Ideja që në Sofje të ndërtohet një monument si shenjë e mirënjohjes së popullit bullgar ndaj Mbretit-Çlirimtar Aleksandër II dhe në përgjithësi ndaj Rusisë lindi menjëherë pas Çlirimit nga zgjedha osmane gjatë vitit 1878. Mirëpo, gjendja historike në këtë periudhë nuk lejonte ndërmarrjen e veprimeve të tilla.
Pas sundimit osman pesëqind vjeçar ngjarjet e mëtejshme ishin lidhur kryesisht me rimëkëmbjen e shtetit bullgar. Para Principatës së sapothemeluar të Bullgarisë kishte detyra të rëndësishme – formoheshin institucione shtetërore, punohej për thirrjen e Kuvendit të Madh Popullor (1879), për krijimin e ligjeve kryesore të vendit, modernizohej qendra e kryeqytetit. Periudha pas kësaj karakterizohej me përpjekjet për bashkimin e territorit të ndarë të Bullgarisë (Principata e Bullgarisë dhe Rumelia Lindore) sipas Traktatit të Berlinit nga viti 1878. Pas Bashkimit në vitin 1885 marrëdhëniet bullgaro-ruse u keqësuan, ndërsa gjatë qeverisjes së Stefan Stambollovit (1854 – 1895) ato u ndërprenë për një periudhë prej 10 vitesh. Në dritën e këtyre ngjarjeve historike ndërtimi i një monumenti të tillë nuk korrespondonte me emancipimin e kërkuar nga çlirimtari.
Që gjatë gjysmës së dytë të viteve 90 të shekullit XIX Princi Ferdinand filloi një kurs të pajtimit dhe afrimit me Shën Petersburgun, sepse politika antiruse nuk ishte në dobi të shtetit. “Në saje të këtyre përpjekjeve të tij u bë i mundur lancimi dhe realizimi i idesë për ndërtimin e Monumentit të Mbretit-Çlirimtar Aleksandër II”, na tregoi dr. Mihaill Simov nga Muzeu Historik Kombëtar në Sofje:
“Gjatë vitit 1898 Shoqata е Vullnetarëve-Veteranë në Sofje propozoi që të formohet një komitet me emrin e Mbretit-Çlirimtar, i cili të organizojë një konkurs për ndërtimin e monumentit. Për kryetar të tij u zgjodh Stojan Zaimov (1853-1932) – figurë publike dhe shkrimtar i njohur në Bullgari. Ideja mori përkrahje nga ana e shtetit dhe nga Princi Ferdinand I, i cili u zgjodh kryetar nderi. Ai pagoi dhe taksën e parë prej 50 mijë levash të arta. Më vonë u votua një shumë e madhe nga Kuvendi Popullor. Mjetet e tjera u siguruan nga organizatat publike dhe nga një pullë speciale e emituar me fytyrën e perandorit Aleksandër II. Gjatë vitit 1900 u shpall konkurs ndërkombëtar. Autorët morën kërkesa të qarta – cilat ngjarje të rikrijojnë, çfarë elementesh të përfshijnë. Pjesëmarrësit ishin 31, madje kishte një nga Turqia. Në përputhje me kushtet, çdo një prej tyre duhej të përgatiste një maket të projektit të vet.
Juria ndërkombëtare miratoi idenë e skulptorit nga Firenca Arnaldo Zocchi. Shumë prej projekteve të tjera ishin më të mira nga pikëpamja e dizajnit artistik, por jurisë i bëri një përshtypje shumë të madhe fakti se si një italian kishte arritur të ndiente atmosferën e luftës duke treguar ngjarjet me një dinamikë të veçantë. Përveç kësaj monumenti përshtatej në imazhin arkitektonik dhe artistik të qendrës së qytetit.”
Lartësia e monumentit, i cili ngihet përballë godinës së Kuvendit Popullor, është 12 metra. Figura kryesore është e Perandorit Aleksandër II i hipur në kalë, në dorë me Manifestin për shpalljen e luftës. Në anën veriore të reliefit është figura e Perëndeshës greke të Fitores Nike, pas saj janë figurat kryesore në luftë – gjenerali Gurko, komandant i Repartit të Përparmë, ku ishin vullnetarët bullgarë; gjenerali Skobelev, komandant i Brigadës Kaukaziane Kozake, e cila mori pjesë në betejat afër Plevenit dhe Shejnovos; grafi Ignatiev – burrë shteti dhe diplomat. Prapa tyre janë vullnetarët bullgarë. Ndër ta është Dimitër Petkov (1858-1907) – vullnetar i dekoruar me Kryqin e Georgievskit për trimëri, deputet, kryetar i Bashkisë së Sofjes. Në anën jugore të monumentit është populli bullgar, i cili e ndihmon ushtrinë ruse – çliruesi i bullgarëve. Më poshtë ka tri basorelieve të veçanta që përfaqësojnë betejën tek Stara Zagora (1877), nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878), inaugurimin e Kuvendit të Madh Popullor në Tërnovo (10 shkurt 1879).
“Më se një shekull monumenti vazhdon të jetë simbol i kryeqytetit duke përjetuar ndërrimin e disa regjimeve politike – vuri në dukje dr. Simov. - Pavarësisht se kohët e fundit u bëmë dëshmitarë të përdhosjes së disa monumenteve, respekti ndaj ngjarjeve të lidhura me Çlirimin dhe me personalitetin e Mbretit-Çlirimtar mbizotëron. Sipas shumë njerëzve, monumenti i Mbretit-Çlirimtar, i cili u rinovua plotësisht në vitin 2013, vazhdon të jetë monumenti më i bukur nga pikëpamja artistike në Sofje."
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, arkiv dhe Svetllana Dimitrova
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në qytetin shkëmbor Perperikon, u zbulua varri i një të ndjeri, me rituale kundër vampirëve të kryera në trup, tha për BTA kreu i hulumtimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov. Gjetja shfaqet mes pothuajse 250 varreve dhe..
Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..