Asociacioni i Kapitalit Industrial në Bullgari paraqiti një Hartë Kombëtare të Punësimit të Padeklaruar të përgatitur prej tij. Pikërisht punësimi i padeklaruar është praktika më e përhapur gri në tregun e punës në vendin tonë. Projekti është pjesë e përpjekjeve të biznesit për të përmirësuar aksesin në punësim dhe për të zvogëluar praktikat gri në këtë fushë.
Në vitet e fundit në Bullgari ka tendencë të daljes së ekonomisë së zezë nga hija, tregojnë të dhënat e Asociacionit të Kapitalit Industrial. Që nga viti 2010 organizata vlerëson dimensionin e ekonomisë informale. Sipas informacionit të mbledhur, në dallim të vitit 2010, kur sektori gri ka qenë 36.65% e ekonomisë bullgare, sot ai është 21.48%. Pavarësisht nga tendenca pozitive, ai mbetet shumë mbi mesataren e BE-së. Përpjekjet në këtë drejtim nuk duhet të dobësohen, sepse praktikat gri kanë efekt negativ mbi kompanitë korrekte. Ato i privojnë nga avantazhet konkurruese dhe janë në dëm të punonjësve. Këtë e tha në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Asociacioni i Kapitalit Industrial kryetari i Këshillit Drejtues të organizatës Vasill Velev.
Forumi takoi përfaqësues të administratës shtetërore, të organizatave profesionale dhe civile, të punëdhënësve dhe të punonjësve.
Ekspertët që merren me praktikat gri në sferën e punësimit janë të bindur se pandemia ka provuar domosdoshmërinë për deklarimin e punës dhe të të ardhurave të njerëzve. Ata që nuk i kanë deklaruar të ardhurat e veta nuk mund të përfitonin nga masat e ndërmarra nga shteti për të mbështetur biznesin dhe njerëzit. Zëvendësministrat e Punës dhe të Financave Llazar Llazarov dhe Marinella Petrova, të cilët morën pjesë në ngjarje, u bashkuan rreth këtij pozicioni.
Sipas analizave të Asociacionit të Kapitalit Industrial në Bullgari forma më e përdorur e punësimit të padeklaruar është puna me një kontrate me klauzola fiktive dhe pagimin shtesë të një shume cash që nuk është e tatueshme. Praktika në fjalë është më e përhapur në sektorët "Tregtia, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave", "Ndërtimi", "Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi", "Transporti, magazinimi dhe posta", "Hotelet dhe restorantet", "Industria nxjerrëse".
Si një formë e kundërveprimit ndaj punësimit të padeklaruar, ekspertët propozojnë të shqyrtohet dhe azhurnohet legjislacioni i punës në mënyrë që të krijohen parakushte ligjore për parandalimin e punësimit të padeklaruar dhe të zvogëlohet motivimi për këto praktika.
Një propozim tjetër është që sigurimet shëndetësore të paguhen plotësisht nga punonjësit. Aktualisht 60% e kontributeve të sigurimit shëndetësor paguhet nga punëdhënësi dhe 40% nga punëmarrësi. Ky propozim pritet të zvogëlojë ndjeshëm interesin ekonomik të punëdhënësit për punën e padeklaruar dhe të rrisë interesin ekonomik të punëmarrësit jo vetëm për të punuar me një kontrate pune, por edhe për t'u siguruar mbi shumën e plotë të pagës bruto.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..
Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..
Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..