Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Arritjet e bullgarëve në mbarë botën në vitin 2023

Viti 2023 që po lemë pas ishte një vit në të cilin bota u hap pas pandemisë Covid-19 dhe ndjeu nevojën e madhe dhe joshjen e mundësisë për t'u kthyer në takimet e plota me artin, kulturën, sportin dhe sferat e tjera të aktivitetit në të cilat kontakti i drejtpërdrejtë ka një vlerë të jashtëzakonshme. Në rreshtat e mëposhtëm, me një krenari të pafshehur, të përzier me pak trishtim, do t'ju tregojmë pesë nga historitë e shumta të vitit të kaluar që kanë të bëjnë me kontributin e bullgarëve në mbarë botën me punën dhe talentin e tyre për ta bërë jetën më të bukur, më interesante, më emocionuese, më të lumtur dhe për ta ndarë atë mes njëri-tjetrit. Trishtimi vjen nga fakti se bashkatdhetarët tanë nuk kanë gjetur kushtet e nevojshme për t'u zhvilluar në atdhe.

Virtuozi Vasko Vasilev luajti në kurorëzimin e mbretit Charles III

Vasko Vasilev

Kurorëzimi i mbretit britanik Charles III ishte padyshim një nga ngjarjet që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mediave në mbarë botën dhe Bullgaria la me krenari një "gjurmë bullgare" në ceremoninë magjepsëse. Siç ka shkruajtur tashmë Radio Bullgaria, koncertmjeshtër i orkestrës speciale për kurorëzimin e mbretit Charles III ishte djali ynë - virtuozi i violinës Vasko Vasilev, i cili pushtoi zemrat e dashamirësve të muzikës në vendin tonë dhe në mbarë botën. Nuk është rastësi që ai është në mesin e 12 artistëve të cilësuar si “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës 2023” në një fushatë të BNR-së. Por cila është rruga e muzikantit që e çon në këtë pjesëmarrje prestigjioze?

Vasko i mori mësimet e para të violinës kur ishte vetëm 5 vjeç dhe së shpejti talenti i tij nuk mbeti pa u vënë re - ai u quajt "fëmija mrekulli". Karriera e tij sa vjen e shkon më lartë - që kur ishte nëntëmbëdhjetë ai bëhet koncertmjeshtër i ftuar i Orkestrës Simfonike të Londrës dhe Filarmonisë së Londrës, në moshën njëzet e një vjeç fitoi titullin "Super Solist" i Operës së Lionit (Francë), dhe në moshën 23 vjeçare ishte koncertmjeshtri më i ri në moshë dhe njëkohësisht i pari i Shtëpisë së Operës Mbretërore në Londër, ku ai është pjesë edhe sot e kësaj dite. Ndër vite ka punuar dhe incizuar me muzikantë si Plácido Domingo, Sting, Michael Jackson, Ronnie Wood nga "Rolling Stones", Vanessa May, Paco Peña etj. Vasko Vasilev fiton dashurinë e publikut në Bullgari dhe jashtë saj, me aftësitë e tij të jashtëzakonshme si muzikant, me projekte muzikore jo standarde dhe karizmën e tij në skenë.

Ivors Awards për kompozitoren bullgare Dobrinka Tabakova


Kompozitorja e re e talentuar Dobrinka Tabakova fitoi çmimin prestigjioz britanik Ivors Awards (British Grammy) për muzikë klasike për veprën e saj "Rojak Fanfari". Vepra është porositur enkas nga orkestra The Hallé në Mançester për orkestrën e saj të të rinjve me kryedirigjent një tjetër bullgare - Deljana Llazarova. “Njohja nga kolegët kompozitorë është komplimenti më i madh dhe jam pafundësisht e emocionuar dhe mirënjohëse për këtë vlerësim të lartë”, ka komentuar Dobrinka Tabakova në rrjetet sociale.

Në vitin 1980, kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, Dobrinka Tabakova e lindur në Plovdiv u transferua në Londër, ku studioi piano dhe kompozim. Atje u diplomua në Akademinë Mbretërore të Muzikës dhe më pas mori pjesë në masterclass-et e Konservatorëve të Parisit, Milanos, Pragës dhe Norvegjisë. Veprat e saj dëgjohen në skena në Bullgari, Britaninë e Madhe, Rusi, Itali, Francë, Gjermani, Austri, SHBA, Kinë, Australi dhe vende të tjera. 

Në vitin 2014, ajo u nominua për një Grammy. Dy vjet më vonë, kantata e saj "Shekspiri i pavdekshëm" shënoi fillimin e eventeve për shënimin e 400-vjetorit të vdekjes së poetit në katedralen ku ai u varros. Performanca u regjistrua dhe u transmetua në BBC.

