Sezoni i skive duket se do jetë i suksesshëm, ky është mendimi i punëtorëve në këtë sektor. Dimri me borë, të paktën tani për tani, jep arsye për optimizëm, ashtu si dhe numri i rezervimeve në resortet tona. Në praktikë, dy konfliktet ushtarake - në Ukrainë dhe në Izrael, nuk kanë një efekt serioz në kuadrin makro të turizmit tonë dhe në muajt e ardhshëm Bullgaria do të mirëpresë 1 milion e 700 mijë turistë të huaj, sipas parashikimeve të Institutit për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm.
“Këtu është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për të gjitha format e turizmit. Skitë dhe snowboardi pritet të zënë rreth 20% të fluksit turistik në vendin tonë. Një pjesë e turistëve dimëror vijnë edhe për turizmin balneo, spa dhe Wellness, dhe një pjesë tjetër – për vizita në qytet, vizita kulturore dhe edukative dhe takime biznesi” – tha Konstantin Zankov, ekspert i turizmit dhe shtoi:
"Turqia, Greqia, Rumania, Maqedonia, Serbia - këto janë flukset tona kryesore turistike, si dhe nga BE. Tani po luftojmë për të rifituar nivelet e mëparshme në tregje si në Mretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Vitin e kaluar mungesa e borës pati një efekt jo të këndshëm për sezonin dhe tani po shohim pasojat. Njerëzit rezervojnë në minutën e fundit për të parë nëse do të ketë apo jo dëborë. Në këtë mënyrë ka edhe vrima në angazhimin e hoteleve."
Inflacioni dhe pasiguria ekonomike i kthejnë pushimet me ski në një luks për shtresën mesatare bullgare. Rritja e çmimeve në resortet tona dimërore vazhdon dhe këtë dimër pritet të jetë ndërmjet 5 dhe 15%. Megjithatë, Bullgaria ende perceptohet si një destinacion buxhetor për të huajt. Dhe pretendimet në disa rrjete sociale se është më lirë të bësh ski në Alpe sesa në vendin tonë nuk janë plotësisht korekte, vlerëson Konstantin Zankov:
"Ka rritje të biletave të teleferikëve, si dhe çmimeve në disa hotele, por padyshim transporti, ushqimi, argëtimi etj. janë më me leverdi në krahasim me Alpet. Është gjithashtu e rëndësishme se çfarë krahasojmë, për shembull, nëse krahasojmë çmimet e të njëjtave kategori hotelesh në vendin tonë dhe në Alpe, etj. Shpeshherë bëhen krahasime edhe me Serbinë, ku çmimet janë shumë më të favorshme. Por mos harrojmë, kushtet atje nuk kanë të krahasuar me resorte si Bansko dhe Borovec. Të mos harrojmë se në Bullgari organizohen gara për kupat ndërkombëtare të skive dhe kjo gjë është tregues i nivelit të vendpushimeve tona dimërore." – thotë Konstantin Zankov.
Për herë të parë këtë vit, Bullgaria do të presë në të njëjtin sezon fillimin e Kupës së Botës në ski alpin dhe snowboard. Më 10 dhe 11 shkurt në Bansko, skiatorët do të garojnë në dy nga disiplinat më tërheqëse - sllallomin gjigant dhe sllallomin. Nga ana tjetër Pamporovo do të presë për herë të parë garat e nivelit të Kupës së Botës. Dy startet paralele të sllallomit në dëborë do të zhvillohen më 20 dhe 21 janar. Ndërkaq, menaxhmenti i vendpushimit të skive në Rodope, Pamporovo, bëri të ditur se turistët do të mund të shikojnë performancat e sportistëve të elitës botërore në pistën “Stenata” pa pagesë. Dy eventet ndërkombëtare pritet të tërheqin edhe më shumë turistë në vendpushimet tona këtë dimër, parashikon Zankov. E vetmja gjë duhet është të lutemi që bora dhe temperaturat e ulëta të qëndrojnë të paktën deri në fund të marsit.
Foto: BTA, BGNES
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Momçillovci , Rodopet , Pamporovo dhe rrethi i Smoljanit ishin të pranishëm me një stendë në një ekspozitë turistike këtë vjeshtë në Ningbo, Kinë. Para BTA, Momçill Karaivanov, përfaqësues i shoqërisë bullgaro-kineze "Miqtë e Kinës" në Smoljan vuri në..
Vendet turistike përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi mund të ndahen në dy kategori - moderne, të shquara për rrugët e tyre të zhurmshme dhe shumëngjyrëshe dhe në kategorinë e dytë janë qytetet-port dinjitoze, me një histori shekullore, përmes të..
Veliko Tërnovo është qyteti me pamjet më kulturore dhe historike në Bullgari. Nuk ka njeri në vendin tonë që nuk emocionohet kur hyn në Kryeqytetin e Vjetër të Bullgarisë, ndërsa të huajt mahniten nga arkitektura, shpirti i ruajtur dhe tiparet e..