Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vera nga Brestovica në kontekstin e tregtisë bullgare dhe botërore në sektor

Foto: brestovitsawinery.eu

Sipas të dhënave të fundit, kërkesa për verë po rritet me ritme të përshpejtuara në tregjet botërore. Si arsye përmendet preferenca e klientëve për pijet e qëndrueshme dhe ekologjike. Ndërsa në sektorin e verërave, vërehet gjithashtu një trend i ri – për integrimin e teknologjive moderne dhe përmirësimin e cilësisë, si dhe forcimin e tregtisë elektronike.

Megjithatë, Bullgaria - një vend lider në prodhimin dhe eksportin e verës në vitet 1980, po bëhet tashmë një importues, për shkak të kostos së lartë të prodhimit vendas në shishe, si dhe konsumit të ulët të verës në vendin tonë.

Në 20 vjet, prodhimi i verës bullgare është zvogëluar përgjysmë - në 80 milionë litra. Megjithatë, importet janë në rritje dhe, në aspektin monetar, shitjet tejkalojnë të ardhurat nga eksporti i verës bullgare jashtë vendit.

Në sfondin e të dhënave për sasinë gjithnjë në tkurrje të prodhimit të verës, numri i prodhuesve të vegjël të verës në vendin tonë po rritet dhe tashmë i kalon 350. Dyqane të reja të vogla po shfaqen gjatë gjithë kohës, duke ofruar verë cilësore me dëshirën për të arritur një pozicion drejtues në klasifikimet e Ballkanit. Kështu, ato krijojnë një parakusht të mirë për zhvillimin e turizmit të verërave në Bullgari.

Për verën në trojet tona mund të flitet shumë, dhe rrugët e verës nëpër Ultësirën Trake (Trakijskata Nizina) na çojnë në fshatin Brestovica, i cili me krenari mbart çmimin "Kryeqyteti i verës së Bullgarisë". Shumica e varieteteve të rrushit të kuq që rriten në Bullgari janë të përqendruara në Ultësirën Trake - mes tyre është Mavrudi i famshëm, por edhe Rubini dhe Pamidi që janë më të rrallë.

Brestovica ka një popullsi prej rreth 4,000 njerëz dhe është një nga fshatrat më të mëdhenj në rajonin e Plovdivit, i vendosur vetëm 17 km larg qytetit. Aty ndodhet edhe një nga kooperativat më të vjetra të verës në Bullgari, e themeluar në vitin 1908. Në vitet 1930, të shekullit të kaluar kooperativistët nga Brestovica ndërtuan bodrumin e tyre, të projektuar nga inxhinierë francezë. Është ruajtur deri më sot dhe është një bodrum klasik francez.

Ka pasur shumë peripeci në historinë e bodrumit të Brestovicës. Për herë të parë u shtetëzua në vitet 1940 dhe pas ndryshimeve në vendin tonë iu kthye kooperativës vendase. Në një të ardhme të afërt objekti i bodrumit do të rinovohet në faza, por edhe tani ai vazhdon të funksionojë në të njëjtën mënyrë në të cilën është ndërtuar 90 vjet më parë. "Ne po përpiqemi të zhvillojmë turizmin e verës edhe në Brestovicë. Kjo është arsyeja pse ne po planifikojmë të ndërtojmë një dhomë të re dhe më të madhe për shijimin e verës dhe një dyqan në bodrum për të shitur verën tonë" - thotë Krasimir Patishanov, kryetar i kooperativës së verës "Brestovica":
Krasimir Patishanov
"Ky është një segment i biznesit të verës që ka një potencial të madh dhe së bashku me kolegët nga Brestovica dhe rajoni, po përpiqemi të zhvillojmë turizmin e verës. Kemi bërë rrugë të verës, harta me një rrugë të verës që lidh Plovdivin me bodrumet e verës nga zonat përreth dhe me rajonin e Rodopeve. Filozofia e kantinës sonë është të fokusohemi në varietetet tradicionale bullgare - strategjia jonë për dekada dhe kjo është arsyeja pse varietetet kryesore që zhvillojmë këtu janë Mavrud, Rubin, Pamid. 13 vjet më parë e nisëm misionin me idenë për të ringjallur këtë varietet tradicional bullgar - Pamid, dhe vitet e fundit tashmë kemi ndjekës dhe kantina të tjera tashmë kanë filluar të prodhojnë Pamid. Ne gjithashtu kemi një muze të verës në Brestovicë, me iniciativën e bodrumeve të verës, bashkisë dhe Ministrisë e Turizmit, fshati ynë është i regjistruar zyrtarisht si Kryeqyteti i Verës së Bullgarisë”.

Të moshuarit në Brestovicë kujtojnë se si 80 vjet më parë kishte 25 mijë hektarë vreshta në fshat. Për momentin, ato nuk janë më shumë se 15 mijë, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë varietete për ëmbëlsira. Me kalimin e viteve, ka pasur një politikë të çrrënjosjes së qëllimshme të hardhive, por të paktën në Brestovicë, prodhimi i verës është duke lulëzuar. Njerëzit kthehen drejt jetesës tipike të fshatit, mbillen vreshta të reja dhe nuk ka familje që të mos ketë vreshtin e saj dhe verën e bërë vetë në bodrum.

Vera e Brestovicës tashmë është e njohur në 4 kontinente - në Evropë, Azi, Amerikën Veriore dhe Jugore. Çdo vit prezantohet edhe në ekspozitën prestigjioze në Dusseldorf (Gjermani), ku ka një përzgjedhje të veçantë të pjesëmarrësve /zhvillohet nga data 10-12 mars/.

"Vite më parë, ne i besuam tregjeve në zhvillim të Kinës, Japonisë, Vietnamit. Klientët tanë kryesorë janë atje - shpjegon Krasimir Patishanov për Radio Bullgarinë. - Por vitet e fundit, kufizimet rreth pandemisë dhe luftërave që kanë shpërthyer kanë krijuar një situatë të pafavorshme në përgjithësi. Para pandemisë kishim shitje të mjaftueshme deri në 70-80 mijë shishe në vit dhe kjo vetëm në Kinë. Shpresoj që vera bullgare të ketë të ardhme në këto tregje, sepse nëse kemi sukses atje, e gjithë industria e verës në Bullgari gjithashtu do të jetë e suksesshme”.

Foto: facebook.com/brestovitsawinery.eu, Pixabay

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Lëvizje në ekonominë bullgare, por në mënyrë të pabarabartë në fusha të ndryshme

Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..

botuar më 24-11-20 7.35.PD

Niveli i papunësisë në Bullgari është ruajtur edhe në tetor

Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..

botuar më 24-11-18 12.11.MD

Inflacioni mujor rritet 1.1%

Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..

botuar më 24-11-16 11.40.PD