Viti është 1864, Pashkë. Dhjaku Vasill Ivanov Kunçev hoqi rason e tij, preu flokët dhe hoqi dorë nga përkushtimi si murg në emër të lirisë së popullit të tij. Në ditën e Shën Gjergjit të të njëjtit vit, ai filloi punën si mësues i parë në fshatin Vojnjagovo - një fshat i vogël i vendosur në Sredna Gora, dhjetë kilometra nga vendlindja e tij Karllovo. Vasill Levski dha mësim atje për 2 vjet - nga maji 1864 deri në fund të marsit 1866. Kishte 19 nxënës - më i riu 6 vjeç dhe më i madhi 26 - të cilëve ai u mësoi jo vetëm shkrim e lexim, por edhe dashurinë për atdheun, lirinë dhe tolerancën ndaj të tjerëve.
Dhe për shkak se porositë e Apostullit janë ende të gjalla sot, shpirti dhe koha - e tija dhe e jona - takohen në iniciativën dhe këmbënguljen e një gruaje bullgare, e cila, 145 vjet pas mësuesit revolucionar Vasill Levski, vendosi t'u mësojë patriotizmin mijëra bullgarëve të vegjël që janë kilometra larg shtëpisë. Ajo është Milena Vezenkova, një nga bashkatdhetarët e shumtë që kërkuan një të ardhme të ndritur në Britaninë e Madhe më shumë se 23 vjet më parë. Aty u njoh me të shoqin, gjithashtu bullgar, krijon familjen e saj dhe lind fëmijët. Një sipërmarrëse në zemër, në vjeshtën e vitit 2008 Milena u përball me vendimin se për çfarë të përdorte hapësirën e një dyqani që familja e saj kishte në atë kohë në Londrën Lindore. Dhe nga biseda në bisedë me bullgarët e lagjes, ata vendosën të bëjnë diçka që nuk e kishin bërë kurrë më parë - të hapnin një shkollë bullgare në Barking (The London Borough of Barking and Dagenham - ky është emri i plotë i lagjes), Londër Lindore (Britania e Madhe). Ata e rinovuan ambientin, e pajisën, gjetën një mësues të mirë bullgar dhe pa hezitim zgjodhën emrin - Shkolla Bullgare "Vasill Levski". Katër muaj më vonë, më 18 janar 2009, shkolla priti zyrtarisht 20 nxënësit e saj të parë.
“Me dëshirë të madhe, por pa eksperiencë u përpoqëm dhe ia dolëm”, thotë me krenari të Milena Vezenkova në një intervistë speciale për Radio Bullgarinë. Sot në Shkollën Bullgare në Londër mësojnë 500 bullgarë në 30 klasa paralele nga klasa e parë deri në klasën e 12-të, dhe kjo e bën këtë shkollën më të madhe bullgare në Britaninë e Madhe. Megjithatë, filli i hollë i historisë na kthen përsëri në Ballkan:
“Unë jam nga fshati Vojnjagovo, ku Vasill Levski u mësonte fëmijëve shkrim e lexim. Aty ka edhe sot një shtëpi-shkollë, të cilën të gjithë e quajnë dhe e njohin si Shkolla. Gjithashtu, shkolla në Vojnjagovo, ku kam studiuar si fëmijë, mori emrin e Apostullit. Dhe kur lindi ideja, shumë vite më vonë, të kishim një shkollë bullgare në Londër vendosa që ajo të quhet shkolla bullgare "Vasill Levski" në Londër, si shkolla në Vojnjagovo" - kujton bullgarja.
Në dekadat e fundit, Londra Lindore ka qenë shtëpia e shumë emigrantëve bullgarë dhe familjeve të tyre, të cilët duan që fëmijët e tyre të njohin kulturën dhe gjuhën e prindërve të tyre. Milena ka treguar më shumë se një herë se është krenare për faktin se arsimi bullgar jashtë vendit është me dëshirë, gjë që e vendos marrëdhënien midis fëmijëve dhe prindërve të tyre mbi një bazë krejtësisht të ndryshme.
“Ideja fillestare ishte të mësohet gjithçka për Bullgarinë si dhe shkrim e lexim. Me kalimin e kohës, ne jemi kthyer në një shkollë të vërtetë bullgare, në të cilën ofrojmë trajnime dhe arsimim të qëndrueshëm, pa humbur planin fillestar - të dimë më shumë për Bullgarinë. Për shembull, për Vasill Levskin, këtu nuk mësohet sipas kurrikulës, vetëm kur është e caktuar. Për të dhe për punën e tij është folur që në ditën e parë të shkollës, sidomos në klasën e parë. Dhe nëse 14 vjet më parë shumica e nxënësve tanë kishin lindur në Bullgari dhe e dinin se kush ishte Apostulli i Lirisë, kishin dëgjuar histori për të, deri më sot nxënësit tanë të klasës së parë, në një pjesë shumë të madhe të rasteve, kanë lindur në Britaninë e Madhe dhe njohuritë e tyre për historinë dhe kulturën tonë janë të ndryshme. Dhe Vasill Levski është emri i parë që mësojnë”.
