Pas përmbytjes shkatërruese në bregun tonë jugor të Detit të Zi dhe pas katër viktimave njerëzore, fillon vlerësimi i dëmeve nga fatkeqësia.
Lidhja me Sinemorec është rivendosur dhe tashmë është e mundur të udhëtohet. Nuk ka askund persona në gjendje të vështirë dhe është rikthyer lidhja tokësore mes dy lagjeve të Carevos, ku dje u shemb një urë. Sot pritet të fillojë ndërtimi i objektit ponton midis Carevos dhe Ahtopoll. Gjithashtu duhet të bëhet një vlerësim i dëmit.
Më shumë informacion do të mësojmë nga guvernatori rajonal i Burgasit, Pllamen Janev. Ai komentoi para gazetares Sillvija Velikova edhe dyshimet e ndryshme që lindin gjithmonë pas fatkeqësive të tilla –mosmirëmbajtjen e infrastrukturës nga ana e institucioneve.
“Fatkeqësisht katër viktimat janë fakt, por nuk kemi raportime për persona të tjerë të zhdukur që janë në kërkim. Vazhdon puna për pastrimin dhe ndihmën për njerëzit në vështirësi, kullimin e hoteleve dhe shtëpive private. Kemi raporte për kafshë të humbura që do të përpiqemi t'i gjejmë. Do të caktohet një komision për vlerësimin e dëmeve dhe fillimin e hetimeve për gjendjen e grykave dhe lumit Veleka për të përcaktuar nëse ka shkaqe të tjera të përmbytjes përveç përroit”.
Stojan Çajkov është një vullnetar, administrator i grupit "Carevo" në Facebook i cili e cilësoi situatën pas përmbytjes si shumë të frikshme. "Ka shumë dëme – në shtëpitë private, në infrastrukturën e qytetit, por mendoj se gjërat do të përmirësohen," tha ai për BNR. Stojan Çajkov na tregoi për nevojat në zonat e prekura dhe për veprimet e koordinuara nga ai:
“Të gjithë vullnetarët në terren ndihmuan me aq sa ishte e mundur, veçanërisht në fshatrat Kosti dhe Brodillovo, ku ishte më e vështira. Nuk dua të jem mbrojtësi i askujt, por fatkeqësia ishte e madhe. Njerëzit që janë mbi 70 vjeç thonë se nuk kanë parë një fatkeqësi të tillë deri më tani. Nëse veprimtaria e njeriut ka kontribuuar për këtë tragjedi, nëse kjo varet nga prerja e Stranxhës - kjo mbetet për t'u analizuar”.
Në të gjitha vendet ku ka mbështetje proaktive politike për tejkalimin e problemit të ndryshimeve klimatike, para kësaj ka pasur një fatkeqësi të madhe, komentoi për BNR Georgi Stefanov nga Koalicioni për Klimën. “Falë Zotit, Bullgaria ende nuk ka përjetuar një katastrofë në përmasat që shohim nëpër botë”, theksoi Stefanov dhe shtoi se rritja e fatkeqësive natyrore në 30 vitet e fundit, krahasuar me 30 vitet e mëparshme, është trefishuar dhe ato do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta. “Për Bullgarinë, gati 60% e rrezikut kryesor lidhet me përmbytje të tilla”, shpjegoi Stefanov dhe shtoi se ne kemi një sërë dokumentesh strategjike për 20 vjet në fusha të ndryshme.
“Megjithëse shteti tani e kryen punën e vet, ai mungon në aspektin e parandalimit – theksoi ekologu. – Në vendin tonë asnjëherë nuk është bërë një vlerësim i përfitimeve dhe i kostove. Sa do t'i kushtojë shoqërisë dhe ekonomisë ky dëm? Ne duhet t'i peshojmë përfitimet dhe shpenzimet, që të parandalojmë një gjë të tillë në të ardhmen. Kompanitë e sigurimeve bëjnë shumë analiza të tilla financiare dhe arrijnë të justifikojnë çmimin e sigurimit që ofrojnë. Vendi ynë nuk ka një politikë sigurimi. Mund të aplikohet një sistem, i cili të funksionojë në sajë të kontributeve të vogla vullnetare nga të gjithë, në mënyrë që të mund të gjenerohen fonde për të kompensuar dëmet e fatkeqësive të ndryshme natyrore".
Shumat e nevojshme për rimëkëmbjen e Carevos pas përmbytjes do të jenë të mëdha - është i bindur nënkryetari i komunës, Marin Kirov:
“Bashkia menjëherë ka marrë masa për rivendosjen, por deri sa i arrijnë forcat e saj. Bëhet fjalë për pastrimin e qytetit dhe vendbanimeve të tjera, transportimin e mbeturinave, restaurimin e urave dhe objekteve të tjera. Shpresoj që brenda 1-2 muajsh të kemi sukses dhe gjërat të normalizohen”.
Përpiloi: Joan Kolev në bazë të intervistës së Sillvija Velikovës
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BTA, BGNES
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..
Banorët e qytetit Pleven të Bullgarisë Veriore do të përcjellin vitin 2024 me një Qytezë Krishtlindjesh dhe takime me Plakun e Krishtlindjeve. Programi..
Modernizimi i aftësive të të menduarit kritik, verifikimi i fakteve dhe shkrim-leximi mediatik janë thelbësore për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë..