Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ikona e Shën Minait në Manastirin e Obradovskit ndihmon të gjithë ata që kërkojnë mbështetjen e tij si ndërmjetësi më i afërt me Zotin

7
Foto: Darina Grigorova

Në periferi të Sofjes, rreth 7 km në verilindje të qytetit, ku lumenjtë Vlladajska dhe Perllovska takohen përpara se të derdhen në Iskër, ndodhet Manastiri i Obradovskit. Ai është ndër manastiret më të vjetra të njohura rreth kryeqytetit të sotëm dhe i kushtohet dëshmorit të madh Minai, një luftëtar egjiptian që vdiq për besimin e krishterë. Besohet se në shekullin e XI-të, në këtë vend ndodhej një kompleks i madh manastiresh me 40 kishëza të vogla, shumë manastire dhe një shkollë fetare në Malin e Shenjtë, nga ku pelegrinët merrnin rrugën për në Aton. Qendra shpirtërore ka qenë pjesë e manastireve që përbënin Vendet e Shenjta të Sofjes. Pushtimet e kryqtarëve dhe më pas të turqve osmanë shkatërruan gradualisht Manastirin e Shenjtë dhe vetëm në fillim të shekullit të ХХ-të (1927) banorët vendas hasën mbetjet e tij. Restaurimi i manastirit filloi në vitin 1942 dhe pas vitit 1989 manastiri gradualisht filloi të tërheqë pelegrinë nga i gjithë vendi.


“Në manastir, forcë tërheqëse ka ikona çudibërëse e Shën Minait, dhe që nga viti 2010 objekt faljeje janë edhe një pjesë e lipsaneve të tij të shenjta - thotë igumeni i manastirit, At Boris. - Kështu, kushdo që i afrohet me shpresë, lutje të përzemërta dhe besim të sinqertë në mëshirën e Zotit, merr ndihmë të shpejtë më anë të ndërmjetësimit të Shën Minait. Shpesh, familjet pa fëmijë, të cilët për shumë vite janë përpjekur të bëhen prindër, menjëherë pasi i luten ikonës së mrekullueshme, bëhen me një fëmijë. Beqarët martohen me personin e duhur. Megjithatë, pjesa më e madhe janë shërimet e njerëzve të sëmurë rëndë. Kemi raste kur vetë mjekët u thonë pacientëve se kanë bërë atë që kanë mundur dhe pjesa tjetër i takon Zotit. Ata vetë i dërgojnë të luten këtu te ikona çudibërëse dhe eshtrat e shenjta të Shën Minait. Natyrisht, aty ku ka lutje dhe besim, Zoti vepron me dashamirësi dhe shfaq Mrekullitë e Tij të Mëdha.”

At Boris

Prandaj, në ditët rreth festës së shenjtorit më 11 nëntor, kur Kisha Ortodokse kremton kujtimin e tij, fluksi i besimtarëve drejt manastirit nuk ndalet. E ndërsa presin me përulësi të përkulen para ikonës dhe lipsaneve, njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin dëshmitë e mrekullive dhe kthesave pozitive që ka marrë jeta e tyre, falë ndërmjetësimit të Shën Minait. Ata gjithashtu shkruajnë emra për liturgjitë e shenjta dhe lexojnë lutjet e falënderimit, ofrojnë dhurata për ikonën çudibërëse:

“Do ta shihni vetë, që në manastir vijnë kryesisht të rinj – vë në dukje At Boris, i cili i vëzhgon me gëzim familjet e reja. - Sigurisht, të gjithë në një mënyrë ose tjetër janë thirrur nga Zoti për të ecur në rrugën e shpëtimit. Herët a vonë kjo gjë ndodh. Secilit prej nesh i është dhënë nga Krijuesi kjo ndjenjë fetare për të kërkuar Zotin. Është e rëndësishme të gjendesh në vendin e duhur, sepse sot është në modë të rinjtë të tërhiqen nga mësimet lindore, okultizmi dhe kjo është e dëmshme për shpirtin. Megjithatë, kur ata gjejnë rrugën drejt Kishës, kjo nuk ka sesi të mos na gëzojë”.

Në oborrin e manastirit, ku mbretëron paqja dhe koha duket sikur ka ndaluar, gjë që është e natyrshme për vende të tilla, takojmë një familje të re me një fëmijë të porsalindur. Nënë Tanja me dashamirësi dhe me një buzëqeshje pranon të ndajë me ne arsyen, që e ka sjellë atë në vendin e Shenjtë:

“Kam besim te të gjithë shenjtorët dhe më kanë ndihmuar shumë në jetën time. Ne kishim kohë pa ardhur këtu dhe prandaj vendosëm të vinim përsëri. Vetë tempulli është shumë afër zemrës sonë. Kjo është arsyeja pse tani ne morëm edhe Valentinin e vogël me vete ”.

Gjatë kësaj kohe të shkurtër, teksa shijojmë peizazhin dhe vetminë e vjeshtës në manastir, takojmë edhe prindër të rinj që kanë zgjedhur ta pagëzojnë fëmijën e tyre këtu që ai të rritet i shëndetshëm dhe i mbrojtur nga shenjtori mbrojtës i familjes së krishterë, Shën Mina.

Në të njëjtën kohë, vazhdon puna për restaurimin e kompleksit të manastirit, me synim rindërtimin e kishëzave të vogla dhe godinave, ku aktivitetet edukative dhe shpirtërore të vlojnë sërish.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Darina Grigorova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Familja e krishterë forcon marrëdhënien me Zotin

Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..

botuar më 24-11-21 7.35.PD

Misioni sekret i zepelinit L 59 apo si Jamboll hyri në histori me një rekord botëror

Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..

botuar më 24-11-11 7.05.PD

Gjetje kurioze arkeologjike në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll

Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..

botuar më 24-11-10 9.55.PD