Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgari Ilia Peikov “fluturoi” në hapësirë para Gagarinit

Artisti fal shpirtin e tij në "Luginën e heshtjes"

4
Fotot: iliapeikov.com

Kometa të bardha presin qiellin, planetët lëshojnë një shkëlqim të kuqërremtë, retë janë shtruar si push. Papritur, nisem për një udhëtim në hapësirë. Unë jam i pranishëm në Krijimin e botës. "Ky është Ilia," dëgjoj një zë që më bën të kthjellohem. Ëndrra ka mbaruar, por nga muret pikturat vazhdojnë të shikohen. Apartamenti në katin e katërt në një lagje të qetë romake rezulton të jetë një vend i përcaktuar. Prej aty, si nga një port kozmik, njerëzit me shqisa të mprehura nisen drejt pafundësisë. Dhe diku midis yjeve, planetëve dhe galaktikave ata takojnë shpirtin fluturues të Ilia Peikov - bullgarit që pa hapësirën para se Gagarin të fluturonte.

“Ishte një perëndim i bukur i kuq mbi malin e Vitoshës. Ilia shikonte diellin derisa rrezja e fundit u shua. Në këtë mbrëmje të pazakontë vere për të, diçka u kthye përbys në shpirtin e tij”. Ne të dy duket se shohim dritën e zjarrtë. Këtu në kooperativën e vjetër romake, Iole Mancini më udhëheq nëpër universin që bashkëshorti i saj e ka vulosur nëpër telajot e tij.

Në fillim kishte qenë dashuria për artin. Ishte pikërisht ajo që në vitet 1940 e çoi Ilia Peikovin në Romë, ku vëllai i tij Aseni kishte çarë tashmë në jetën artistike.

Asen dhe Ilia Pejkov

I lindur në vitin 1911, piktori i planetëve, yjeve dhe diellit mbeti përgjithmonë në qytetin e përjetshëm dhe vite më vonë, kur e pyetën nëse mendonte për vdekjen, ai tha: “Nuk kam frikë të vdes, më vjen keq vetëm se do të lë Romën."

Në Itali, Ilia i ri bie në vorbullën e një jete boheme, të cilën në vendlindjen e tij Sevlievo as që e kishte ëndërruar. Në atë kohë, Aseni tashmë kishte një studio në rrugën më elegant romake - Via Margutta. Shoqëruesit e tij nëpër ahengjet e zhurmshme janë Vittorio de Sica, Federico Fellini, Ava Gardner. Kontakti me yjet, i ngritur nga publiku në rangun e perëndive, e përfshin në një botë fantastike bullgarin e ardhur si nga një planet tjetër. Pikërisht në Via Margutta - shtëpia e vërtetë dhe e vetme e artistëve, Ilia Peikov fillimisht "eksploroi" qiellin me sytë kureshtarë të një piktori fillestar.

“Ilia vërtetonte me pikturat e tij pamjet që u transmetuan më vonë nga Kozmosi”, thotë Iole Mancini. Zonja e moshuar më tregon telajot e vendosura ngjitur me njëra tjetrën nëpër dhoma dhe në korridorin e banesës së vogël. "Ato janë të gjitha mrekullitë e mendjes njerëzore." Në këtë atmosferë në kufi me realen, u njoha me mjeshtërinë e bullgarit, të cilin në Itali e quajnë “astronaut në art”, por në vendlindjen e tij ai njihet pak, vetëm nga njohësit më të zjarrtë.

Iole Mancini dhe Ilia Peikov

Bojërat e vajit të pikturave janë të aplikuara me gishta. Artisti i vetmësuat i hedh penelat “për ta ndjerë me prekjen e tij përbërjen e jetës”, kujton zonja Mancini. Megjithatë, pas shkrirjes së gjatë në bojëra, duart e tij infektohen dhe më në fund i drejtohet një “ndërmjetësi” mes imazheve imagjinare dhe telajos. “Ilia pëlqente të përziente ngjyrat e ndezura dhe e kuqja ishte e preferuara e tij”, vazhdon ajo. Gjatë njërës prej këtyre përpjekjeve, lindi marka e artistit - një shkëlqim i zjarrtë, të cilin artisti e quajti "E kuqe Pejkov".

Iole Mancini shpesh ndalet në studion e të shoqit.


“Kur rrija në studio, dhe e vëzhgoja e pyesja se çfarë po pikturonte. Ai përgjigjej: "Nuk e di, do të shoh se çfarë do të më vijë në mendje". Më pas kalonin disa ditë në të cilat ai ngadalë i afrohej imazhit përfundimtar.” Papritmas ajo buzëqesh, sepse sapo ka “parë” piktorin me mustaqe të lyera duke i shfryrë nervat mbi paletën, duke u përpjekur të zbusë ngjyrat e ngatërruara dhe shumë të ndezura. “Ilia niste disa telajo në të njëjtën kohë dhe çdo ditë, sipas eklipsit të tij momental, shtronte ngjyrat”, kujton Iole Mancini.

Kur Gagarin kthehet nga udhëtimi i tij në hapësirë, ai beson se është i vetmi person që ka parë universin. Megjithatë, kur ndeshet me peizazhet kozmike të Ilias në Romë, mahnitet. “Nuk është e mundur të transferosh në telajo atë që është në realitet”, i thotë ai artistit. Ndërkohë në ekranet botërore del “Odisea 2001” e Stanley Kubrick dhe këtë herë miqtë pyesin “profetin kozmik” me pyetjen se si është e mundur që pamjet nga telajot janë tamam si ato të filmit.


“Ai mendonte se atje lart, fotot e imagjinatës së tij ekzistonin”, shpjegon mrekullnë zonja Mancini. "Ai nuk kishte teleskop, kështu që ai nuk mund të shihte në qiell atë që shihte vetëm në imagjinatën e tij." Megjithatë, për kardinalin e Vatikanit që vizitoi një nga ekspozitat e tij, nuk kishte asnjë mrekulli – Ilia gjendet më afër Zotit se çdo besimtar tjetër, prandaj ai zbulon sekretet e universit në pikturat e tij.

Një dritë e butë vjen nga një peizazh rozë e zbehtë. Tonet e lehta rrezatojnë qetësinë hyjnore. Koha ka ndalur në “Luginën e Heshtjes”. Këtu, në mes të heshtjes së përjetshme, prehet shpirti i Ilia Peikov.

“Kam vizatuar vendin ku do të pushoj një ditë, kur nuk do të jem më në këtë botë”, tha në fund të ditëve të tij Ilia Peikov. “Lugina e heshtjes” është realizuar në vitin 1987 – një vit para vdekjes së tij. Sot piktura është te Frati Minimi / urdhri fetar i themeluar nga Shën Françesku i Paolës në 1435 - shënim i redaktorit /. Murgjit gjithashtu kanë ruajtur piktura të tjera që u ka dhënë artisti. Në mënyrë të veçantë për gruan e tij, Ilia pikturoi për të dytën herë pikturën dhe ia kushton "Mikeshës sime në këtë rrugëtim tokësor". Telajoja e vogël sot qëndron e varur në dhomën e gjumit të zonjës Mancini dhe është kujtimi më i dashur i shoqes së tij të përjetshme.

Italia nuk dëshiron të harrojë artistin e parë në botë që u tregoi njerëzve se ata janë vetëm një grimcë pluhuri në universin e pafund. Në vitin 2007, komuna romake pranoi të emërtojë një shesh me emrin Ilia Peikov, dhe kjo hapësirë ​​do të kujtojë përgjithmonë zotërinë bullgar të Republikës Italiane, pikturat hapësinore të të cilit ende zbukurojnë galeritë prestigjioze dhe koleksionet private në mbarë botën.

*Intervista me Iole Mancinin në Romë është bërë në vitin 1999.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: iliapeikov.com, arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Darena Gesheva me bashkëshortin e saj Krikor, gjithashtu anestezist

Darena Gesheva dhe jeta e saj e denjë për një roman aventuresk

Knezha, Sofja, Afrika e Jugut, Botsvana dhe ... Asenovgrad ndërthuren në jetën e bashkatdhetares sonë Darena Gesheva dhe sigurisht i japin asaj kujtime të panumërta për t'u treguar miqve dhe vizitorëve në kafenenë e saj në qytetin afër Plovdivit. Vendi..

botuar më 24-06-05 7.30.PD

Cveti dhe buajt e saj "të lumtur" të racës bullgare murra

Ajo është e bukur, e hollë, e re dhe e arsimuar. I ka të gjitha cilësitë për të pasur një karrierë të suksesshme në botën e pasarelave apo në atë të reklamave! Por ajo zgjedh të rrisë ...buaj në fshat. Cvetelina Nedkova u diplomua me nota të shkëlqyera..

botuar më 24-05-30 7.30.PD

Një delegacion shtetëror bullgar sjell në Vatikan simbolet bullgare të paqes dhe unitetit shpirtëror

Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..

botuar më 24-05-21 7.30.PD