Kishte edhe bullgarë të tillë - ata nuk mund të duronin prangat e shpirtit të tyre, por për të jetuar në liri duhej të fitonin fillimisht çlirimin e popullit të tyre. Pasardhësit u ngritën monumente disave prej tyre, por shumë të tjerë ende zhyten në harresë, pavarësisht veprave të tyre heroike.
Përballë altarit të katedrales katolike metropolitane “Shën Jozefi” përmbajtja e tre fletoreve, të shkruara me dorëshkrimin e mundimshëm të një të burgosuri politik, më në fund morën jetën e tyre. "Apostolli - një tragjedi në pesë akte" e Georgi Zarkin, që lindi gjysmë shekulli më parë në qelinë e burgut të Stara Zagorës, arrin tek lexuesit falë At Paolo Cortesi - një kërkues i së vërtetës, një përhapës tregimesh për këmbënguljen deri në fund dhe ruajtës i kujtimit për viktimat e regjimit komunist.
“Ky libër i shkruar në vitin 1970, u nxor nga burgu sepse administrata e tij nuk gjeti në të cilësitë dhe meritat e nevojshme letrare – thotë djali i autorit të tij Llëçezar Zarkin. – Është ruajtur për një kohë shumë të gjatë si një relikt i çmuar që të gjejë vendin e tij shpirtëror. Kjo po ndodh pikërisht në vitin në të cilin ne kremtojmë 150 vjetorin e varjes së Apostullit bullgar Vasill Levski”.
Me ndihmën e kishës katolike, Llëçezar Zarkin arriti të botojë një pjesë të veprës së burgut të babait të tij - romanin "Nderi", serialin dokumentar "Vullkani" për thelbin e regjimit diktatorial të Todor Zhivkovit, përmbledhjet me poezi "Përtej vijës" dhe "Nga tempulli i të vetëdënuarve". Në parathënien e "Apostulli", shkruar me rima në stilin e Shekspirit dhe në një nivel jashtëzakonisht të mirë, sipas vlerësimit të kritikës letrare, At Cortesi vëren: "Vetëm një bullgar i denjë që përjeton të njëjtin fat si Levski dhe mbart në zemrën e tij të njëjtën ëndërr për një ndryshim rrënjësor dhe pozitiv jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë, mund të na tregojë për këtë tragjedi dhe ky person i denjë është Georgi Zarkin”.
“Ai ka lindur më 3 mars 1940 në fshatin Beli Iskër /65 km në jug të Sofjes/ – nis tregimin për jetën e prindit të tij Llëçezar Zarkin. – Babai i tij u vra pa gjyq dhe dënim në ditët e fundit të shtatorit 1944, kur 68 persona nga komuna e Samokovit u hodhën në humnerën 138 metra të Shkëmbit të Zi. Që si fëmijë Georgi ka shfaqur një talent - sipas tregimeve të hallave dhe xhaxhallarëve të mi, çdo minutë të lirë ai ka përdorur për të lexuar ose shkruar. Pas shkollës teknike bujqësore ka studiuar me korrespondencë kinematografi dhe është bërë fotoreporter në gazetën “Zamedellsko Zname”. Pikërisht në cilësinë e gazetarit, Georgi Zarkin takoi përgjegjësin e digave dhe rezervuarëve, Gjen. Ivan Todorov-Gorunja dhe prej tij mësoi për grushtin e shtetit që po përgatitej. Në fillim të vitit 1966, Georgi Zarkin krijoi një grup prej katër personash që shkruan thirrje për luftë të armatosur dhe përmbysje të regjimit të Todor Zhivkovit, por ai u arrestua, u vu në gjyq dhe u torturua. Në burg, ai e ndërtoi veten si një demokrat i vendosur dhe një kundërshtar i regjimit totalitar komunist”.
Në premierën e "Apostulli", At Paolo Cortesi hodhi një paralele midis heroit të librit Vasill Levski dhe autorit të tij Georgi Zarkin - njëri jetoi gjatë "sundimit të huaj osman", tjetri gjatë "skllavërisë vëllazërore komuniste", por që të dy u flijuan në emër të idealit më të shenjtë.
