Zgjedhjet kanë kaluar, por pasiguria për sa i përket të ardhmes pas tyre mbetet akoma. Pritshmërive për formimin e një kabineti të rregullt me një horizont më të gjerë, njerëzit kanë filluar tua shtojnë gjithnjë e më shumë shpresën se deputetët do të përpiqen të mbajnë nën kontroll inflacionin dhe të rrisin të ardhurat e tyre. Në prag të dimrit nevoja për shtrëngim të mëtejshëm të rripave për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe ngrohjes i shqetëson bullgarët. Opinionet janë të larmishme dhe në një masë të madhe përcaktohen nga ndarja e gjerë sociale midis të moshuarve me pensione nën 500 leva dhe të rinjve me të ardhura disa herë më të larta. Ja si e përcaktojnë qytetarët situatën në vend:
“E rëndë është ndjesia, që qarkullon lart e poshtë. Personalisht e ndjej duke parë të ardhurat, çmimet dhe diferencën e madhe midis njërës dhe tjetrës” – thotë një burrë me moshë mesatare në një sondazh të programit “Hristo Botev” të Radios Kombëtare Bullgare.
“Shqetësimet e mia janë inflacioni, rritja e çmimeve të gjërave të përditshme“ , -thotë një qytetar nga Sofja.
“Më së shumti shqetësohem për shkak të fëmijëve, kam dy”, thotë një grua në rrugë. – Njëri është 20 vjeç, tjetri 9, dhe kjo që po ndodh është padyshim shqetësuese. Po ndodh shumë shpejt dhe nuk kemi kohë të përgatitemi”.
“Ne jemi të shqetësuar për këtë ndryshim të shpejtë të çmimeve, për këtë gjendje jostabile, për shembull në çmimin e energjisë elektrike. Të gjitha këto janë gjëra, ndryshimi i të cilave nuk varet nga ne”- shtoi një pensionist në anketë.
Qytetarët, por edhe sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm në vendin tonë, ashtu si pronarët e bizneseve të vogla në fshatin Shiroko Pole, bashkia Kërxhali, shprehin frikën e humbjes së vendit të punës, uljes së të ardhurave dhe pamundësisë për të paguar faturat.
“Të privuar janë edhe njerëzit edhe bizneset. Pas 24 vitesh me biznes me mallra ushqimore, ne po mendojmë ta mbyllim atë. Pothuajse çdo ditë na vijnë produkte me çmime të rritura. Xhiroja nuk ka rënë, por shpenzimet tona janë rritur në mënyrë drastike”, thotë pronari Sevgyl Kadir. - “Duhet të paguaj 2000 leva për rrymën elektrike, po ndërkohë duhet të fitoj edhe diçka për fëmijët dhe kjo është shumë e vështirë për mua. Unë shoh gjithashtu se çfarë blejnë njerëzit - kryesisht vetëm bukë, djathi dhe kaçkavalli janë luks, ndonjëherë ma kthejnë edhe sallamin. Paratë vijnë kryesisht nga fëmijët që janë në mërgim”.
Për mbijetesën e bizneseve të vogla dhe të mesme në kushtet e rritjes së vazhdueshme të inflacionit, duhen ndërmarrë masa urgjente rimëkëmbjeje - shpjegoi për Radion Kombëtare Bullgare kryetarja e bordit të Unionit për Iniciativën Ekonomike Vaska Bakllarova:
“Bizneset e vogla dhe të mesme po vdesin. Edhe më të rrezikuara janë ndërmarrjet e mëdha dhe subjektet e prodhimit që kërkojnë një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike. Në nivel evropian, ka shumë koncerne të mëdha që po mbyllin ndërmarrjet e tyre, që kanë me mijëra punonjës dhe punëtorë, që nuk mund ta përballojnë krizën. Në Bullgari, falë masave kompensuese, situata është nën kontroll për momentin, por çfarë do të ndodhë pas janaritdhe sa prej anëtarëve tanë do të përballen me dilemën për të vazhduar apo pezulluar biznesin e tyre, nuk mund ta parashikojmë“.
Ekonomisti Llëçezar Bogdanov është optimist se inflacioni në këto nivele do të vazhdojë edhe për një ose dy muaj. Sipas tij, janë dy faktorë që do të ndikojnë në kufizimin e tij:
“I pari është tronditja në Evropë nga dhjetëfishimi i çmimit të gazit natyror. I dyti është se bankat qendrore kanë filluar të shtrëngojnë kushtet për akses në kredi, d.m.th. paratë do të shtrenjtohen dhe do të bëhen edhe më të vështira për t'u siguruar dhe kjo do të ndikojë në aktivitetin ekonomik”.
Sipas tij, problemi do të shfaqet pas kësaj, sepse “historia na mëson se pas një feste të tillë me harxhime vjen kthjellimi. Zakonisht shoqërohet me recesion, me falimentime, me papunësi më të lartë”.
Në një moment të tillë, është e arsyeshme të mendohemi se sa e arritshme për vendin tonë është 1 janari i 2024-ës si një datë për anëtarësim në Eurozonë. Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, Prof. Xhefri Nilsen - anëtar i Bankës Qendrore Evropiane, i prezantuar para pak kohe nga zëvendëskryeministri Atanas Pekanov, deklaroi se Bullgaria duhet të anëtarësohet në Eurozonë për të marrë pjesë në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane, por nuk përjashtoi disa turbulenca gjatë rrugës sonë drejt saj. Edhe pse jemi ende larg stuhisë në ekonominë globale, për të cilën Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi në takimet vjetore me përfaqësues të Bankës Botërore, profesori e konsideron inflacionin në vendin tonë çuditërisht të lartë:
“Më habitën të dhënat e Sistemit Kombëtar Statistikor, sipas të cilave në gusht inflacioni vjetor ishte 17.7%. Kjo është shumë mbi rritjen mesatare në Eurozonë dhe shumë mbi të njëjtin tregues në Shtetet e Bashkuara. Rritja e menjëhershme e çmimeve është me të vërtetë një stuhi. Më duket se Fondi Monetar Ndërkombëtar po komenton masat për të mbajtur nën kontroll inflacionin që po përjetojmë duke rritur normat e interesit, tha ai. - Kjo është një politikë në Eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara, e cila, megjithatë, çon në një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Pikërisht drejt këtyre reve që ndjellin stuhinë ishte drejtuar pozicioni i fondit”.
Sa i përket mendimit të ekspertëve financiarë se mënyra më e mirë për të luftuar inflacionin e lartë është recesioni, Nilsen është kategorik:
“Kjo është metoda kryesore me të cilën bankat qendrore kanë mbajtur nën kontroll inflacionin në të kaluarën. Këtu, megjithatë, duhet të kujtojmë se faktori kryesor që shihet pas inflacionit janë çmimet e larta të energjisë. Nëse arrihet një marrëveshje për çështjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, sigurisht që kjo do të sjellë reduktimin e presionit të inflacionit për sa i përket burimeve të energjisë. Megjithatë, mundësia për të parë një zhvillim të tillë nuk duket shumë e madhe, të paktën tani për tani.“
Përpiloi: Joan KolevPërgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: BGNES
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..
Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..
Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..