Përtej fakteve dhe ngjarjeve historike, historitë më interesante për fëmijët kanë të bëjnë me figurën e tij si njeri dhe guximin e Dhjakut - si maskohej me rroba të ndryshme për të shpëtuar nga ndjekjet osmane, si kur u kap në hanin e Këkrit, ai vari opingën në gardh, pranon Milena Vezenkova dhe shton:
“Kur u tregoj për shkollën në fshatin tim të lindjes dhe se si tavolinat ishin të mbushura me rërë dhe fëmijët shkruanin mbi atë rërë. Dhe si Levski u këndonte atyre këngë, i çonte në shëtitje nëpër fshatrat fqinjë. Disa histori të thjeshta njerëzore. Sigurisht që ne mësojmë edhe fakte nga historia, por është e rëndësishme për ne që ta afrojmë imazhin e tij me kuptimet dhe perceptimet e tyre sot. Gjithçka që mund të bëhet për Levskin, ne e kemi bërë me studentët tanë - nga pikturimi i portretit të tij, bëmë një model 3D të shtëpisë-muze të Vasill Levskit në Karllovo, të cilin e shfaqëm në një ekspozitë, organizojmë prezantime, shkruajmë letra djret Vasill Levskit etj. Këtë vit bëmë edhe një film për të shënuar 150 vjetorin e vdekjes së tij”.
Fjalët e Milena Vezenkovës tingëllojnë si thirrje për një takim më të shpeshtë të historisë sonë të lavdishme me frymën e kohëve të sotme. Marrëdhënia e tyre është çelësi drejt kujtesës së brezave të ardhshëm. Tashmë kemi një brez tjetër emigrantësh, shprehet ajo.
“Metodat e punës që kemi përdorur 14 vite më parë, madje edhe pesë vjet më parë, tashmë janë të vjetruara dhe nuk funksionojnë në mënyrë adekuate për nivelin e njohurive dhe natyrën e fëmijëve që vijnë tek ne. Një numër shumë i madh prej tyre tashmë kanë anglishten si gjuhë të parë, kanë lindur këtu, mendimi i tyre është ndryshe. Fëmijët nuk e shohin më Bullgarinë si atdheun e tyre. Sepse, e them përsëri, ata fjalë për fjalë nuk kanë lindur atje. Ata e shohin vendin tonë si një vend për pushime verore, për të parë të afërmit e tyre, ku shkojnë për një kohë të shkurtër. Imazhi i tyre për Bullgarinë është i ndryshëm nga ai që kemi unë dhe njerëzit e brezit tim. Për të vegjlit, Bullgaria është atdheu i prindërve të tyre”.
Milena përkrah një mënyre më moderne dhe më teknologjike të mësimdhënies për fëmijët bullgarë jashtë vendit, me aktivitete më praktike, ndërvepruese, teatër, muzikë, art - e gjithë kjo duhet të jetë pjesë e pandryshueshme e procesit mësimor sot, për të mbajtur interesin dhe kuriozitetin te bullgarët "e rinj".
Pa mbështetjen që kemi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të ishte shumë e vështirë, dhe në shumë raste edhe e pamundur, të kishim kaq shumë shkolla bullgare jashtë vendit. Ne kemi mbështetjen e Bullgarisë dhe kjo ndihet”.
Dhe siç thotë vetë Vasill Levski: “Ne nuk shpresojmë asgjë nga ashkush dhe nuk i lutemi askujt për asgjë. Gjithçka varet nga ne, nga forcat tona të përbashkëta. As stuhia më e madhe nuk mund të rezistojë kundër tyre”.
Shkolla bullgare "V. Levski" në Barking të Londrës Lindore iu bashkua nismës së Radio Bullgarisë "Për Levski" me rastin e 150 vjetorit nga vdekja e Apostullit. Faleminderit për fotot dhe videon e mrekullueshme, në të cilat secili fëmijë ndërton "marrëdhënien" e tij me heronjtë e historisë bullgare dhe sidomos me më një prej më të dashurit mes tyre – Vasill Levski!
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: bgshkolo.co.ukVazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të..