Në Bullgari ka ligje, paketa e ligjeve është në dispozicion, por nuk zbatohet - ky është konstatimi i Bernar Vatie, kryetar i Odës së Avokatëve të Parisit. Unioni Ndërkombëtar i Odave të Avokatëve me traditë të Përbashkët Juridike /CIB/, i kryesuar nga ai, inicioi një konferencë në Sofje, e cila u fokusua në luftën kundër korrupsionit si një sfidë që duhet rinovuar vazhdimisht. Forumi u organizua nga Ambasada Franceze në Bullgari dhe Instituti Francez me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Klubit të Juristëve Frankofonë në Sofje dhe 30 vjetorit të pranimit të Bullgarisë si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Avokatë, magjistratë dhe përfaqësues të institucioneve publike debatuan mbi përvojën dhe reformat aktuale të kryera në Francë dhe Bullgari.
"Qëllimi i konferencës është të përmbledhë mjetet ekzistuese të luftës kundër korrupsionit në Bullgari dhe Francë, dy vende anëtare të BE-së, dhe nga përvoja e njëri-tjetrit të përfitojnë më të mirën për veten e tyre," shpjegoi Bernar Vatier në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Sipas tij, është e nevojshme të përdoret ekspertiza e akumuluar në vende të tjera për të forcuar mjetet për luftimin e korrupsionit që tashmë i ka Bullgaria.
“Më bëri shumë përshtypje fjalimi i ish-zëvendësministrit të Drejtësisë (Andrej Jankullov), i cili shpjegoi se tekstet ligjore janë në dispozicion, por nuk kanë shumë kuptim sepse sjellja nuk ka ndryshuar. Ky, për mendimin tim, është problemi kryesor me korrupsionin. Korrupsioni është çështje edukate. Njerëzit po mësohen me korrupsionin dhe këto modele të sjelljes duhet të ndryshojnë.”
Lufta kundër korrupsionit në këtë kuptim qëndron tek edukimi apo parandalimi, por edhe tek sanksionet, pra drejtësia duhet ta sanksionojë. Duhet të futen mekanizma ndëshkues.
“Për këtë qëllim, magjistratët duhet të jenë të pavarur – vazhdon Bernar Vatie. - Këtu i kthehemi problemit të pavarësisë së drejtësisë dhe rolit të Prokurorisë. Duhet të jemi vigjilentë, sepse nëse nuk ka dënim, korrupsioni fiton legjitimitet. Nëse nuk më kapin, jam në të drejtat e mia të vazhdoj. Ka një fenomen të tmerrshëm në korrupsion, dhe ai është fshehja e tij dhe legjitimiteti që praktikuesi i tij fiton gradualisht. Kjo praktikë duhet të ndalet dhe për këtë duhet një prokurori e organizuar”.
Në një vend që nuk lufton kundër korrupsionit, demokracia kërcënohet vazhdimisht me kolaps – na thotë sekretari i përgjithshëm i CIB. Nga njëra anë, rritja ekonomike pengohet, nga ana tjetër - çon në despotizëm të atyre që përdorin mjete korruptive.
Deri në çfarë mase mund të kërkohen praktikat e korrupsionit dhe shantazhi në ngjarje si rrëmbimi i anijes “Galaxy Leader” me dy bullgarë në ekuipazh – lajm që dominon lajmet në Bullgari?
Bernar Vatie përshkruan ndryshimet midis piraterisë dhe korrupsionit:
“Në piraterinë është e dukshme vepra kriminale, për shembull ne shikojmë filmime në televizion. E njëjta gjë vlen edhe për vjedhjen. Është e qartë se ka ndodhur një vjedhje, edhe nëse nuk e dimë se kush është hajduti. Në rastin e korrupsionit, krimi është mjaft diskret. E shihni, është e lehtë të ndjekësh penalisht një pirat ose një hajdut, por është shumë më e vështirë të nxjerrësh para drejtësisë një person që ka bërë korrupsion, sepse nuk është i dukshëm. Ky është problemi me të. Prandaj, nevojiten mjete për të lejuar transparencën dhe ekspozimin e rasteve të mundshme të korrupsionit”, përfundon Bernar Vatie.
Foto: Instituti Francez në BullgariPërktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..