Viti i ri filloi për Evropën me sfida të reja nga protestat masive bujqësore. Ato u përhapën në një zinxhir në të gjithë bllokun nga Evropa Perëndimore në Ballkan.
Kërkesat e fermerëve në Gjermani, Lituani, Rumani, Bullgari janë sigurisht të ndryshme, por ato mund të përmblidhen në disa pika. Ato kundërshtojnë kursimet në buxhetet kombëtare bujqësore, mungesën e subvencioneve të mjaftueshme, lëndët e para të shtrenjta, importet ukrainase dhe shtrëngimin e kërkesave mjedisore. Pesë vende të Evropës Lindore, përfshirë Bullgarinë, këmbëngulën për vendosjen e detyrimeve doganore për mallrat ukrainase.
Pandemia dhe kriza energjetike që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës “kanë shtuar benzinë në zjarrin” e problemeve për fermerët, të cilët shpesh fajësojnë Brukselin dhe politikën e tij bujqësore për vështirësitë e tyre.
Në sfondin e pakënaqësisë dhe ortekut të protestave, dyshimet po rriten se politikanët e ekstremit të djathtë po përpiqen të "kalërojnë" pakënaqësinë dhe të tërheqin më shumë mbështetës në kampin e tyre euroskeptik, pak para zgjedhjeve evropiane në qershor.
Pika e vlimit - ku, çfarë lloj protestash kishte?
Për dy javë, në Gjermani ka protesta të fermerëve që bllokojnë rrugët për shkak të shkurtimeve të subvencioneve për naftën e fermave. Përveç kësaj, ata janë të pakënaqur me rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit të plehrave, karburanteve dhe çmimeve të ulëta me të cilat blihen mallrat e tyre. Dhjetëra mijëra traktorë u mblodhën para Portës së Brandenburgut në shenjë proteste.
Disa fermerë, për të cilët supozohet se mbështeten nga ekstremistët e djathtë, u përpoqën të sulmonin tragetin me të cilin Ministri i Ekonomisë Robert Habeck po kthehej nga pushimet. Kancelari Olaf Scholz u drejtoi një paralajmërim fermerëve:
"Nëse protesta legjitime kthehet në zemërim ose mosrespektim për proceset dhe institucionet demokratike, atëherë ne të gjithë humbasim. Të vetmit që do të përfitojnë nga kjo do të jenë ata që urrejnë demokracinë."
Bllokada ka pasur edhe në të gjithë Rumaninë, por edhe në pikat kufitare, për shkak të protestës së transportuesve dhe fermerëve kundër rritjes së çmimit të karburanteve, uljes së subvencioneve evropiane dhe pritjeve të gjata në kufij.
Prodhimi bujqësor ukrainas vazhdon të ndajë Evropën dhe pakënaqësia po rritet sërish. Pas protestave masive të vjeshtës së kaluar, tani Bullgaria, Polonia, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia i kanë dërguar një letër Komisionit Evropian duke kërkuar vendosjen e detyrimeve doganore për importet e drithit ukrainas.
Pakënaqësi kishte edhe në Lituani, ku fermerët ndezën 500 zjarre në fushat e tyre për të protestuar kundër zgjerimit të zonave të mbrojtura dhe rritjes së taksave të karburantit.
Mendimi i ekspertëve
Goran Georgiev nga Qendra për Studim të Demokracisë beson se protestat bujqësore nuk janë të rastësishme dhe i përkufizon si një nga temat përmes së cilës shoqëria mund të manipulohet dhe të futet frika:
“Sigurisht që protestat e sektorit të bujqësisë janë të lidhura me interesa formale, joformale dhe të brendshme politike në çdo shtet anëtar, ndoshta në mënyra të ndryshme, por këto dinamika nuk ekzistojnë kurrë në një kontekst të izoluar. Qoftë nëse flasim për bujqësi apo energji, temat, të cilat janë shumë të përshtatshme për të manipuluar perceptimet publike, në përgjithësi, priren të jenë ato tema të cilave mund t'i bashkëngjitet një kërcënim ekzistencial, në shkallë më të gjerë, diçka sensacionale."
Ngritja e partive të ekstremit të djathtë ndihmohet nga konteksti i luftës, kur qëndrimet ndryshojnë në një drejtim më konservator, beson Goran Georgiev. Megjithatë, ai theksoi se këto formacione nuk mund të vihen nën një emërues të përbashkët dhe nënvizoi nuancat e ndryshme në programet e tyre:
"Jo çdo parti euroskeptike pro-ruse, jo çdo parti euroskeptike përfshin një dalje të detyrueshme nga Bashkimi Evropian në programin e saj. Ka mjaft parti të djathta, populiste që janë jashtëzakonisht kritike ndaj Bashkimit dhe që përdorin të njëjtin diskurs si ai i Rusisë ose Kinës, ose diskursi në përgjithësi i nacionalizmit autoritar, por janë fuqimisht kundër agresionit rus dhe mbështesin sanksionet kundër tij.
Bien në sy dy modele - disa parti euroskeptike duan ta ndryshojnë Bashkimin nga brenda dhe në rastin më ekstrem po flasim për parti që duan t'i japin fund tërë projektit të integrimit. Një nuancë tjetër e rëndësishme është se në fushatë ata flasin një gjë, por ajo që ndodh kur janë në pushtet është një gjë tjetër.
Për mua e vërteta është diku në mes. Ne nuk do të shohim një fitore të plotë në çdo vend, por do të ketë një ndryshim në qëndrimin e shoqërisë, dhe kjo është absolutisht normale, sepse po organizojmë zgjedhje në kontekstin e dy luftërave rajonale në kufijtë e Bashkimit Evropian në kontekstin e luftës qëndrimet e shoqërisë po ndryshojnë, ka të ngjarë që të jenë më konservatore."
Në sfondin e disa sondazheve që ia japin vendin e tretë të djathtës ekstreme në Parlamentin Evropian pas votimit në qershor, analisti parashikon se do të shohim një largim nga ideja më liberale për Evropën. Ai theksoi se ka rreziqe për BE-në. Mes tyre është mundësia e një përqendrimi votash që do të fillojnë të ndryshojnë identitetin e Unionit. Goran Georgiev theksoi se rreziqet e mëdha do të vijnë nga hapësira informative:
“Ka shumë mundësi që të shohim një sasi të madhe përmbajtjesh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, përmbajtje që manipulon perceptimet publike dhe do të shohim fushata dezinformuese, do të shohim falsifikime me fytyrat e figurave kryesore politike.
Në fakt, këtë vit disa miliardë njerëz do të votojnë në mbi 40 vende - në Angli, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në Rumani dhe Maqedoninë e Veriut, në Austri, nga të cilat varet edhe anëtarësimi ynë në Shengen. Në fakt, potenciali për destabilizim dhe përgjithësisht për vështirësi e kriza të paparashikuara është më i madh këtë vit, ndoshta edhe më i madh se vitet e kaluara.
Duke pasur parasysh situatën e luftërave rajonale kufitare dhe faktin që radikalizimi dhe pluralizimi në shoqëritë në mbarë botën po vazhdojnë të rriten në një nivel të paprecedentë, kjo nuk mund të mos ndikojë në qëndrimet e shoqërisë dhe rrjedhimisht në mënyrën se si njerëzit votojnë. Është logjike që do të shohim një tërheqje nga kjo ide më liberale për Evropën. Për mua, skenari më i mundshëm nuk është që populistët e krahut të djathtë të vijnë në pushtet kudo, po pres diçka në mes.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Foto: Radio Vidin, EPA/BGNES, Reuters, BNR, Alami/Reuters, arkiv
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..