Në një mbrëmje të ftohtë të dhjetorit të vitit 1896, publiku i Sofjes ra në heshtje në sallonin e hotel “Maqedonia”. Sapo kishte përfunduar një seancë hipnotike nga ndonjë Prof. Melinson, i cili prezantohej si “profesor i fizikës”. I huaji misterioz kishte mbërritur në Sofje që në tetor të po atij viti dhe seria e tij e seancave shpirtërore dhe hipnotike ishte ndër ngjarjet më të diskutuara në kronikën laike të asaj kohe. Por më 8 dhjetor në fjalë, profesori misterioz për herë të parë demonstroi një mrekulli të vërtetë – “foto në lëvizje”. Publiku ishte pa fjalë.
“Pastaj prof. Melinson bëri një tjetër shfaqje me kinematografin në datat 10-11 dhjetor në hotel "Bullgaria", përballë pallatit mbretëror. Dhe kjo u pasqyrua në shtypin e atëhershëm. Para se t’i lexoja këto njoftime, për më shumë se gjysmë shekulli ishim të bindur se projeksioni i parë kinematografik në Bullgari ishte bërë në qytetin Ruse në vitin 1897. Në fakt, rezulton se disa muaj para kësaj, Sofja ishte e para e cila u ndriçua nga rrezet e kinematografit”- pohon kritiku i artit dr. Petër Kërxhillov. Ai së bashku me doc. dr. Irina Kitova dhe Zornica Krësteva, është autor i “Kronikës së kinemasë pa zë në Sofje (1896–1933)”, që u botua para pak kohe, me tekste interesante dhe mbi 700 fotografi, faksimile dhe vizatime, që na tregojnë për agimin e kinemasë bullgare.
“Në dhjetor 1896, një film i xhiruar në Bullgari - në portin e Varnës - u shfaq në Bullgari. Ky është filmi i parë i xhiruar në Bullgari dhe është filmi i parë fare i xhiruar në Gadishullin Ballkanik. Ai duhet të jetë bërë ose në verë, ose më së voni në fillim të vjeshtës së vitit 1896, për t'u shfaqur në fillim të dhjetorit në Sofje”, përfundon Petër Kërxhillov.
Në fillim të shekullit të 20-të në Bullgari mbërritën kinematë e para të mëdha të lëvizshme, të ngjashme me cirqet moderne. Në atë kohë, kinemaja ishte si televizioni i sotëm - elementi kryesor i programit ishin kronikat dokumentare të ngjarjeve botërore, si për shembull Lufta Ruso-Japoneze e viteve 1904-1905.
“Pronarët e kinemave të para stacionare në vendin tonë vendosën të xhirojnë filma vetë dhe të mos mbështeten më vetëm tek të huajt që vijnë, xhirojnë filma të shkurtër dhe largohen”, thotë Petër Kërxhillov. Kështu, në vitet 1908-1909, kronikat e para vendase u filmuan në Bullgari, për të arritur pikën e kthesës për kinematografinë bullgare në vitin 1914:
“Në prag të Luftës së Parë Botërore, drejtuesit e Teatrit Modern në Sofje u mblodhën dhe vendosën të realizojnë filmin e parë artistik bullgar “Bëllgarani është galant”. Vasill Gendov - atëherë një aktor i ri, i cili më pas u bë regjisor i 10 filmave të tjerë artistikë - luajti në komedi. Në këtë mënyrë u hodhën themelet e kinematografisë bullgare dhe Gendovi dhe gruaja e tij Zhana Gendova u bënë yje të kinemasë bullgare pa zë – tha në përfundim Petër Kërxhillov.
Shikoni gjithashtu:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Arkivi personal i Petër Kërxhillovit
Pak vite përpara se të ndjenim frymën e lirisë që erdhi pas rrëzimit të Murit të Berlinit, shumë muzikantë, artistë, shkrimtarë performonin për herë të parë në skenat e festivalit "Apolonia" në Sozopoll . I njohur asokohe me pseudonimin..
Një ekspozitë fotografike kushtuar personalitetit të basit të madh bullgar të operës Boris Hristov mund të shihet deri më 28 gusht në Sofje. Ekspozita organizohet nga departamenti "Kultura, Arkeologjia dhe Trashëgimia Kulturore" e Bashkisë së..
Qyteti i Kazanllëkut, i vendosur në Luginën Bullgare të Trëndafilave, është zgjedhur për të pritur në vitin 2025 Konkursin Ndërkombëtar të Lutierëve të Violinës, Violës, Violonçelit dhe Kitarës. Forumi do të mbahet gjatë Festivalit të njohur të..
Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita..