Sot festojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas si një njohje e arritjeve ekonomike, politike dhe sociale të grave. Dhe megjithëse jetojmë në një botë të emancipuar ku barazia gjinore është një kusht dhe vlerë demokratike, gratë do të kenë gjithmonë një detyrë më shumë - atë të dhurimit të një jete të re. Ju kemi treguar tashmë historinë e Gabriela Peloiu nga Rumania dhe përvojën e saj të të qenit nënë jashtë vendit. Sot ju takojmëme Cvetanka Apostollovën, e cila është një nga mijëra bullgaret që vendosën të ndërtojnë jetën e tyre në Britaninë e Madhe. Ajo e bëri këtë 20 vjet më parë, kur la vendlindjen e saj, qytetin Stambolijski, dhe punën e saj si gazetare, në emër të një të ardhmeje më të mirë. Cveti ka një diplomë master në gjuhën dhe historinë bullgare në Universitetin e Plovdivit dhe aktualisht është ndihmës-mësuese në një shkollë angleze. Çdo të shtunë ajo u mëson fëmijëve bullgarë gjuhën e tyre amtare në shkollën bullgare “Han Asparuh” në Brighton dhe në kohën e lirë jep mësime të jogës në një shkollë të vet.
Për të, joga është një pasion, një filozofi, një mision, një rrugë dhe një mënyrë jetese që e solli atë në Brighton. Qyteti njihet si qendra e kësaj praktike orientale në Britani. Sot, një nga misionet më të rëndësishme në jetën e Cveti është të jetë nënë dhe t'i mësojë vajzës së saj gati gjashtëvjeçare, Mellëdi, gjuhën e përsosur bullgare dhe dashurinë për Bullgarinë.
“Vajza ime erdhi në një fazë shumë të vonë të jetës sime, kur nuk e prisja. Për mua ishte një mrekulli e vërtetë dhe një dhuratë e dërguar nga Zoti. Atëherë i thashë vetes - do ta rris këtë fëmijë në mënyrën më të mirë të mundshme, do të bëj ç'është e mundur që t'i përcjell vlerat e mia, të cilat do të bëhen të saja, dhe do t’ia japë dashurinë time për Bullgarinë”- na tregoi bullgarja.
Dhe e bëri. Derisa ishte shtatzënë, Cveti filloi t'i flasë e t'i këndojë fëmijës së saj në gjuhën amtare dhe të planifikojë udhëtime të shpeshta në atdhe me vogëlushen. Çdo verë Mellëdi kalon të paktën një muaj në Bullgari, flet mrekullisht bullgarisht dhe ka shumë miq në Stambolijski. Shpesh, të afërmit e Cvetit bëjnë shaka me të, duke e pyetur nëse vajza e di edhe gjuhën e babait të saj i cili është anglez.
Kjo është gjuha jonë e veçantë - i thotë Cveti vajzës së saj. Edhe babai i Mellëdi ka mësuar shumë fjalë dhe shprehje bullgare. Dhe kështu dashuria dhe interesimi për Bullgarinë është rritur në familjen e tyre.
“Për mua, lidhja ime me Bullgarinë përmes fëmijës është hedhja e rrënjëve, një lidhje me traditën, një pasuri. Nuk mund ta privoj fëmijën tim nga kjo, sepse unë vetë nuk kam përjetuar momente të keqe në Bullgari. Vetë fakti që kam lindur dhe jam rritur këtu, që kam miqësi kaq të mira në këtë vend, janë vlera që do të më lidhin me vendin deri në fund të jetës sime. Përveç kësaj, Bullgaria për mua është një cep i parajsës, me njerëz shumë të mirë dhe të ndërgjegjshëm, me natyrë dhe histori të jashtëzakonshme. Kam udhëtuar në vende të tjera të botës, por këtu është e veçantë. Bullgaria është vendi im dhe do të kthehesha të jetoja sërish këtu”, thotë Cveti pa hezitim.
Ky është një kthim që lidhet me miqtë dhe angazhimin me natyrën dhe ekologjinë bullgare, sepse sa herë vij në shtëpi Cveti i bëjnë një përshtypje shumë të keqe mbeturinat. Dhe ajo na tha se tashmë ka menduar seriozisht për disa projekte të përshtatshme për edukimin e brezit të ri në Bullgari për riciklimin dhe ekologjinë. Ky është shkaku që do ta kthejë atë në vendlindje. E deri atëherë, me shembullin e saj personal, Mellëdi e vogël po “mëson” se si të mbrojë mjedisin ku jeton, sa e rëndësishme është t’i duash rrënjët e veta dhe t'i pranosh ato si pasuri në rrugën drejt ëndrrave në botën e madhe.
Përpiloi: Vesella Krësteva (është përdorur intervista e Ina Nikollovës për BNR – Stara Zagora)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Joyful Lotus YogaBullgarët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, por nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e tyre, pasi ende nuk janë publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë së vitit të kaluar. Jo pak shqiptarë me vetëdije..
Vështirë se ekziston një djalë që nuk ka dashur të bëhet astronaut. Edhe pse më rrallë, të tilla aspirata kanë edhe vajzat. Mes tyre është udhëtarja Izabella Shopova, heroi më i madh i së cilës në fëmijëri ishte Yuri Gagarin. Ajo i përshkruan udhëtimet e..
Krasimir Karailiev ka lindur në Sllovaki, por prejardhja e tij është nga Bullgaria. Ai është pasardhës i kopshtarëve bullgarë, fama e të cilëve u përhap në një sërë vendesh evropiane në fund të shekullit të ХІХ-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të..