Java e fundit e Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare në kryeqytetin e Tiranës ishte shumë e pasur në përmbajtje. Krahas studimit të gjuhës bullgare, nën drejtimin e Prof. Asc.Dr. Raqi Bello profesor i gjuhës dhe letërsisë bullgare në Universitetin e Tiranës dhe Dr. Miranda Bello, pedagoge e Universitetit të Veliko Tërnovos “Shën Kirili dhe Metodi”, nxënësit patën nderin dhe kënaqësinë të ndiqnin leksione shumë interesante nga të ftuar bullgarë.
Një nga të ftuarat në Shkollën Verore të Gjuhës Bullgare ishte Msc. Milena Selimi, e cila ka një eksperiencë të pasur si përkthyese, gazetare, shkrimtare dhe skenariste, si dhe përvojë menaxhimi në media. Ajo ka sjellë në shqip vepra të ndryshme jo vetëm nga letërsia bullgare, por edhe nga autorë të ndryshëm të Ballkanit. Para pjesëmarrësve të shkollës ajo mbajti një referat interesant me temë: Letërsia bashkëkohore bullgare në shqip, duke i njohur studentët me disa nga autorët më të mirë bashkëkohorë bullgarë dhe disa nga veprat e tyre të përkthyera në gjuhën shqipe.
Një temë interesante për lidhjet bullgaro-shqiptare në sferën e arsimit, kulturës dhe gazetarisë u prezantua nga znj. Maria Peeva, sekretare e tretë në Ambasadën e Bullgarisë në Shqipëri. Ajo prezantoi shoqatat e rilindësve shqiptarë në Sofje në vitet 1890-1912, me theks mbi aktivitetet e tyre kulturore, si botimi i gazetave dhe librave (përfshi Abetarja e parë në gjuhën shqipe). Një prej temave të prezantimit ishte studimi i gjuhës shqipe në Degët e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes dhe të Veliko Tërnovos. Në fund, znj. Peeva tregoi historinë e Redaksisë Shqipe të Radio Bullgarisë.
Pjesëmarrësit patën kënaqësinë të njihen edhe me Z. Selim Hoxhaj, Konsullin e Nderit të Bullgarisë në Shqipëri, i cili ka një kontribut shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare, si dhe në thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve. Në referatin e tij para studentëve, zoti Selim Hoxhaj foli për lidhjet midis Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe marrëdhëniet e mira mes dy popujve tanë. Ai përshkroi ngjarjet dhe personalitetet kryesore të diasporës shqiptare në Bullgari dhe kontributin e çmuar të tyre për Rilindjen shqiptare dhe kulturën shqiptare. Një vëmendje të veçantë u kushtoi vendbanimeve të dikurshme shqiptare, kolonisë shqiptare në Sofje dhe fshatit shqiptar të Mandricës, ku edhe sot vazhdon të flitet shqip dhe të ruhen traditat e vjetra. Në fund studentët ndoqën dhe filmin e realizuar nga TVSH, me skenar të z. Selim Hoxhaj, kushtuar gjuhës shqipe në Bullgari.
Në fundjavë, më datën 21 korrik 2023, pjesëmarrësit e Shkollës Verore të Bullgarishtes bënë një ekskursion në qytetin muze të Beratit. Qyteti shumëshekullor, në çdo hap që hedh, të befason me historinë e vet mjaft të pasur e cila është ruajtur aq mirë në lagjet e saj të vjetra, Mangalem dhe Goricë, dhe sidomos brenda mureve të kështjellës ose kalasë, siç e quajnë vendasit. Vizita e parë ishte në kala. Në Muzeun e Artit Ikonografik „Onufri“, i vendosur brenda katedrales „Fjetja e Shën Mërisë“, studentët u pritën nga z. Arjan Prifti, përgjegjës i Muzeut i cili mbajti një leksion mbi artit ikonografik. Pjesëmarrësit panë nga afër ikonat e vjetra, mjaft objekte liturgjike dhe Kodikët e famshëm të Beratit. Ata panë dhe ikonostasin e vjetër të katedrales „Fjetja e Shën Mërisë“, që konsiderohet si një nga veprat më të mira të stilit barok të drugdhendjes. Me interes për studentët ishte dhe ajo pjesë nga historia e pasur e Beratit që ka lidhje me Bullgarinë, me historinë dhe kulturën e saj. Në një arkë të drunjtë, pranë ikonostasit, ruhen lipsanet e dy Shenjtorëve Gorazd dhe Angjellari, dy nga dishepujt e Shenjtorëve Kirili dhe Metodi. Në të djathtë të ikonostasit është dhe ikona e Shenjtorëve Kirili dhe Metdodij dhe pesë dishepujve të tyre, Shenjtorët Klimenti, Naumi, Sava, Gorazdi dhe Angjellari, në të cilën paraqitet fjetja e Gorazdit dhe Angjellarit. Dihet rëndësia e tyre për krijimin dhe përhapjen e shkrimit dhe gjuhës bullgare. Edhe një fakt tjetër interesant, emri i sotëm i qytetit vjen nga bullgarishtja. Ndërsa në rrënojat e kishës së Ballshit (bullg. Gllavenica) është zbuluar një mbishkrim i vjetër, që bën fjalë për kthimin e mbretit bullgar Boris në fenë e krishterë.
Mbas kësaj jave intensive, më 25 korrik 2023 Shkolla Verore e Gjuhës dhe Kulturës Bullgare organizoi ceremoninë e mbylljes që kulmoi me ndarjen e certifikatave për studentët dhe lektorët pjesëmarrës në këtë kurs veror. Përveç lektorëve, të angazhuar me mësimdhënien e gjuhës bullgare, Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello, morrën pjesë dhe Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e FGjH, Prof. As. Dr. Ogerta Koruti, Zv. Dekane e FGjH, Prof. As. Dr. Adriatik Derjaj, Përgjegjës i Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, Prof. Dr. Dimitër Dimitrov, Rektor i Universitetit „Shenjtorët Kirili dhe Metodi“, i cili ishte shoqëruar nga dy profesorë të këtij institucioni arsimor prestigjios bullgar, Prof. As. Dr. Anna Ivanova, zv. Rektore për marrëdhëniet me jashtë dhe Prof. Dr. Vlladimir Vlladov, zv. Dekan i Fakultetit Fililogjik. Përpara se të merrte pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, rektori Dimitrov dhe delegacioni që e shoqëronte bënë takime dhe në rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe në dekanatin e FGjH-së. Në rektorat ata u pritën nga Rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Zv. Rektori, Prof. Dr. Bernard Dosti. Kurse në dekanat u pritën nga Dekania, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha dhe Zv. Dekania, Prof. Ogerta Koruti Stroka. Në ceremoni morrën pjesë dhe përfaqësues të ambasadës bullgare në Shqipëri, konsulli Z. Petër Prinov dhe përkthyesja Jordanka Ivanova. Pjesë e këtij aktiviteti ishin dhe përfaqësues të bankës FIBANK në Tiranë, të cilët sponsorizuan dhe i dhanë frymën festive kësaj veprimtarie të bukur.
Kështu përfundoi Shkolla Verore e Gjuhës Bullgare në Tiranë, e mbushur me shumë njohuri të reja, emocione dhe përshtypje pozitive të cilat nxënësit do t’i ruajnë gjatë në kujtesën e tyre. Një gjë është e sigurtë, pjesëmarrësit do të vazhdojnë të ruajnë lidhjet e tyre me Bullgarinë do të vazhdojë krijimi i urave të përbashkëta gjuhësore dhe kulturore midis dy popujve.
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..