“Janë të persekutuar, janë privuar nga liria, janë bërë viktima të kësaj robërie”, thotë prifti nga tempulli “Lindja e Shën Mërisë” në Belene. - Në qeli Georgi Zarkin përjeton të njëjtën etje për liri që përjeton Levski, të njëjtën dhembshuri për popullin, të njëjtat ëndrra që skllavëria të hiqet dhe të gjithë të jetojnë të lirë së bashku, duke ndërtuar historinë e tyre në liri dhe respekt. Së bashku me njerëzit e vuajtur ata ndjejnë etjen për liri dhe nuk dorëzohen.”
Kështu, Georgi Zarkin, i dënuar me regjim të rreptë, kaloi 11 vjet e 6 muaj në burg, ku vdiq me dhunë nga mbytja me jastëk dhe rrahja me zorrë gome. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai i qëndroi besnik detyrës së tij qytetare dhe thirrjes së tij si krijues. Më 15 korrik 1968, ndërsa populli çekosllovak po përpiqej të zmbrapste trupat pushtuese sovjetike, Zarkin i dërgoi një letër proteste Todor Zhivkovit, në të cilën shkruante se "vendi ynë po shkon drejt një katastrofe morale dhe strategjike", se "po ndiqet një politikë antipopullore", se "Bullgaria është bërë baza eksperimentale e Rusisë".
"Georgi Zarkin jo vetëm që guxoi (të thoshte të vërtetën për rolin e Rusisë në atë kohë), por ai e bëri atë me shkrim dhe hyri në një grevë urie 28-ditore në shenjë proteste kundër pushtimit të trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, të cilët shtypën Pranverën e Pragës me armë dhe makina lufte” - thotë Llëçezar Zarkin.
Më 6 gusht 1977, një veturë “Volga” e zezë me tre oficerë të Sigurimit të Shtetit ndaloi para burgut të Pazarxhikut, ku u transferua Georgi Zarkin. Kishte ardhur koha për të zbatuar dënimin me vdekje me kërkesë të zv/ministrit të brendshëm Gjen. Grigor Shopov për letrën protestuese drejtuar Todor Zhivkovit: “I keq. Të vritet.” Ekzekutimi i të burgosurit që u fut edhe një herë në qeli u bë një ditë më vonë - në prag të kongresit të parë të shkrimtarëve në Sofje, për shkak të frikës së shërbimeve që pjesëmarrësit e huaj mund të kërkojnë një takim me të dhe të mësojnë nga ai për torturat fizike dhe psikike. Për më tepër se poezitë e tij, të shpërndara nga të burgosurit e liruar, tashmë po lexoheshin në Radion “Evropa e Lirë” dhe shkrimtarë, poetë dhe gazetarë shprehnin dëshirën për ta mbështetur atë.
Edhe pse kanë kaluar 33 vjet nga rënia e pushtetit komunist, shoqëria jonë vazhdon të njihet me persona që nuk ulën kokën para regjimit dhe krijuan në kundërshtim me modelet e kohës. “Është koha që institucionet shtetërore në Bullgari të merren me botimin dhe popullarizimin e kësaj krijimtarie të vlefshme dhe me ndryshimin e sistemit të vlerave”, thotë Llëçezar Zarkin.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Diana Cankova
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Arkeologët bullgarë zbuluan një statujë të dytë në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit antik Heraklea Sintika. Arkeologët nga ekipi i Prof. Dr. Ljudmill Vagalinski hasën në një tjetër skulpturë mermeri pranë vendit në kanal ku në..
Shenjtërorja trake e Begliktashit ndodhet 5 km nga qyteti i Primorsko dhe është vetëm një nga kuriozitetet interesante në rajon. Në zonën përreth shihen edhe dolmenë të shumtë të ruajtur mirë që lidhen me ritualet e varrimit të fiseve trake. Në fakt,..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..