Qyteti Bracigovo nuk është ndër atraksionet tona të famshme turistike, prandaj kur njeriu e viziton për herë të parë, mbetet e befasuar nga shtëpitë e bukura dhe nga atmosfera e ruajtur e Rilindjes. Qyteti struket në rrezet e malit Rodopa mes pemishtesh dhe kopshtesh me trëndafila. Ato troje janë të lashta, plotë histori, të pasura me zbulime nga epoka të ndryshme.
Në rajonin e fshatit Ravnogor për shembull u gjetën nja 20 varreza nga periudha e shekujve IV – II para erës së re. Në një nga tumat u zbulua Thesari i njohur i Ravnogorit. Ai përbëhet nga9 sende argjendi të praruara, të cilat janë pjesë e dekorimit për municionet e kuajve - frerë, kokë dhe 7 aplikime të rrumbullakëta.
Po çfarë të themi për megalitet pranë fshatit Zhrebiçko, i cili është i shpallur rezervat arkitektonik? Shoqata Turistike në Bracigovo shënoi një eko-shteg drejt megaliteve pranë fshatit, i cili shtrihet përgjatë kreshtës së malit mbi digën “Vëça”.
Por Bracigovo nuk është vetëm pamje të bukura dhe gjurmë të lashtësisë. Ky është një nga qytetet heroike të Kryengritjes së Prillit (1876).
“Në muzeun historik ruhet i vetmi top origjinal i qershisë nga Kryengritja e Prillit, si dhe flamuri i kryengritësve dhe uniforma e udhëheqësit të tyre Vasill Petleshkov (1845-1876), i cili vdiq gjatë betejave për çlirimin e qytetit dhe fshatrave përreth. Në shenjë mirënjohjeje, bashkëqytetarët tanë i ngritën monumentin në vendin ku u vra. Ne kemi një park të veçantë përkujtimor “Aprillci”, në vendin e llogoreve për mbrojtjen e qytetit”, thotë Maria Pishtallova nga Komuna e qytetit Bracigovo.
Ajo për të cilën qyteti i bukur është më i famshëm është shkolla e tij arkitekturore, e cila daton që nga sundimi osman. Vendasit dikur njiheshin si një nga ndërtuesit më të mirë në perandori. “Ata kishin një vulë dhe madje një gjuhë të veçantë, dhe fjalët e gjuhës së tyre janë të regjistruara në një libër special, i cili ruhet në Muzeun e Shkollës së Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Bracigovo e cila ndodhet në Shtëpinë Popova”, shpjegon Maria Pishtallova. Pjesa e lashtë e qytetit ka ruajtur ekzemplarë unikë të kësaj epoke. Ndër to spikat ndërtesa monumentale e Vatrës së sotme të Kulturës, e cila prej kohe u bë emblemë e qytetit Bracigovo.
“Pothuajse të gjithë tempujt tanë ikonë të kohës së sundimit osman janë vepër të tyre. Ashtu si dhe kisha “Shën Marina ”në Plovdiv, kishat “Shën E Diela” në qytetet Batak dhe Sofje, etj. Mjeshtrit tanë morën pjesë në rindërtimin e Manastirit të Rilës pas djegies së tij, ndërtuan shtëpitë më të njohura në Plovdivin e Vjetër, Karllovo, Kallofer... Është interesante se në të kaluarën marangozët nga Bracigovo punonin në Dubrovnik dhe prej andej, më vonë, e transferuan zanatin dhe disa veçori të Shkollës së Arkitekturës së Dubrovnikut në tokën bullgare”, shton Maria Pishtallova.
Krenaria vendase është kisha “Shën Gjon Pararendësi”, e përfunduar në vitin 1833 nga mjeshtri Atanas “Nase Gërneto”. Ajo spikat me kambanoren e saj të bukur 28 metra - më e larta në Gadishullin Ballkanik, dhe është e pajisur me dy kambana dhe një orë.
Ndër kryeveprat arkitekturore të qytetit është Shtëpia e familjes Kënev nga shekulli XVIII, e cila strehon një muze etnografik me një koleksion të mrekullueshëm që gjurmon mënyrën e jetesës, zanatet karakteristike, veshjet dhe kulturën e banorëve të qytetit Bracigovo.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Një kompleks i ri historik në Trojan tregon për heroizmin e bullgarëve vendas që morën pjesë në Luftërat Ballkanike (1912-1913), Lutën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore. Kompleksi paraqet historinë e Regjimentit të 34-të të Këmbësorisë së..
Kombinimi i një klime të favorshme, natyrës së bukur dhe ujërave të shumta minerale dhe baltës shëruese në Bullgari është i përshtatshëm për zhvillimin e mjekimeve të ndryshme në resortet tona. Në Kongresin e 11-të Vjetor të Unionit Bullgar të..
Fshehur nga vështrimi i turistit masiv, fshatrat e Danubit janë një magnet për adhuruesit e natyrës në kërkim të privatësisë dhe përvojave autentike. Këta udhëtarë zgjedhin fshatra të vegjël bregdetare si Srebërna, Gigen, Vetren, Novo Sello e të tjerë,..
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe..