Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kuzhinierë me famë botërore hapën një restorant në një fshat pothuaj të shpopulluar në Bullgari

10
Foto: Facebook / @10DieciBoutique

Jeta e kuzhinierëve me famë botërore Gianfranco dhe Anna Chiarini është shumë e ngarkuar, plot udhëtime deri në destinacione të shumta. 114 janë shtetet e vizituara nga ata, ku kuzhinierët i ndihmojnë sipërmarrësit vendas për të filluar biznes të vet dhe t’i shndërrojnë restorantet e tyre në vende të preferuara për çlodhje dhe jo vetëm në vende për të ngrënë. Ambicia e njëjtë i motivon për të punuar me entuziazëm edhe në restorantin e tyre familjar në fshatin bullgar Devino. Fshati gjendet midis qyteteve Veliko Tërnovo dhe Tërgovishte dhe në të pothuajse nuk banojnë njerëz, por vendi i ka magjepsur që në minutat e para pas mbërritjes së tyre këtu për të parë një pronë të gjetur në një reklamë në rrjetet sociale.


Pse në Bullgari? - Ata e njohin vendin tonë që nga viti 2015, kur Gianfranco mbërriti në vendpushimin Bansko si një mysafir special në një festival të kuzhinës. Pas mbarimit të festivalit të dy morën me qira një makinë dhe vizituan qytetet Plovdiv, Sofje, Veliko Tërnovo, Varna dhe Burgas. Gjysmë vit më vonë ata u kthyen në vendin tonë, me dëshirën për të blerë një shtëpi dhe për të vazhduar të eksplorojnë vendin tonë. Zgjodhën një pronë në vendpushimin e Pirinit, por shpejt kuptuan se vendi nuk është i përshtatshëm për ta. Pandemia Covid-19 dhe vdekja e një njeriu të afërt nga familja e tyre i detyruan të largohen për në Shtetet e Bashkuara. Pak pas kësaj ata lexuan rastësisht në një njoftim se shkolla e braktisur prej kohësh në fshatin Devino është vënë në shitje. Përveç dy kateve të mëdha, të cilat po i shndërruan në një restorant për vetëm 10 persona dhe vendit për banim të Gianfranco dhe Anna, ata gjithashtu morën një oborr të madh me një pamje shumë të bukur.

"E menaxhojmë restorantin vetëm ne të dy. Unë punoj në kuzhinë dhe Anna i ofron gjellët - tha Gianfranco para Radio Bullgarisë. - Ne nuk duam që në restorantin tonë të ketë kamerierë, si në mijëra restorante të tjera në Bullgari. Disa prej tyre i janë përkushtuar shumë profesionit, por shumica e tyre e bëjnë këtë sepse nuk kanë asgjë tjetër për të bërë. Këtë e ndien menjëherë klienti për shkak të shërbimit të dobët. Kështu që ne nuk duam të rrezikojmë me dikë që qëndron midis nesh dhe mysafirëve tanë."

Të dy përpiqen që gjellët të duken moderne dhe në të njëjtën kohë të kenë dhe diçka bullgare:

“Ne me Anna preferojmë ushqimin e lehtë. Na pëlqen dieta mesdhetare. E duam djathin, por përpiqemi ta bëjmë atë mjaft të pjekur, na pëlqen pureja prej patëllxhani (i ashtuquajturi kjopoolu), sallata e njohur bullgare shopska, ljutenica (salcë prej domatesh, specash etj. e përdorur shumë në kuzhinën bullgare), taratori. Ne gjithashtu përdorim produkte që janë në dispozicion në vendin tuaj, por pothuajse nuk përdoren. Të tilla, për shembull, janë kërmijtë. Po përpiqemi t'i japim një identitet të ri kuzhinës bullgare, për ta ngritur atë në nivelin më të lartë. Duhet të krijojmë një brez të ri emrash që do të jenë udhërrëfyes për të huajt që nuk e njohin Bullgarinë. Për më tepër, ne përpiqemi të zhvillojmë gjellët tashmë të njohura.

Një shembull i kësaj është supa e ftohtë tradicionale bullgare– tarator, në përbërjen e të cilit përveç kosit dhe trangujve të grirë hollë, dy kuzhinierët shtojnë kërmij dhe salcë prej limoni dhe gjalpi. Taratori ofrohet bashkë me patate të skuqura.

Është e çuditshme se Gianfranco dhe Anna ndjekin rreptësishtë rregullin e tyre për të mos lejuar njerëzit nën moshën 18 vjeç në këndin e tyre të kuzhinës. Kjo e ka shpjegimin e vet logjik, thotë italiani:

“Ne mendojmë se fëmijët nuk mund të detyrohen të ulen në një vend për 6 orë dhe të konsumojnë ushqim që nuk do ta pëlqejnë, nuk do ta kuptojnë dhe gjatë kësaj kohe do të duhet të sillen në një mënyrë të caktuar. Ata duhet dhe mund të lihen në kujdesin e gjyshërve të tyre, ku do të kenë lirinë për të ngrënë çfarë të duan dhe për të bërë çfarë të duan, duke qenë në një vend të sigurt, derisa prindërit e tyre çlodhen nga përgjegjësitë e tyre dhe jeta e përditshme”.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Facebook / @10DieciBoutique, dieciboutique.com, arkiv personal


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Udhëto ngadalë, pusho aktivisht apo se si turizmi rural në vendin tonë hyri në një fazë të re

Turizmi rural po bëhet një formë e preferuar rekreacioni, veçanërisht ndër familjet dhe të rinjtë që zgjedhin një mënyrë jetese miqësore me mjedisin dhe duan të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit. Dhe nëse disa vite më parë një pushim në fshat..

botuar më 24-09-23 9.25.PD
Pallati Kombëtar i Kulturës

Një qendër teknologjike kozmopolite dhe një nga qytetet më të gjallëruara evropiane – edhe Vogue vlerësoi hijeshitë e Sofjes

Sofja doli sërish në qendër të vëmendjes. Një artikull i gjerë i revistës Vogue hedh dritë mbi zhvillimin dinamik dhe hijeshinë unike të kryeqytetit bullgar, duke e quajtur atë "qyteti më i gjallëruar në Evropë për momentin". Kryeqyteti bullgar..

botuar më 24-09-17 7.05.PD
Foto: Facebook / IV Festa e Balonave - Bellogradçik 2024

Bellogradçik ju fton në një Festë Balonash nga 20 shtatori

Për të katërtin vit, një nga vendet më të bukura për të fluturuar në botë – Shkëmbinjtë e Bellogradçikut , do të presë Festën e Balonave. Pilotë nga vende të ndryshme evropiane do të marrin pjesë me balonat e tyre në eventin, i cili do të..

botuar më 24-09-14 3.25.MD