata mbërritën duke sjellë me vete teknologji moderne për atë kohë dhe filluan të merreshin me bujqësi moderne. Kishte edhe 2 familje shqiptare që prodhonin bozë. Pas Revolucionit të Tetorit këtu mbërriti edhe “emigracioni i bardhë” i shtyrë nga regjimi në BRSS – tregon Stefan Zhivkov për Radio Bullgarinë.

Kisha Ortodokse e Shën Dhimitrit është ndërtuar në vitin 1928

Lexoni më tepër:

Këtë vit, manastiri katolik Zemra e Shenjtë e Jezusit feston 110 vjetorin e tij

Një herë e një kohë, fjalimi tatar dhe gjerman mbizotëronte në Carev Brod. Përveç kësaj, në fshat kishte dy xhami – një turke dhe një tatare. Pranë tyre qëndronin dy kisha – një ortodokse dhe një katolike. Fëmijët frekuentonin shkollën ​​tatare dhe atë gjermane. Shkolla bullgare u shfaq më vonë, në vitin 1920. Në fillim të shekullit të 20-të, rreth kishës katolike u ndërtua një manastir benediktin. Edhe sot e kësaj dite, manastiri është aktiv. Për të kujdesen katër motra benediktine - nga Bullgaria, Koreja e Jugut, Gjermania dhe Tanzania. Në bullgarisht të pastër, motra Elizabeta nga Gjermania na tregoi:

Motra Elizabeta

"Në vitin 1914, katër motrat e para erdhën nga Gjermania, sepse aty ishte një koloni katolike gjermane dhe prifti kërkoi që motrat nga Gjermania të dërgoheshin këtu për të ngritur një shkollë për fëmijët dhe për t'u kujdesur për jetën shpirtërore. Por kur Lufta e Dytë Botërore filloi, shumica e gjermanëve u kthyen në Gjermani”.

Në vitin 2024, manastiri feston 110 vjetorin e tij. Të gjithë ata që vijnë në Carev Brod ndalojnë për të marrë vajin unik prej kalendule të murgeshave benediktine, të përgatitur sipas një recete shumë të vjetër. Motra Nadja tregon:

Motra Nadja

"Ka qenë një motër Burharda që ishte doktoresha e fshatit dhe i mjekonte banorët me barishte. Ajo bënte ilaçe të ndryshme. Ne e kemi mbajtur recetën e kremit prej kalendule dhe dhjame. Kalendulën e kultivojmë këtu, në kopsht. Është ushqyes dhe përdoret për probleme të ndryshme të lëkurës, përfshirë edhe djegiet pas terapisë me rrezatim."

Sot, Carev Brod është një fshat i gjallë me 1300 banorë të përhershëm. Këtu pothuajse nuk ka papunësi. Kohët e fundit, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, sepse atje kanë filluar të vendosen familje të reja me fëmijë, për shkak të mundësive të punës në distancë, qetësisë, ajrit të pastër dhe jetës së shëndetshme në fshat.

Xhamia e fshatit

"Këtu kurrë nuk ka pasur tensione në baza etnike apo fetare. Këtu nuk kemi dyqane të veçanta, si kafeneja turke apo bari bullgar. Dhe ne të gjithë së bashku i festojmë Pashkët dhe Krishtlindjet", përfundon kryetari i fshatit Stefan Zhivkov.

Foto: Veneta Nikollova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nxënës bullgarë janë të parët në një konkurs evropian të së drejtës ndërkombëtare

Ekipi i shkollës së mesme të dytë angleze në Sofje “Thomas Xhefersën” fitoi Konkursin e Gjashtë Evropian të Drejtësisë për nxënës, i cili u mbajt në Rumani, njoftoi Ministria e Arsimit. Në konkurs, nxënësit bëjnë një simulim të procesit gjyqësor mbi..

botuar më 24-12-03 12.41.MD

Dita e Antarktidës shënohet në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”

Qendra Kombëtare për Kërkime Polare dhe Instituti Bullgar i Antarktidës organizojnë një takim ndërkombëtar me rastin e Ditës së Antarktidës. Më 3 dhjetor shënohen 65 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Antarktidës. Veprimtaria, që do të mbahet në..

botuar më 24-12-03 6.30.PD

Gjimnazistë bullgarë në një betejë me dezinformimin

Modernizimi i aftësive të të menduarit kritik, verifikimi i fakteve dhe shkrim-leximi mediatik janë thelbësore për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë në Bullgari - vendi me një nga indekset më të ulëta të shkrim-leximit mediatik në BE , njofton..

botuar më 24-12-01 8.25.PD