Javët e fundit, në sferën publike filloi të flitet përsëri për hyrjen e Bullgarisë në eurozonë. Zyrtarët qeveritarë, përfaqësuesit e biznesit dhe ekspertët përmendin edhe datën kur kjo mund të ndodhë - 1 janar 2024. Është e padiskutueshme se me nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit në BE, çdo shtet anëtar ka shprehur dakordësinë e tij për miratimin e monedhës së përbashkët evropiane. Megjithatë, ai nuk e specifikon periudhën, në të cilën zëvendësimi i monedhës kombëtare duhet të hyjë në fuqi. Është ende e vështirë të parashikohet nëse monedha bullgare – lev, do të zëvendësohet nga euroja në vitin 2024, në sfondin e lëkundjeve gjeopolitike, rrjedhim i luftës në Ukrainë, dhe të inflacionit shoqërues, i cili po ndihet gjithnjë e më shumë në vendin tonë. Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian mbi konvergjencën, Bullgaria nuk mund të bashkohej ende në eurozonë. Ligjet për Bankën Popullore Bullgare /BNB/ nuk janë në përputhje me legjislacionin e eurozonës, dhe inflacioni në vend është shumë i lartë - 14.4% në bazë vjetore. Sipas kërkesave, inflacioni nuk duhet të jetë më i lartë se 1.5% e mesatares së vendeve me tregues më të mirë.
Sipas ekspertëve, deficiti nuk duhet të tejkalojë 3% prej Produktit të Brendshëm Bruto. Po të hysh në eurozonë, kur ka inflacion në rritje dhe ka rreziqe recesioni, kjo fsheh rreziqe suplementare. Nga ana tjetër, hezitimi vjen nga skepticizmi i njerëzve për euron, i cili me kalimin e kohës po rritet gjithnjë e më shumë. "Kjo është arsyeja se pse politikanët duhet t'i bindin njerëzit se pikërisht kjo është rruga," komentoi ekonomistja Daniella Bobeva në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare /BNR/ dhe zhvilloi më tej prognozën e saj për anëtarësimin e Bullgarisë në eurozonë, si më poshtë:
“Nëse vazhdojmë të shpenzojmë më shumë se sa kemi mundësi, atëherë vështirë se do të përmbushim kriterin e deficitit buxhetor, të inflacionit. Nëse planifikojmë kosto të mëdha në përditësimin e buxhetit, atëherë do të jetë e vështirë të përmbushen kriteret. Banka Qendrore Evropiane parashikon se do të kemi problem me kriterin e inflacionit. Prandaj duhet bërë një analizë e mirë dhe të mendohet se cila politikë duhet të merret parasysh”.
Makroekonomisti Doc. Grigor Sarijski është tradicionalisht kritik për zëvendësimin e levit me euron. Së fundmi, ai vuri në dukje edhe një herë në një intervistë televizive se vendi ynë nuk është ende gati për një hap të tillë. Sipas tij:
“Qeveria po kërkon që ne të hyjmë në eurozonë për t’u çliruar nga përgjegjësia për politikën financiare. Pas anëtarësimit tonë në BE, çdo preambulë e një ligji të ri fillon me nevojën për të harmonizuar ligjin tonë me legjislacionin evropian. Duke hyrë në eurozonë, ne do të bëjmë të njëjtën gjë në lidhje me politikën monetare”.
Makroekonomisti kujton se deri para disa vitesh eurozonës i mungonte një mekanizëm stabilizues për të shlyer “mëkatet” e një vendi të huaj. Mirëpo, tani ka një mekanizëm të tillë dhe çdo shtet anëtar është i detyruar të marrë pjesë në të.
Në të njëjtën kohë, financuesi Viktor Jocov, një nga mbështetësit e anëtarësimit të Bullgarisë në eurozonë, u shpreh i hutuar se pse vendit tonë iu deshën 13 vjet për t'u pranuar në të ashtuquajturën "dhomë pritjeje":
“Nuk ka kritere që duhet të plotësojmë për të hyrë në mekanizmin ERM. Kështu që unë mendoj se vendimi ishte ndikuar nga një element mjaft i fortë politik. Megjithatë, Bullgaria ka refuzuar të ketë një politikë monetare aktive për 25 vjet dhe e ndjek Bankën Qendrore Evropiane. Të gjitha negativet - të mos kemi një politikë të vet monetare, ne i konsumojmë tashmë 25 vjet. Nga ana tjetër, ne nuk i shfrytëzojmë avantazhet e të qenit në një bashkim monetar – ulje të kostove të transaksionit, ulje të normave të interesit etj.”
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto:Pixabay, EPA/BGNES
Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...
1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..
Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..