Bullgarët e Besarabisë, bashkatdhetarët tanë nga Krahinat Perëndimore /rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare/ dhe Maqedonia e Veriut, si dhe komunitetet e vjetra bullgare në vendet e Evropës dhe të botës, kanë historitë e tyre, të cilat, pak a shumë, janë të njohura për ne ose i ndjekim më shpesh në rrjedhën e përditshme të informacionit. Megjithatë, ekziston një komunitet bashkatdhetarësh që disi mbeten larg syrit të publikut. Këta janë bullgarët e Banatit, jeta e të cilëve është e mbushur me më shumë se një fatkeqësi dhe luftë për të ruajtur identitetin, mënyrën e jetesës, kulturën dhe traditat e tyre. Një kthesë në jetën e tyre shënoi vitin 1688, kur ata ishin ndër organizatorët e kryengritjes së Çiprovcit. Përgatitja e saj mblodhi njerëz me origjinë dhe statuse të ndryshme shoqërore, ndër të cilët kishte bujarë dhe klerikë të lartë bullgarë, tregtarë, pronarë dhe qiramarrës të minierave në Vllahi etj. Pas shuarjes së saj, ata u bënë viktima të persekutimeve të përgjakshme nga robëruesit. Sot, më shumë se 300 vjet pas ngjarjeve të errëta të vitit 1688, bullgarët e Banatit vazhdojnë të praktikojnë besimin e tyre dhe të jetojnë në qytete dhe fshatra të shpërndara nëpër Bullgari, Serbi dhe Rumani. Qyteti Çiprovci ruan gjithashtu kujtimin e lulëzimit të tij para vitit 1688, pikërisht falë bullgarëve të Banatit. Aty shkrimtari Petër Bogdan Bakshev krijoi “Historinë e Bullgarisë” në vitin 1667, e shkruar një shekull para asaj të At Paisij Hilendarskit.
Për qytetarin e shquar nga Çiprovci mësojmë nga pasardhësi i bullgarëve të Banatit, Aleksandër Llovrov, i cili na zbulon faqe jo shumë të njohura nga e kaluara e bullgarëve të Banatit dhe e plotëson boshllëkun e vetëdijes sonë bullgare më anë të librit të tij "Nga Kiprovec deri në Vinga".
Banati është diaspora më e vjetër bullgare që ka mbetur, në disa aspekte bullgarët e Banatit janë patriotë më të mëdhenj se ne - tregoi autori në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Për ta, Bullgaria është, siç thonë ata, "Nënë Bullgari e ëmbël", një legjendë, një idhull. Gjuha që ata flasin është bullgarishtja me një dialekt lindor të Rodopeve, por që me kalimin e kohës ka humbur dhe sot tingëllon si nga zona e Nikopolit dhe Svishtovit”.
Llovrov ka lindur në vitin 1945 në fshatin Asenovo, komuna e Nikopolit, ku së bashku me bullgarët jetojnë edhe përfaqësues të tre grupeve të tjera etnike - shvabët e Danubit nga Banati, hungarezët dhe shqiptarët. Besimi katolik i bashkon grupet etnike, si dhe burrat nën flamujt e ushtrisë bullgare, gjatë luftërave të shekullit të 20-të. Sipas Llovrovit, në atë kohë në vendin tonë jetonin rreth 3700 bullgarë të Banatit dhe së bashku me pasardhësit e tyre, numri aktual sot në të tre shtetet është rreth 7-8000. Ai thotë se nuk di shumë rreth fatit të emigrantëve nga Banati që i mbijetuan grushtit të shtetit në Bullgari në vitin 1944, por
“Në aspektin ekonomik, para 9 shtatorit, Mbreti Borisi i Tretë dërgoi njerëz për të njohur dhe zotëruar bujqësinë shumë efikase të bullgarëve të Banatit sipas mënyrës dhe modeleve të Evropës Qendrore – shton autori. - Kur vala e parë e bullgarëve nga Banati mbërriti në vendin tonë, në periudhën 1887-1893, ata sollën me vete teknologji, mjete, organizim dhe zell, të cilat ishin të jashtëzakonshme dhe shërbenin si shembull. Pas 9 shtatorit, kjo traditë u vazhdua nga Todor Zhivkovi, i cili po ashtu dërgonte njerëz”.
Aleksander Llovrov është një studiues jashtëzakonisht i përpiktë dhe gjithçka që ai ka shkruar është e kontrolluar, mësojmë nga redaktorja e botimit Svetllana Karaxhova:
“Kur vendosi të mblidhte të gjitha veprat e tij në një libër të vetëm, ideja e tij ishte ta bënte për nipërit e mbesat e tij. Në komunitetin e vogël të bullgarëve të Banatit, ne jemi të gjithë të lidhur në një farë mënyre, ndaj ky libër është për të gjithë ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Nëse e keni fatin ta dëgjoni të flasë për bullgarët e Banatit, ai tregon sikur të ketë gjithë kohën e botës. Ndihesh sikur koha ka ndalur dhe mund të dëgjosh për një kohë të gjatë, të kthehesh pas në kohë. Teksti i librit të tërheq të hysh në brendësi të tij. Fillon të lexosh dhe nuk mund ta ndalosh veten, pasi është i mbushur me shumë fakte, emra, data dhe ngjarje. Kushdo që e lexon do të kuptojë se çfarë do të thotë për ne të jemi bullgarë të Banatit. Beteja për kujtesën në kohën e sotme është ndoshta ajo më seriozja që jemi thirrur të luftojmë”- tha kategorikisht Karaxhova. Ndaj, sipas saj, botimi është një lloj udhërrëfyesi mbi njohjen e kujtimeve të çdo pasardhësi të bullgarëve të Banatit.
Pergatiti ne shqip: Kostandina Bello
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..