Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Bujar Osmani: Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojë kushtetutën nëse dëshiron të anëtarësohet në BE

Republika e Maqedonisë së Veriut ka filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për të ecur përpara duhet të ndryshojë kushtetutën e saj. Këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë televizive, cituar nga BNR “Horizont”. Amendamenti i Kushtetutës nënkupton përfshirjen e komuniteteve kroate, malazeze dhe bullgare së bashku me gjashtë komunitetet e tjera, që tashmë janë përmendur në tekstin e preambulës kushtetuese, saktësoi Osmani. Ai tha se gjatë bisedimeve me Bullgarinë ka komunikuar me përfaqësues të opozitës maqedonase dhe nuk ka dëgjuar nga asnjë palë argument kundër përfshirjes së bullgarëve në kushtetutë. Sipas tij, përfshirja e bullgarëve në kushtetutë duhej të kishte ndodhur gjatë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001.

Takimi Vuçiq-Kurti nuk dha rezultat, NATO gati të reagojë

Në takimin e tyre të enjten (18.08) në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk arritën marrëveshje për tejkalimin e krizës mes dy vendeve, por kërkimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme po vazhdon, raportoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Arsyeja e përshkallëzimit të tensionit ishte synimi i autoriteteve të Kosovës për të lëshuar një dokument të përkohshëm hyrje-dalje, duke zëvendësuar kartat e identitetit të lëshuara nga Beogradi për hyrjen në vend, dhe për të zëvendësuar targat serbe të veturave që qarkullojnë në Kosovë. Presidenti Vuçiq pritet t'i bëjë sot një fjalim të rëndësishëm kombit. Sipas drejtorit të shërbimit qeveritar serb për Kosovën, Petar Petkoviq, pala serbe ka luftuar për paqe, stabilitet dhe zgjidhje kompromisi.
Dialogu mes Vuçiqit dhe Kurtit është zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe të dërguarit special evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili u takua veçmas me Vuçiqin dhe Kurtin, tha se forca paqeruajtëse e aleancës në Kosovë (KFOR) është e gatshme të ndërhynte nëse stabiliteti midis Serbisë dhe Kosovës është në rrezik.

Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës në OKB

Pas një takimi me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i dha një vlerësim të lartë Kosovës për qëndrimin e saj për të vazhduar dialogun me Serbinë si një mënyrë për të treguar se pavarësia e Prishtinës është e pakthyeshme, njoftoi Agjencia Telegrafike Shqiptare. Begaj u shpreh i kënaqur me qëndrimin e Presidentit amerikan Joe Biden, sipas të cilit përfundimi i krizës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një "marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e fokusuar në njohjen reciproke", si dhe me pozitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, sipas të cilit një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE është që ajo të njohë pavarësinë e Kosovës. Begaj theksoi se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Prishtinës në NATO dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe se do të punojë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, theksoi ai.

8 000 000 doza të vaksinës Covid-19 do të nxjerrin jashtë përdorimit në Rumani

Ministri i Shëndetësisë i Rumanisë, Alexandru Rafila, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Komisionit Evropian që të reduktojë ndjeshëm furnizimin me vaksina kundër Covid-19 për këtë vit dhe 2023, raporton uebfaqja rumune “Ziare”. Sipas Rafilës, vendi aktualisht ka më shumë se 8 milionë doza vaksinash, afati i të cilave po skadon. Ato nuk mund të përdoren sepse nuk ka interes dhe nuk mund të shiten e as të dhurohen. "Vaksinat do të duhet të shkatërrohen, që do të thotë kosto të reja. Po flasim për qindra miliona euro," tha Ministri. Rumania dëshiron që, nëse ofrohet një vaksinë, ajo të jetë efektive kundër varianteve aktuale të koronavirusit.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: EPA/BGNES, rs.n1info.com, president.al, capital.ro


Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Në Rumani, një koalicion do të mbrojë rrugën evropiane të vendit Presidenti rumun Klaus Iohannis mblodhi parlamentin e ri të vendit më 20 dhjetor. Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan më 1 dhjetor, u fituan nga socialdemokratët në..

botuar më 24-12-14 9.30.PD
Ivan Kondov (majtas) dhe Peter Szijjártó

Bullgaria është mirënjohëse për mbështetjen hungareze për Shengenin

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjártó, Presidenti Rumen Radev shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Bullgarisë në zonën Shengen. Në një deklaratë nga zyra e shtypit e kreut të shtetit..

botuar më 24-12-13 5.22.MD

Përfunduan konsultimet e formacioneve politike të përfaqësuara në parlament me presidentin

Konsultimet e presidentit Rumen Radev me forcat politike të përfaqësuara në parlament përfunduan para dorëzimit të mandatit të parë eksplorues. Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit zhvillon konsultime me përfaqësues të grupeve parlamentare të formacioneve..

botuar më 24-12-12 6.17.MD