Pianistja Donka Angëçeva u shpall “Gruaja e Vitit” në Austri


Pianistja e lindur në Plovdiv, Donka Angëçeva, u nderua si "Gruaja e Vitit" në kategorinë "Art dhe Kulturë" në çmimet vjetore Look Business Awards, të cilat prezantohen në Vjenë. Bullgarja u nominua si një muzikante e suksesshme evropiane, nënë e dy fëmijëve dhe sipërmarrëse femër, krijuese e iniciativës Die Kunst në Österreich lebt weiter ("Arti në Austri vazhdon të jetojë"). Në mars të këtij viti u prezantua në Vjenë dokumentari i gazetarit Georgi Toshev “Apasionata”, i cili tregon për rrugën e jetës dhe karrierën e suksesshme ndërkombëtare të pianistes. 

Donka Angëçeva

"Ajo është një person që frymëzon njerëzit jashtëzakonisht, madje edhe ata që nuk merren me muzikë. Ajo e bën artin kaq të aksesueshëm dhe të afërt me të gjithë, bashkon njerëzit dhe ndoshta ky është një nga rolet e artit që mbetet pak më shumë në plan të dytë." - thotë për BNR Horizont, regjisorja e filmit, Kallojana Klimentova.

Dizajneri grafik Ivan Peev pikturon për markat me famë botërore

Ivan Peev

Artisti dhe dizajneri grafik bullgar Ivan Peev, i lindur në kryeqytetin francez, organizoi një ekspozitë të tretë personale këtë vit në Paris. "Yjet" në ekspozitën e quajtur "Njeri në fund të fundit" /"Human after all"/ ishin personazhet e tij të pikturuar Travis dhe Mina. Emri i heroinës nuk u vendos rastësisht. Duke qenë se Ivani është i lidhur me Mina Todorovën – e dashura e poetit Pejo Javorov, nëpërmjet emrit të saj ai bën lidhjen me rrënjët e tij bullgare. Emri i Travis vjen nga personazhi i Robert de Niro - Travis Bickle, në "Taxi Driver", me të cilit Ivani ka shumë ngjashmëri sipas miqve të tij.


I riu, i cili filloi të pikturonte krahas pasionieve të tij për skejtbordin dhe kulturën e rrugës (street culture), ka punuar për emra me famë botërore si Nike, Adidas, Universal Music France, Warner Music, Spotify, Ofenbach etj. Punimet e tij të bëjnë për vete me stilin e tyre karakteristik, ironinë dhe humorin e freskët me të cilin janë të mbushura. Në një intervistë për bTV, Ivan tha se ka në plan të vijë dhe të qëndrojë në Bullgari për 6 muaj në të ardhmen e afërt për të parë se si është të punosh në vendin tonë.

Mundësi Ivan Ivanov u bë kampion i SHBA-së

Ivan Ivanov me nënën e tij Sillvija Ivanova

14-vjeçari bullgar Ivan Ivanov u bë kampioni i ri i vitit 2023 i SHBA-së në mundjen klasike. Në kampionatin në qytetin Farmington, Utah, i riu i talentuar mbizotëroi mbi të gjithë rivalët e tijnë kategorinë deri në 62 kg me epërsi të qartë, raportoi faqja chicago.bg. Prindërit e adoleshentit janë xhudistja Sillvija Ivanova dhe Ivan Ivanov - nënkampion botëror në mundjen klasike në Tampere në vitin 1994 dhe shpikës i "torbës bullgare" të famshme (Bulgarian Bag) - një ndihmës i domosdoshëm i garuesve në sporte të ndryshme në mbarë botën. Por ja që adoleshenti është duke ecur në rrugën e tij të lavdisë në sport. I urojmë sa më shumë suksese!

Këto ishin vetëm disa nga sukseset në vitin 2023 e qindra mijëra, ndoshta miliona, bashkatdhetarëve tanë të shpërndarë në mbarë botën. Qoftë viti i ri 2024 edhe më i suksesshëm, i shëndetshëm dhe i bekuar për të gjithë bullgarët - brenda dhe jashtë vendit!

Fotot: FB / Vasko Vassilev, FB / Dobrinka Tabakova, FB / Donka Angatscheva, ivanpeev.com, chicago.bg, BTA

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët

Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa..

botuar më 24-07-09 7.30.PD
Doktori Stajko Stajkov

Dr. Stajko Stajkov hodhi themelet e klimatologjisë në Bullgari

Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin..

botuar më 24-07-05 7.10.PD

Për jetën e mundshme në një botë pa monopole

Ndryshimet në Ligjin për Energjinë, të miratuara nga Kuvendi, shtynë fillimin e periudhës së tranzicionit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për një vit tjetër – deri në 1 korrik 2025. Ndryshimet duhet të ofrojnë një mundësi graduale për..

botuar më 24-06-26 7.30.PD