Mungesa e dialogut me dy institucionet e tjera të rëndësishme në vend - Kuvendin Popullor dhe Këshillin e Ministrave, ka penguar zbatimin e shumë ideve të Presidentit dhe Nënpresidentit në lidhje me politikat për bullgarët jashtë vendit. Kjo u bë e qartë nga intervista që Nënpresidentja Ilijana Jotova i dha Radio Bullgarisë disa ditë pasi ajo dhe Rumen Radev morën besimin e qytetarëve bullgarë për të vazhduar punën në një mandat të dytë.
Biseda u zhvillua në një javë jashtëzakonisht të vështirë, në të cilën Bullgaria u trondit nga dy tragjedi që morën jetën e 9 bullgarëve të moshuar në një azil në rajonin e Varnës dhe të 45 shtetasve të Maqedonisë së Veriut, që humbën jetën në një aksident në autostradën Struma. “Emocionet janë ende shumë të forta”, tha Ilijana Jotova, duke shprehur ngushëllime për të afërmit dhe miqtë e viktimave:
“Kësaj radhe e vërteta duhet të dalë me detajet e plota dhe të kuptojmë se kush nuk e ka kryer punën e vet. Pasi e mësojmë të vërtetën duhet marrë masat e domosdoshme që të mos ndodhin aksidente të tilla në vendin tonë. Por unë do të bëja një hap më tej - këtë herë le të shohim fajtorët. Jo për të zbehur fajin në të gjithë shoqërinë, por për të pasur në fakt dënime”.
Bilanci i pesë viteve të fundit si Nënpresidente e Bullgarisë:
“Po, ne nuk kemi një iniciativë legjislative e cila të na japë të drejtat e domosdoshme, por gjatë gjithë kohës kemi dhënë ide se si të përmirësohen ligjet përkatëse”, kujtoi Jotova. - Duke filluar nga Ligji për shtetësinë bullgare dhe duke vazhduar më tej me Ligjin për bullgarët jashtë vendit dhe Ligjin për qëndrimin e të huajve në vend, i cili krijon shumë probleme, veçanërisht për të rinjtë që vijnë për të studiuar arsimin e lartë këtu. Dhe sot mund të them se pas shumë këmbënguljeve të mia janë miratuar disa ndryshime të pjesshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themi se ky është legjislacioni serioz dhe i plotë që na nevojitet. Shpresoj shumë që brenda një ose dy javësh të ketë një kabinet të qëndrueshëm, një qeveri me njerëz të ndritur, të cilët të jenë në gjendje të krijojnë ligje funksionuese. Dhe bashkë me ta të bëjmë politika serioze”.
Sipas të dhënave jozyrtare, afro 2 milionë janë shtetasit bullgarë jashtë vendit tonë. Ata morën pjesë aktive në zgjedhjet parlamentare dhe në ato presidenciale, që u mbajtën këtë vit, duke shprehur shpresën për të parë ndryshime reale në vendin tonë - respektim të rregullave, gjyqësor funksional, shëndetësi cilësore, reduktim të korrupsionit ndër nëpunësit civilë, pensione të mira për prindërit e tyre në Bullgari.
Një nga prioritetet e renditura në faqen e parë të detyrave të reja të Nënpresidentes është të vendosë kontakte me Rrjetin Botëror të Vullnetarëve Zgjedhorë në botë dhe të ndihmojë në legjitimimin e statusit të tij. Sipas Ilijna Jotovës, kjo duhet të bëhet nëpërmjet “ndryshimeve në Ligjin për bullgarët jashtë vendit, por edhe në legjislacionin horizontal dhe në Kodin Zgjedhor, për t'u dhënë fund një herë e përgjithmonë problemeve të tyre, por dhe të parandalojmë abuzime eventuale.”
