Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Do të studiohet krijimi i një linje ajrore Brashov-Burgas

Marrëveshja e partneritetit mes qyteteve Burgas dhe Brashov nga viti 2017 duhet të përmbushet me përmbajtje konkrete. Për këtë ranë dakord në një forum biznesi në Brashov Ambasadori i Bullgarisë, Radko Vllajkov, dhe Prefekti i qarkut, Mihaj Vësij. Gjithashtu do të eksplorohen mundësitë për një lidhje sezonale ajrore Burgas-Brashov, e cila të stimulojë më tej flukset turistike në të dy drejtimet. Planifikohet që aeroporti i qytetit të funksionojë edhe si aeroport ndërkombëtar nga viti 2023. “Brashov është përgjithmonë në historinë e Bullgarisë. Jo vetëm me faktin se këtu është shtypur “Abetarja e peshkut” e Dr. Petër Beron. Sot Brashov dhe kështjellat rreth tij janë destinacioni më popullor, pas Bukureshtit, për turistët e shumtë bullgarë”, tha Vllajkov. “Rumania është partneri i dytë tregtar dhe ekonomik i Bullgarisë”, kujtoi ambasadori.

Shkupi investon 200 milionë euro në linjën hekurudhore për në Bullgari

Kontraktorët e dy nga tri seksionet e para të linjës hekurudhore, që do të lidhë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, tashmë janë duke mobilizuar ekipe dhe pajisje për të filluar punën në terren në vjeshtë, tha në Strumica Ministri maqedonas i Transportit Bllagoj Boçvarski. “Infrastruktura e Hekurudhave të Maqedonisë” nënshkroi marrëveshje me Kompaninë austriake “STRABAG” për rindërtimin dhe përfundimin e seksionit të parë të linjës Kumanovo-Beljakovce. Firma turke “Gülermak” do të ndërtojë nga themeli etapën e dytë Beljakovce-Kriva Pallanka. Deri në fund të vitit 2022 do të shpallet tender për përzgjedhjen e kontraktorit për pjesën e tretë më të vështirë nga Kriva Pallanka deri në kufirin bullgar. Projekti është pjesë e Korridorit Nr.8 dhe sipas ministrit që nga viti 1991 është investimi më i madh i transportit në vend me mbi 200 milionë euro.

Po e kthejnë muzeun memorial të Enver Hoxhës në një qendër ballkanike IT

Përfundon puna e rijetëzimit të  Piramidës në Tiranë, e cila po kthehet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në rajon, që mban emrin “TUMO”, njoftoi ATSH. Kryeministri Edi Rama publikoi foto nga puna në rrjetet sociale. “Çdo ditë jemi më pranë përfundimit të projektit. Piramida do të jetë qendra e ardhshme e inovacionit në Ballkan”, shkruan Rama. Piramida do të ketë një ballkon panoramik për turistët me pamje nga kryeqyteti. Shndërrimi i piramidës në një qendër rinore IT është një projekt kyç i Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim - AADF. Piramida u ndërtua në periudhën e viteve 1986 - 1988 si muze për liderin komunist Enver Hoxha. E parë nga lart, ndërtesa është projektuar në formën e krahëve të shtrirë të shqiponjës, si simbol i popullit shqiptar.

Turqia shpalli një plan për të ndërtuar gjysmë milioni njësi banesash sociale

Në Ankara, përpara zgjedhjeve të vitit 2023, Presidenti turk Rexhep Erdogan njoftoi një ndërtim në shkallë të gjerë të banesave sociale. Në 2 vitet e ardhshme, 250 000 njësi banimi pritet të jenë gati në të 81 rrethet e vendit, njoftoi Anadolu Ajansı. Gjithashtu do të hapen 100 mijë vende të reja pune. Qëllimi i qeverisë turke është që deri në vitin 2028 të përfundojë 500 000 banesa të përballueshme për dhjetëra mijë qytetarë turq me të ardhura të ulëta. Erdogan saktësoi se 50 000 nga shtëpitë e reja do të jenë për të rinjtë nën 30 vjeç dhe 50 000 për pensionistët. Shlyerja e kredive për blerjen e banesave sociale do të jetë për një periudhë deri në 20 vjet. Sipërmarrja cilësohet si projekti më i madh social në historinë e Turqisë dhe pritet të ulë çmimet dhe qiratë e pasurive të paluajtshme.

U bënë thirrje kroatëve në Serbi të deklarohen në regjistrimin e ardhshëm

Qeveria kroate dhe përfaqësuesit e pakicës kombëtare kroate në Serbi u bënë thirrje bashkatdhetarëve të tyre në Serbi që të deklarohen kroatë në regjistrimin e ardhshëm të tetorit. Pozicioni dhe përfaqësimi i tyre në 10 vitet e ardhshme do të varet nga rezultati i regjistrimit të popullsisë, transmetoi “TANJUG”. Sipas Kryetares së Këshillit Kombëtar Kroat, Jasna Vojniç, në mediat serbe, kroatët më së shpeshti paraqiten negativisht, gjë që ngjall frikë tek ata për të deklaruar kombësinë e tyre. Sipas kryetarit të Bashkimit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë, Tomisllav Zhigmanov, kroatët në Serbi janë një “komunitet i stigmatizuar” dhe për këtë arsye, në mesin e pakicës kroate në Serbi, filluan të zhvillojnë fushatën “Unë e di kush jam”.

Përpilues: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: Archiv, Facebook/Blagoj Bochvarski, tirana.tumo.al, hrvatskarijec.rs


Më shumë nga rubrika

Марчел Чолаку и Николае Чука

Ngjarjet me adresë ballkanike

Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..

botuar më 24-10-12 10.05.PD

Presidenti bëri thirrje për veprime kundër blerjes së votave

Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve për veprime bindëse kundër blerjes së votave. Në takimin me kreun e shtetit morën pjesë ministri i punëve të brendshme Atanas..

botuar më 24-10-09 5.36.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..

botuar më 24-10-05 7.25.PD