Një nga dilemat me të cilat përballet Bashkimi Evropian është nëse do të zgjatet afati i përdorimit të herbicidit të diskutueshëm glifosat. Vendimi duhet të merret deri më 15 dhjetor, kur skadon autorizimi aktual i përdorimit të tij. Çështja ndan të dyja palët në Parlamentin Evropian, biznesin dhe shoqërinë. Cilat janë tezat dhe a ka një zgjidhje të saktë?
Preparati i përdorur gjerësisht për asgjësimin e barojave mund të marrë dritën jeshile edhe për dhjetë vjet të tjera. Pavarësisht shqetësimeve se kimikati ka potencial kancerogjen – gjë që kompania prodhuese e mohon, Komisioni Evropian beson se herbicidi mund të mbetet në treg në kushte të caktuara dhe me kufizime në përdorimin e tij. Sektori bujqësor në Belgjikë e mbështet propozimin, duke u argumentuar se aktualisht nuk ka asnjë alternativë të besueshme. Nikolla Neli - sekretar i përgjithshëm i një shoqate bujqësore deklaroi:
"Vendimet aktuale për të zëvendësuar glifosatin nuk janë të mjaftueshme dhe të qëndrueshme ekonomikisht, shoqërisht dhe ekologjikisht. Prandaj nuk janë të përshtatshme për sektorin e bujqësisë.”
Në Luksemburg, megjithatë, pothuajse 80 për qind e fermerëve janë regjistruar në një program vullnetar të heqjes së glifosatit. Prodhuesi i verës Rozher Demy vuri në dukje:
“Për katër vitet e fundit, e kemi përdorur shumë pak glifosatin. Nuk e kemi përdorur fare për dy vjet, sepse ishte ndaluar, por tani lejohet përsëri. Por ne përpiqemi ta përdorim sa më rrallë të jetë e mundur."
Një projekt bullgar mund të jetë një nga mënyrat për të trajtuar problemin me herbicidet - po punohet për krijimin e një roboti i cili do t’i pastrojë barërat e këqija pa përdorur kimikate dhe duke kursyer punën fizike të fermerëve. Një nga zhvilluesit - Veselin Georgiev - tregon më shumë për këtë:
"Roboti ynë është projektuar për të ndihmuar më së shumti në bujqësinë organike, ku praktikisht është i ndaluar përdorimi i çdo herbicidi. Për shkak të kësaj, këta fermerë kanë vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore për barërat e këqija që u nevojiten në një rast të tillë. Ne e zgjidhim këtë problem përmes një roboti autonom të lehtë që lëvizet me ndihmën e një paneli diellor. Për t’i njohur barërat e këqija dhe për t'i shënuar për shkatërrim, ne përdorim kamera dhe inteligjencë artificiale të bazuara në rrjetet nervore. Vetë pastrimi i barërave të këqija bëhet menjëherë, nëpërmjet një mekanizmi udhëzues, mbi të cilin kemi një instrument kontakti ose pa kontakt. Metoda e kontaktit gërmon fizikisht barin, së bashku me rrënjën e tij, ndërsa metoda pa kontakt është për shembull ujitja me një sasi të vogël uji të vluar, ose rrezatimi me një rreze me energji të lartë që shkakton vdekjen e barërave të këqija, por nuk i ngroh aq shumë për t’i marrë flakë. Ne planifikojmë që roboti të lëvizë plotësisht në mënyrë autonome nëpër ara dhe të ketë një ndërhyrje minimale njerëzore gjatë funksionimit të tij."
Roboti po dëshmon gradualisht efektivitetin e tij dhe po fiton besimin e bizneseve, por në mënyrë që projekti të përdoret në shkallë të gjerë dhe të jetë me të vërtetë efektiv, ai mbështetet te fondet evropiane:
“Si çdo kompani tjetër start-up, për të zhvilluar shpejt idenë, na duhen shumë fonde, të cilat fillimisht i siguruam nga kursimet tona dhe pas zhvillimit të prototipit të parë, filluam të aplikojmë në programe kombëtare dhe evropiane. Suksesi ynë i parë i madh ishte një grant i miratuar për mbi 400 000 leva në fund të vitit të kaluar në kuadrin e një projekti të Fondit Kombëtar të Inovacionit, i cili na lejoi të financonim aktivitetet tona aktuale. Këtë vit, pasuan disa suksese të tjera - një grant nga Fondacioni "Amerika për Bullgarinë", si dhe 3 projekte me financim direkt nga niveli evropian, në total prej 150 mijë €. Aktualisht po aplikojmë për një projekt shumë të madh, edhe në nivel evropian, EIC Accelerator, duke shpresuar që ai të financojë punën tonë për 2 vitet e ardhshme. Në përgjithësi, duhet të themi se për zgjidhje vërtet inovative tashmë ka shumë mundësi për financim granti, si në Bullgari, por veçanërisht në Evropë."
Qëndrimi i Komisionit Evropian për glifosatin bazohet në kërkime shkencore. Zëdhënësi Stefan de Keersmacker vuri në dukje:
“Propozimet që Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare janë rezultat i një kërkimi të gjerë shkencor. Sigurisht, ka disa boshllëqe në informacion, të cilat u pasqyruan në propozimin, duke zbatuar një sërë kushtesh për përdorimin e substancës aktive glifosat.”
Megjithatë, eurodeputetët janë të ndarë – e djathta në përgjithësi mbështet propozimin e Komisionit Evropian, ndërsa të Gjelbërit dhe e majta janë kategorikisht kundër. Eurodeputeti gjerman Peter Liese mbrojti pozicionin e grupit të qendrës së djathtë të Partisë Popullore Evropiane:
“Jemi dëshmitarë të rritjes drastike të çmimeve të ushqimeve. Aktualisht, njerëzit po vuajnë më shumë nga çmimet e larta të ushqimeve sesa nga kostot e larta të energjisë. Çmimet e ushqimeve e nxisin inflacionin. Dhe nëse heqim një mekanizëm të rëndësishëm mbrojtës për drithërat, do të bëhet edhe më i shtrenjtë prodhimi i ushqimit në Bashkimin Evropian”.
Megjithatë, “të Gjelbërit” besojnë se kjo po ivendos paratë para sigurisë. Eurodeputetët Tilly Metz dhe Benoit Bitto:
“Kjo është një katastrofë. Do të jetë krejtësisht e papërgjegjshme nëse Komisioni Evropian e merr këtë drejtim dhe e zgjat përdorimin me dhjetë vjet. Pesë vjet më parë, ishim shumë pranë ndalimit të glifosatit, kryesisht sepse nuk na nevojitet për bujqësin prodhuese, nuk na nevojitet për kontrollin e drithërave. Përkundrazi, glifosati e vë në rrezik sigurinë ushqimore afatgjatë”.
“Kjo është molekula më e përdorur në botë dhe në debat po hyn tema e dimensionit ekonomik. Dhe kështu po zhduket objektiviteti. Në faqjen e parë të raportit të Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore thuhet se nuk ka asnjë problem dhe madje sugjerohet një zgjatje 15-vjeçare. Por nëse lexoni 340 faqet e tjera, përfshirë kërkimin e kompanisë prodhuese, ata vetë thonë se ekziston rreziku i zhvillimit të kancerit te gjitarët me ekspozim afatgjatë dhe se ka një sërë fushash përdorimi ku molekula është jo i padëmshëm."
Sipas të dhënave të Eurostat, përdoruesit më të mëdhenj të pesticideve për një hektar tokë të kultivuar janë Holanda, Irlanda, Italia, Portugalia, Franca dhe Greqia. Në dalim të tyre, Danimarka, Suedia, Finlanda, Estonia, Lituania dhe Rumania janë vendet që përdorin më pak pesticide. Dhe blerësit më të mëdhenj të këtyre kimikateve në BE janë Gjermania, Spanja dhe Franca.