Një tjetër prioritet për mandatin e ardhshëm është tema e gjuhës bullgare jashtë vendit. Një nga detyrat më serioze në këtë drejtim është kthimi i statusit të gjuhës bullgare në Francë si gjuhë mature. “Ky nuk është një vendim i qëllimshëm i shtetit francez, por një gabim i mundshëm teknik. “Dhe askush në ministritë tona nuk e ka vënë re këtë për të sinjalizuar me kohë dhe për të kthyer tekstin. Tani është shumë më e vështirë, por gjithsesi do të duhet të punojmë në këtë drejtim”, tha Jotova dhe shtoi:
“Fatkeqësisht, gjuha bullgare e ka humbur vendin e saj në shumë vende evropiane gjatë viteve të kaluara. Kishim vite në të cilat filologjia bullgare mësohej si specialitet në universitetet kryesore evropiane. Për shkak të pakujdesisë sonë nihiliste i humbëm këto pozita - thotë Ilijana Jotova dhe tregon një shembull drastik: - Në Universitetin e Budapestit nuk ka lektorat në gjuhën bullgare, por ka një lektorat të tillë në gjuhën maqedonase. Këtë temë mund ta vendosni në kontekstin e gjithçkaje që po ndodh në marrëdhëniet tona me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kemi pasur pozicione që i kemi humbur dhe nuk do të jetë e lehtë dhe e shkurtër rruga për rimëkëmbjen e tyre.”
Si sukses i punës së saj, së bashku me qeverinë e mëparshme, Jotova vlerëson mundësinë që fëmijët që kanë mbaruar shkollat bullgare jashtë vendit të aplikojnë me notat e tyre drejtpërdrejt në institucionet tona të arsimit të lartë. “Kjo bëhet me qëllimin fisnik që këta fëmijë të kthehen për të studiuar në Bullgari dhe të qëndrojnë këtu dhe ta ruajnë gjuhën. Ky sistem duhet të përmirësohet më tej. Hapi tjetër është se si t'i bëjmë qytetarët e huaj të mësojnë edhe bullgarishten. Kjo është sfida më e madhe që është çështje e politikës publike”.
Për sa i përket politikës së jashtme, kontaktet me autoritetet në Moldavi janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ruajtur integritetin administrativ të rajonit Taraklia, ku jeton një komunitet i përqendruar bullgar. Një ndarje e mundshme do të çonte në humbjen e mundësive për të mësuar bullgarishten si gjuhë amtare.
Në lidhje me temën e rëndësishme për shumë prej shtetasve të huaj me origjinë bullgare – atë për dhënien e pasaportave bullgare, Nënpresidentja Jotova deklaroi:
“Ligji është i tillë siç është. Disa vjet merrnim pjesë në një grup pune për përmirësimin e Ligjit për shtetësinë bullgare. Ndryshimet që u bënë ishin shumë kozmetike. Gjithmonë kemi këmbëngulur që kushti më i rëndësishëm për dhënien e nënshtetësisë të jetë njohja e gjuhës bullgare. Nuk ka se si të jesh shtetas bullgar dhe të mos flasësh bullgarisht - përndryshe është një shitje dokumentesh me të cilat merren pasaporta që të na hapet dera për në Evropë dhe për të punuar në vende të tjera evropiane. Kjo nuk është shtetësi, nuk është sovranitet, nuk është identitet. Kjo u përmirësua deri diku, por u ruajt sistemi i shthurur, i cili krijoi shumë praktika korruptive me të ashtuquajturat “dokumente të origjinës”. Kjo gjë duhet të hiqet plotësisht, atëherë procedura do të jetë shumë më e shpejtë.”Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografitë janë siguruar nga ekipi i Nënpresidentes JotovaNjë tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..
Partia MEÇ, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare, do të jetë lojtari i ri në parlament. Shkurtesa MEÇ vjen nga fjalët bullgare moral, edinstvo, çest (morali, uniteti, nderi). Partia u themelua në tetor 2023 nga avokati,..
“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..
Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i..