Në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm, deputeti më i madh në moshë Vezhdi Rashidov nga koalicioni GERB-SDS do t’i bjerë ziles së parë nga foltorja e Kuvendit të 49-të Kombëtar. Pa pritshmëri të mëdha edhe për jetëgjatësinë e këtij parlamenti – i pesti në kushtet e një krize politike dyvjeçare, të zgjedhurit e popullit do të përpiqen të gjejnë një përgjigje në lidhje me detyrën e vështirë të formimit të qeverisë.
Ndryshe nga situata pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 2 tetorit të këtij viti, kur presidenti Rumen Radev mblodhi Kuvendin në ditën e 17-të mbas votimit dhe vonoi konsultimet për një kabinet të ri për muaj të tërë, këtë herë kreu i shtetit ka vendosur të veprojë më shpejt. Ai deklaroi se do të caktojë ditën e parë të punës për deputetët sapo KQZ të shpallë emrat e të zgjedhurve dhe u bëri thirrje partive që të punojnë për gjetjen e një formule të qëndrueshme për formimin e një kabineti të rregullt, duke mësuar nga herët e kaluara.
Një qeveri e forcave politike që vetëpërcaktohen si "pro-evropiane" ose një bashkim rreth të ashtuquajturit "koalicion në letër" (GERB, BSP dhe DPS) - kjo është dilema e madhe paszgjedhore. Megjithatë, gjithnjë e më shumë analistë sugjerojnë se së shpejti na presin zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, pasi as fituesit GERB-SDS nuk do të jenë në gjendje të mbledhin vota për kabinetin e tyre, dhe as kandidatët e dytë – koalicioni "Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike (PP-DB), apo ndonjë nga formacionet më të vogla. PP-DB tashmë ka njoftuar se nuk do të mbështesë në asnjë formë qeveri me mandat të GERB-it dhe forca e parë politike vështirë se do të rrezikojë të hyjë në një marrëveshje të hapur me BSP-në dhe DPS-në muaj para zgjedhjeve lokale.
Edhe nëse nuk arrihet të krijohet një qeveri, deputetët mund të arrijnë të zgjidhin disa çështje urgjente. Tashmë për katër muaj, shteti po punon me një buxhet të zgjatur të vitit të kaluar dhe reforma e shumëpritur në drejtësi dhe pranimi i ligjeve nga të cilat varet përfitimi i fondeve nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës po zgjaten për periudha të pasigurta.
Në godinën madhështore të Kuvendit, themelet e së cilës u hodhën në vitin 1884 me ëndrrat e një Bullgarie të lirë, evropiane dhe të begatë vetëm pak vite pas Çlirimit, bankat e deputetëve do të zihen nga përfaqësues të gjashtë forcave politike sipas vullnetit të votuesve.
Grupi më i madh parlamentar - GERB-SDS, përbëhet nga 69 deputetë, "Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike" përfaqësohet nga 64 deputetë, "Vëzrazhdane" - 37, DPS - 36, BSP - 23, dhe "Ka një popull të tillë" - nga 11.
Ashtu si në parlamentin e kaluar, 58 nga 240 deputetë janë gra. Deputeti më i ri, Georgi Krëstev nga GERB, është 24 vjeç, dhe më i madhi në moshë, Vezhdi Rashidov nga GERB, është 72 vjeç. Ramadan Atallaj nga DPS mban rekordin për numrin e mandateve parlamentare me 12. Në radhët e të zgjedhurve të popullit dallohen dy kryeministra - Bojko Borisov dhe Kirill Petkov, dhe përveç profesioneve tradicionale si avokatë, ekonomistë dhe mjekë, kemi edhe dy poetë, dy ish-mundës e peshëngritës dhe një organizator dasmash.
Menjëherë pas betimit solemn, të përzgjedhurit e popullit duhet të zgjedhin kryetarin e tyre dhe të fillojnë me krijimin e ligjeve. Në këtë kohë, presidenti është i detyruar me Kushtetutë të bëjë konsultime me forcat e përfaqësuara në parlament përpara se të dorëzojë mandatin e parë për formimin e kabinetit. Dhe nëse nuk ia del me asnjë nga të trejat, e pret e zakonshmja - të emërojë një qeveri të re të përkohshme.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Fushata e shtatë zgjedhore në maratonën politike në tre vitet e fundit është në final. Vallë, a dëgjuam mesazhe për një rrugëdalje nga kjo krizë, apo lajmet tradicionale të blerjes së votës, blerësit e vërtetë të të cilave nuk u zbuluan..
Njerëzit janë në pritje të titujve përfundimtarë të serialit “Loja e Zgjedhjeve”, nëse e shohin edhe mbishkrimin “fund” do të jetë më së miri”, tha kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev në fillim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Të gjithë..
Greqia mori këstin e katërt prej gati 1 miliard euro në kuadër të PRQ-së Komisioni Evropian i pagoi Greqisë këstin e katërt sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PRQ) me vlerë 998.6 milionë euro. Këtë e raporton televizioni shtetëror..