Në votimin e fundit nëse të zgjatet leja e përdorimit të glifosatit në Bashkimin Evropian më 13 tetor, Bullgaria abstenoi, por vendimi përfundimtar do të merret deri në fund të vitit. Doc. Mirosllava Zhiponova nga Departamenti i Fiziologjisë së Bimëve në Fakultetin e Biologjisë të Universitetit “Shën Klimentit Ohërski” bën një analogji ndërmjet glifosatit në bujqësi dhe gjendjes me antibiotikët në shëndetësi.
"Glifosati është përbërësi aktiv në herbicidin më të përdorur Roundup dhe besohet të jetë më pak toksik se pesticidet e tjera. Herbicidi prek jo vetëm bimët, por edhe mikroflorën/faunën e tokës dhe fiziko-kiminë e tokës. Është i biodegradueshëm, por ka kërkime, se produktet e degradimit të tij janë të qëndrueshme, merren nga organizmat dhe frenojnë zhvillimin e mikroorganizmave të dobishëm në tokë dhe në zorrët e barngrënësve. Në fakt, ka studime që ndryshimet në florën e zorrëve çojnë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj sëmundjeve njerëzore, por në përgjithësi spërkaten barërat e këqija, jo kultura që konsumojmë. Megjithatë, nëse barngrënësit konsumojnë bimësi të trajtuar me herbicid, atëherë ekziston mundësia e mbetjeve të herbicideve në mish dhe qumësht. Përveç kësaj, studimet kanë treguar se glifosati ndryshon fiziologjinë e bimëve. Herbicidi tregohet si toksik për organizmat ujorë, prandaj duhet përdorur në mot të thatë. Në vitin 2015, Agjencia e Kontrollit të Kancerit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë arriti në përfundimin se glifosati është ndoshta kancerogjen për njerëzit dhe kafshët. Gjigandi kimik “Bayer” duhet të paguajë afro 11 miliardë dollarë për të zgjidhur çështjet gjyqësore për shkaktimin e kancerit nga herbicidi Roundup. Produkti me bazë glifosati është subjekt i më shumë se 100 000 padive për shkak të efekteve të tij të supozuara kancerogjene. Sipas informacionit zyrtar mbi toksicitetin e glifosatit, megjithatë, ai nuk mund të klasifikohet si kancerogjen për njerëzit."
A mund të zëvendësohet përdorimi i glifosatit me një substancë tjetër që mbart më pak rreziqe, a ka një alternativë?
"Komisioni Evropian do të përpiqet të aplikojë disa "masa për reduktimin e rrezikut", si për shembull rripe prej dhjetë metrash rreth zonave të spërkatura etj. Variantet e përmirësuara të glifosatit me ndikime negative të reduktuara aplikohen në literaturë dhe në praktikë. Përveç kësaj, ka alternativa në bazë të herbicideve me përbërës bioaktivë bimore. Është gjithashtu e mundur të përdoren biopesticide të bazuara në mikroorganizma. Ekzistojnë alternativa, që përfshinë bujqësinë rigjeneruese. Barërat e këqija janë tregues të gjendjes së tokës. Po t'i dimë këto gjendje, mund të reduktojmë përhapjen e barojave. Trajtimet mekanike janë gjithashtu një opsion mjaft i mirë dhe i qëndrueshëm.”
Në punën tuaj, ju ndoshta jeni në kontakt si me fermerët, ashtu dhe me eko-aktivistët, cilat janë pikëpamjet e tyre për herbicidin dhe çfarë thotë shkenca - cilën pikëpamje e mbështet ajo?
