Deklarata e partneritetit strategjik midis Bullgarisë dhe Rumanisë e datës 15 mars 2023 "në njëfarë mënyre kapërcen prapambetjen e shkaktuar nga e kaluara dhe na çon drejt zhvillimit të potencialit në fusha të ndryshme" midis dy vendeve. Kështu deklaroi ambasadori bullgar në Bukuresht, Radko Vllajkov. Ai foli me Vlladimir Mitevin nga redaksia rumune e Radio Bullgarisë për fazën e re në të cilën po hyjnë marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me komunitetet tradicionale të bullgarëve në Rumani.
Sipas ambasadorit Rajkov, Deklarata demonstron rritjen e përgjegjësisë së dy vendeve në rajonin e Detit të Zi dhe në kontekstin e luftës në Ukrainë. Në të deklarohet bashkëpunim për të kapërcyer pengesat për hyrjen në zonën Shengen.
“Siç dihet, për më shumë se 11 vjet Bullgaria dhe Rumania kanë përmbushur kriteret teknike për anëtarësim në Shengen. Të dyja vendet në një farë mënyre nuk biem dakort dhe jemi të zhgënyera për faktin se krahas kritereve teknike po aplikohen edhe kritere politike, të cilat deri më tani kanë vonuar anëtarësimin tonë në Shengen. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme për mua është deklarata e presidentëve dhe dëshira që përmban deklarata që Bullgaria dhe Rumania së bashku të vazhdojnë të mbrojnë anëtarësimin e tyre në Shengen. Kjo është një fushë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë afatshkurtër në sfondin e dimensionit strategjik të funksionimit të çështjes së nënshkrimit të dy marrëveshjeve, që janë praktikisht gati. Bëhet fjalë për projektin Fast Danube, i cili mundëson lundrimin gjatë gjithë vitit në lumë dhe ndërtimin e urës së re hekurudhore në zonën Ruse-Gjurgevo. Mund të theksoj se presim që të dy dokumentet të nënshkruhen brenda muajve në vijim dhe do të jenë vërtet një shtysë e re për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe një zhvillim praktik i filozofisë sonë të përbashkët që Danubi nuk duhet të na ndajë”.
Në lidhje me Ukrainën, është shprehur qartë jo vetëm mbështetja për këtë vend, por edhe synimet për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Bullgarisë dhe Rumanisë, theksoi ambasadori Vllajkov:
“Në deklaratë i kushtohet vëmendje shumë serioze mirëkuptimit të përbashkët të Bullgarisë dhe Rumanisë për luftën në Ukrainë. Të dyja palët dënojnë luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe e vlerësojnë si një nga shkeljet më të rënda të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Bullgaria dhe Rumania do të vazhdojnë mbështetjen e tyre të fortë dhe të plotë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.”
Priten bashkëpunim dhe konsultime të ardhshme në lidhje me anëtarësimin në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
“Bullgaria renditet në grupin e vendeve, si Shtetet e Bashkuara, Franca, Spanja, Italia, Polonia, Hungaria, Turqia, Japonia etj., të cilave Rumania i jep rëndësinë më të madhe në marrëdhëniet e saj. Ju e kuptoni që renditja e këtyre vendeve tregon , se Bullgaria zë një vend shumë të denjë në synimet e ardhshme të fqinjëve tanë”- tha ambasadori Vllajkov.
Sipas diplomatit bullgar, vitet e fundit dy vendet fqinje e kanë rizbuluar veten, siç dëshmohet nga zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike:
“Ne jemi shumë të kënaqur me nivelin e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve, shkëmbimi i mallrave mes dy vendeve është vazhdimisht në rritje – thekson ambasadori Vllajkov. – Vitin e kaluar, sipas të dhënave të ndryshme statistikore, shkëmbimi i mallrave ishte mbi 8-8.5 miliardë euro. Rumania është padyshim partneri i dytë më i madh i tregtisë së jashtme të Bullgarisë dhe Bullgaria renditet midis vendit të tretë dhe të katërt sa i përket Rumanisë. Këto rezultate të shkëlqyera ekonomike janë arritur në kushte problematike të transportit midis dy vendeve - në prani të vetëm dy urave dhe dy pikave kufitare tokësore. Aspirata ime si ambasador është të punoj së bashku me ekipin e ambasadës në Bukuresht për të pasur kontakte më të drejtpërdrejta për të kontribuar në marrëdhëniet mes njerëzve.”
Në regjistrimin e fundit në Rumani nga viti 2021, 6000 njerëz u deklaruan si bullgarë. Qytetarët rumunë që kanë ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre bullgare ngjallin admirimin e Radko Vllajkovit, sipas të cilit ata meritojnë respekt të madh.
Ambasadori Vllajkov theksoi nevojën për organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës bullgare në Rumani, e cila në këtë fazë po përballet me vështirësi të ndryshme.
“Mësimi i gjuhës bullgare nuk është më vetëm një domosdoshmëri për pakicën për të ruajtur lidhjen me Bullgarinë. Studimi i bullgarishtes mund të jetë një profesion për disa nga rumunët. Dhe në këtë drejtim, përpjekjet tona kanë të bëjnë me hapjen e lektorateve bullgarë në universitete të ndryshme” - thotë ambasadori Vllajkov.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: mfa.bg, BTA
Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje..
Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) - “Horizont” disponin projekt-marrëveshjen për bashkëpunim 10-vjeçar në fushën e sigurisë mes Bullgarisë dhe Ukrainës. Dokumenti prej 20 faqesh, nënshkrimi i të cilit u shty, përcakton se Bullgaria do të sigurojë trajnime..
Në Rumani, një koalicion do të mbrojë rrugën evropiane të vendit Presidenti rumun Klaus Iohannis mblodhi parlamentin e ri të vendit më 20 dhjetor. Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan më 1 dhjetor, u fituan nga socialdemokratët në..