Këto ditë u publikuan prognoza ekonomike e vjeshtës e Komisionit Evropian dhe korniza afatmesme makroekonomike trevjeçare e Ministrisë së Financave të Bullgarisë. Në Bruksel presin që vendi ynë të shënojë rritje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 3.8% këtë vit dhe një përshpejtim deri në 4.1% vitin e ardhshëm. Financierët bullgarë janë pak më optimistë dhe parashikojnë se në vitin 2021 rritja reale e PBB-së do të arrijë 4%, dhe në 2022 - 4.9%.
Në të dy dokumentet, rritja pritet të gjenerohet nga investimet publike dhe private, ndërsa shpresat kanë të bëjnë kryesisht me fondet e BE-së në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Parashikimi është i mirë në sfondin e rënies ekonomike të regjistruar vitin e kaluar, por do të ishte një arritje relativisht modeste krahasuar me ritmet shumë më të shpejta të rritjes ekonomike të një numri vendesh të BE-së, të cilat arrijnë 6-8% rritje të PBB-së në vit.
Këtë vit, pas disa vitesh amulli të çmimeve, inflacioni do të arrijë 3.8%, sipas Ministrisë së Financave. Analistët evropianë parashikojnë nivele më modeste të shtrenjtimit të jetesës në Bullgari, me pritjen që viti të mbyllet me 2,4%, me një parashikim për vitin e ardhshëm prej 2,9% - sërish për shkak të energjisë së shtrenjtë dhe efekteve dytësore të kësaj. Këto parashikime duken paksa të çuditshme në sfondin e faktit se inflacioni vjetor për muajin tetor është 6%, dhe 80% e kompanive bullgare janë të shqetësuara për çmimet e energjisë dhe të lëndëve të para vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi evropian.
Rritja e çmimeve të mallrave ka dy aspekte - pozitive dhe negative. Së pari, nga këndvështrimi i konsumatorit, kjo do të thotë një rënie të fuqisë blerëse të tyre, e cila është një nga më të ulëtat në Evropë. Megjithatë, tani për tani, sipas ekspertëve të Institutit për Ekonominë e Tregut, rritja e çmimeve mbetet prapa, në krahasim me rritjen e pagave /paga mesatare mujore bruto në vend është 1543 leva, ose 789 euro/ dhe, në fund të fundit, fuqia blerëse e konsumatorëve bullgarë po vazhdon të rritet lehtë.Aspekti i dytë i inflacionit është se rritja e çmimeve të mallrave çon në rritje të të ardhurave nga TVSH-ja për thesarin e shtetit. Kjo është e mirë për financat publike, sepse në kushtet e krizës së Covid-it shteti është detyruar të investojë gjithnjë e më shumë para në masat kundër epidemisë, në sistemin shëndetësor dhe në mbështetje të sektorëve më të prekur të ekonomisë. Edhe pse Bullgaria është ndër shtete e fundit në Evropë për nga përqindja e të vaksinuarve dhe ndër të parat për nga numri i vdekjeve si pasojë e pandemisë, shpenzimet për shkak të luftimit të koronavirusit rëndojnë mbi financat publike. Nuk është rastësi që shteti gjithnjë e më shpesh përdor kredi të brendshme për të kompensuar mungesën e mjeteve. Vetëm të hënën u emetuan obligacione të reja shtetërore për 500 milionë leva (mbi 250 milionë euro) dhe kështu borxhi i ri i akumuluar gjatë vitit arriti në 3.3 miliardë leva (mbi 1.7 miliardë euro).
Ekonomia bullgare përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë paqëndrueshmërinë politike gjatë gjashtë muajve të fundit. E gjithë kjo nuk mund të mos ndikojë në klimën e biznesit në vend. Tani për tani ekonomia jonë po përballet me problemet, në pritje të një sigurie dhe parashikueshmërie më të madhe.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ka filluar modernizimi i bazës prodhuese të ndërmarrjes së vetme shtetërore të përpunimit të qumështit “LB Bulgaricum” në Vidin, siç ishte premtuar nga pushtetarët. Renovimi i bazës prodhuese do të kryhet në faza, njoftoi Ministria e Ekonomisë. Në..
Dorëzimi i parë i gazit natyror në Bullgari u bë sot përmes terminalit të ri në qytetin grek Aleksandrupolis. Funksionimi komercial i objektit është fakt që prej 1 tetorit të këtij viti dhe vendi ynë është pronar i 20% të projektit, i cili..
Më 1 tetor në Burgas hapet zyrtarisht uzina e parë bullgare për automobila të blinduar të kompanisë International Armored Group (IAG). Në bazë, të vendosur në një sipërfaqe prej 150 mijë metrash katrorë, do të prodhohen pajisje mbrojtëse bullgare..