"Parimisht preparatet respektohen nga agronomët përderisa aplikohen në mënyrë korrekte sipas udhëzimeve. Glifosati i ka rezistuar kohës për shumë kohë dhe ka treguar vërtet efektivitetin dhe cilësitë e tij. Gjithnjë e më shumë po vjen tendenca e bujqësisë organike rigjeneruese, e cila aplikohet nga shumë fermerë të rinj, të cilët synojnë një korrje më të vogël, por ekologjike dhe me cilësi të mira. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të përmendur një iniciativë për barkodimin dhe digjitalizimin e biodiversitetit në Bullgari, në të cilën merr pjesë një konsorcium i institucioneve shkencore, universiteteve dhe biznesit bullgar. Aktualisht po promovohet kjo nisme mes institucioneve shtetërore, qarqeve shkencore dhe shoqërisë. Disponueshmëria e të dhënave të tilla do të ndihmonte për të monitoruar gjendjen e zonave individuale që u nënshtrohen ndikimeve bujqësore, klimatike ose të tjera. Një monitorim i tillë është i një rëndësie kombëtare dhe ndërkombëtare për reagim në kohë në rast se prishet ekuilibri.”
Kohët e fundit është folur se sa i pavarur është një kërkim i tillë shkencor për çështje të diskutueshme, a shihni një problem të ngjashëm edhe sa i përket glifosatit, a ka ndonjë informacion se kush i financon kërkimet për këtë kimikat?
“Ka gjasa që të ketë interesa ekonomike. Kompania amerikane “Monsanto” në vitin 1974 krijoi glifosatin me emrin e tregut "Roundup". Relativisht shpejt në vitin 2018, kompania gjermane “Bayer” bleu “Monsanto”. Për më tepër, glifosati nuk është më i patentuar dhe mund të prodhohet nga prodhues të ndryshëm. Ekziston mundësia që kompanitë konkurruese të synojnë të heqin glifosatin nga tregu, sepse ai konsiderohet relativisht i lirë dhe efektiv nga fermerët. Hulumtimet mund të financohet gjithashtu nga fondet shtetërore duke kërkuar një përgjigje për pyetjen se çfarë po e shkakton rritjen e sëmundjeve, veçanërisht në fushën e endokrinologjisë (përfshirë sëmundjet e riprodhimit), onkologjisë, sëmundjeve neurologjike, intolerancës ndaj glutenit. Nga ana tjetër, ne po kërkojmë mënyra për ta rimëkëmbur natyrën, e cila në dekadat e fundit është shfrytëzuar shumë. Ideja është renditja e strategjive për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe ruajtjes së mjedisit. Ky është një prioritet i Komunitetit Evropian. Po shoh që ndër autorët e artikujve shkencorë janë shkencëtarë nga Finlanda, Danimarka, Portugalia. Janë bërë mjaft kërkime edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë, Australi. Meqë ra fjala, ky është prioritet edhe në Bullgari dhe projekte të tilla financohen me prioritet nga Fondi i Kërkimeve Shkencore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”.
Sipas jush, cili duhet të jetë qëndrimi bullgar për çështjen e glifosatit?
"Bullgaria është ndër vendet që abstenoi në votim. Kjo ndoshta vjen si pasojë e zbatimit në rritje të praktikave të bujqësisë organike nga njëra anë, si dhe e problemeve shëndetësore, shkaku i të cilave nuk është i qartë. Përpara se të kemi një qëndrim, duhet të ketë një strategji të qartë për alternativat ndaj agrokimikateve. Paralelisht, ka një kërkesë nga shoqëria për ushqime të shëndetshme. Këto parakushte sigurisht që do të përshpejtojnë zbatimin e një strategjie me një rol thelbësor të bio-bujqësisë rigjeneruese. Është mirë që të ngadalësohet progresi i bërë me agrokimikatet në emër të rivendosjes së natyrës dhe përcaktimit të mënyrës më të mirë për të vazhduar në të ardhmen.”
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..