Në ekonomi nuk ka siguri të madhe dhe çdo gjë zhvillohet dhe ndryshon në një drejtim më të mirë, apo më të keq. Një prej shtyllave të sigurta të ekonomisë bullgare janë bordi valutor me kursin e tij të fiksuar ndaj levit dhe euros, tatimi i unifikuar sipas të ardhurave prej 10% dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) prej 20%. Pothuajse nuk ka financierë dhe ekspertë ekonomikë me autoritet, të cilët të vënë në pikëpyetje këto shtylla kryesore makroekonomike. Dhe papritmas filloi të flitet për nevojën për ndryshime në TVSH.
Në Bullgari ky tatim është 20% për të gjitha mallrat dhe shërbimet me përjashtim të turizmit, ku është 9%. Në Francë për shembull ai është 5%. Në Bullgari edhe më parë e kanë shtruar çështjen për tatime diferenciale dhe më të ulëta të disa mallrave të nevojës së parë, për ilaçet etj. Mirëpo, autoritetet dhe financierët gjithmonë kanë refuzuar ide të tilla me argumentet, se aplikimi i taksave të ndryshme do të vështirësojë grumbullimin dhe administrimin e tatimit dhe se pakësimi i TVSH-së do të provokojë ulje të çmimeve për konsumatorët.
Mirëpo, tani situata është më serioze, sesa thirrjet dhe propaganda në të kaluarën për heqjen e TVSH-së për disa mallra. Për këtë filluan të flasin së pari partitë në opozitë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) dhe Partia Socialiste Bullgare (BSP). Megjithëse para rreth një jave Kryeministri Bojko Borisov i ishte premtuar biznesit të madh se politika fiskale e vendit nuk do të ndryshojë, ai gjithashtu bëri një aluzion se mund të ketë pakësim të TVSH-së për librat, gjë për të cilën ngul këmbë opozita. Ministri i Financave Vlladisllav Goranov ishte skeptik për efektin e uljes eventuale të çmimeve përfundimtare të librave. Mirëpo, ai nuk përmendi asgjë për pakësim të të ardhurave në buxhet, thjeshtë sepse përqindja e të ardhurave nga tatimet e tregut të librave dhe pakësimi i përmasës së tatimit janë kaq të vogla se një ulje eventuale e të ardhurave nga TVSH-ja e librave praktikisht nuk do të ketë aspak efekt negativ mbi thesarin e shtetit. Ndërkaq, Kryetarja e Komisionit Buxhetor të Parlamentit Menda Stojanova paralajmëroi se pakësimi i tatimit indirekt do të kompensohet me rritjen e disa tatimeve të tjera.
Këtë vjeshtë në Bullgari do të ketë zgjedhje vendore dhe shpresat e lidhura me to janë shumë më të mëdha sesa ato për zgjedhjet evropiane, sepse bëhet fjalë për pushtet real dhe për mundësi reale për revansh kundër partisë në pushtet GERB, e cila fitoi zgjedhjet evropiane. Premtimet për pakësimin e çmimeve të mallrave më të nevojshme janë një argument i fuqishëm për tërheqjen e zgjedhësve, ndërsa DPS dhe BSP e propozojnë pikërisht këtë – pakësim i TVSH-së për produktet më të nevojshme, si mishi, qumështi, mielli. Ende nuk është e qartë se sa do të pakësohet TVSH-ja, por ka pak të ngjarë që ky pakësim të shkaktojë ulje automatike të çmimeve të mallrave, siç tregon praktika ndërkombëtare. Megjithatë, ideja u pëlqen votuesve jo shumë të pasur të DPS-së dhe BSP-së.
Ekspertët e Institutit të autoritetshëm për Ekonominë e Tregut janë të mendimit se bëhet fjalë për një popullizëm të dëmshëm dhe paralajmërojnë se veprime të tilla vetëm e destabilizojnë ekonominë dhe financat. Tjetër është çështja se në fakt TVSH-ja pothuajse kudo në botë është me përmasë të diferencuar. Është çështje analize të prioriteteve ekonomiko-sociale kombëtare se cilët të jenë sektorët, ku ky tatim mund të rritet, ose të pakësohet. Tani për tani nuk ka provë se është bërë një analizë e tillë, ndërsa të gjitha manovrat politike rreth TVSH-së janë të rrezikshme, sepse ai siguron 60 për qind të të ardhurave në thesarin e shtetit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..
Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..
Në vitin 2023, rritja e PBB-së së Bullgarisë ishte 1.9% më shumë në terma realë krahasuar me vitin 2022. Kjo është 0.1 për qind më shumë se rritja e paralajmëruar fillimisht prej 1.8%, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Kryetari i..