Vitin e kaluar ajo fitoi çmimin në konkursin kombëtar “Mrs. Bulgaria International”, ndërsa pak ditë më parë u shpall si evropianja më e bukur e martuar. Manita Vartan mori titullin “Mrs. Europa 2023” në konkursin prestigjioz në Stamboll.
Bukuroshja jonë ka lindur në Plovdiv, por ka rrënjë armene. Ajo është rritur në Rodope, ku ka kujtime të bukura fëmijërie. Përveç bukurisë së saj, ajo i bëri përshtypje jurisë edhe me inteligjencën e saj. Manita Vartan ka mbaruar baçelorin për Filologji Bullgare dhe masterin për Psikologji menaxhimi. Ajo flet 5 gjuhë, përveç bullgarishtes - armenisht, anglisht, spanjisht, rusisht dhe turqisht. Për disa vite punoi si mësuese, por më pas iu drejtua plotësisht modës, ndërsa më vonë filloi edhe me punë bamirësie. Mani, siç e quajnë të afërmit e saj, është e martuar në vitin 2016. E famshme është edhe vajza e saj Elizabet - me talentin e saj muzikor, fëmija ka fituar konkurse dhe festivale kombëtare dhe ndërkombëtare për këndim pop dhe xhaz.
Në finalen e “Mrs. Europe 2023”, bullgarja u prezantua së bashku me bukuroshe nga Spanja, Letonia dhe Franca. Vetë konkursi zgjati katër ditë. Garueset morën pjesë në një konferencë të titulluar “Parandalimi i dhunës ndaj grave” me fjalime emocionale, duke prezantuar statistika për vendet e tyre, na tregon vetë Manita në një intervistë për BNR-Stara Zagora. Dhe me shume:
“Dita e dytë ishte Dita e Kombeve. Secila prej nesh prezantoi nga një film që e kishte xhiruar më parë dhe me të cilin shfaqte vendlindjen e saj. Kishim përgatitur edhe dhurata për të gjithë pjesëmarrësit dhe i kishim shkëmbyer me njëra-tjetrën. Këto ishin gjëra tipike për çdo kombësi. Si përfaqësuese e Bullgarisë, përgatita kavanoza të vegjël me kripë me ngjyrë, reçel trëndafili dhe një magnet suvenir nga Nesebër, duke u përpjekur të kombinoj tre rajone të ndryshme të Bullgarisë në këtë dhuratë të vogël - Rodopet, Luginën e Trëndafilave dhe Detin tonë të Zi".
Si në çdo konkurs mode, edhe në këtë konkurs kishte një raund me kostume popullore, thotë evropianja më e bukur:
“Isha më e emocionuar për raundin kombëtar. Për të kisha përgatitur një kostum autentik të Rodopeve me kazane dhe një plloskë. Doja të përfaqësoja bukurinë e Rodopeve, pasi fëmijëria ime kaloi pikërisht atje. Më ndihmoi një kompani e prodhimit të kostumeve të Plovdivit, por nuk arritën të më gjenin një kostum autentik. Ideja ime kryesore gjatë prezantimit tim të përgjithshëm të Bullgarisë në këtë konkurs ishte t’i besoja vetëm prodhimit bullgar dhe dizajnerëve bullgarë. Kjo është arsyeja pse dy veshjet e mia - ajo zyrtare dhe ajo sportive-elegante - janë vepër e stilistit numër një bullgar në vitet e fundit - Stojan Radiçev", shpjegon Manita.
Bullgarja magjepsëse ka interesa në fusha të ndryshme. Këto ditë, ajo do të kënaqë fansat e saj me një libër gatimi në të cilin do të zbulojë recetat tradicionale armene. “Libri lidhet me pjesëmarrjen time në një reality show gatimesh, ku tregova aftësitë e mia në gatim. Pasoi shumë interes dhe kështu lindi ideja për të mbledhur 20 recetat e mia të preferuara armene dhe për t'i publikuar”, thotë Manita.
“Tani e tutje vazhdoj të merrem me gjërat që kam bërë vitin e kaluar – jam imazhi i disa markave të modës, jam e lumtur që me fitoren time në “Mrs. Europe” fitova për Bullgarinë dhe çmimin për dizajnertë "Mrs. Europe", që shkoi te Stojan Radiçev. Vazhdoj të merrem me fëmijë të talentuar – do të krijoj skena për shfaqjet e tyre” – tha Manita Vartan dhe shtoi se në konkursin prestigjioz nuk përfaqësohet me emrin e saj, por me emrin e Bullgarisë dhe për këtë ndihet krenare.
Lexoni më tepër:
Bullgarët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, por nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e tyre, pasi ende nuk janë publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë së vitit të kaluar. Jo pak shqiptarë me vetëdije..
Vështirë se ekziston një djalë që nuk ka dashur të bëhet astronaut. Edhe pse më rrallë, të tilla aspirata kanë edhe vajzat. Mes tyre është udhëtarja Izabella Shopova, heroi më i madh i së cilës në fëmijëri ishte Yuri Gagarin. Ajo i përshkruan udhëtimet e..
Krasimir Karailiev ka lindur në Sllovaki, por prejardhja e tij është nga Bullgaria. Ai është pasardhës i kopshtarëve bullgarë, fama e të cilëve u përhap në një sërë vendesh evropiane në fund të shekullit të ХІХ-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të..