Afro 90% nga frutat dhe perimet, të cilat i hanë bullgarët janë të importuara, kurse prodhimi vendas është në gjendje shumë të keqe, njoftoi Çavdar Marinov, drejtori ekzekutiv i Asociacionit bullgar të organizatave të prodhuesve të frutave dhe të perimeve. Sipas statistikës kombëtare për 10 muajt e vitit 2018 importi i perimeve të freskëta është rritur 11,7% në vit deri më 226,7 mijë tonë, kurse ai i frutave të freskëta - 9,4%, deri më 255,3 mijë tonë.
Në të njëjtën kohë është regjistruar 2% ulje e prodhimit të realizuar përfundimtar në bujqësi. Dhe kjo në situatën e ofrimit të subvencioneve për bujqësinë bullgare - për vitin e kaluar u janë paguar 1.3 miliardë euro subvencione, ku më shumë se gjysma vijnë nga Bashkimi Evropian, kurse të tjerat janë nga buxheti i shtetit, siç njoftoi ministri i bujqësisë Rumen Porozhanov.
Bujqësia bullgare padyshim që është në gjendje të keqe dhe kjo ndihet nga çdo një qytetar bullgar, i cili blen produkte ushqimore. Frutat bullgare, perimet, mishi, vezët, produktet e qumështit dhe të ashtuquajturat mallra agrare janë në sasi minimale dhe pothuajse çdo gjë për tavolinën vjen nga importi – kryesisht nga Turqia, Greqia, Polonia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Bujqësia bullgare prodhon rreth 5% nga produkti i brendshëm bruto dhe tendenca fare nuk është e favorshme. Kurse deri para rreth 30 vjetëve, Bullgaria furnizonte me produkte ushqimore të gjithë kampin socialist. Pas ardhjes së demokracisë, në bujqësi u bënë reforma, të cilat mjerisht nuk dhanë rezultatet e pritura pozitive.
Kthimi i tokës bujqësore në duart e ish-pronarëve dhe trashëgimtarëve të tyre vetëm e copëtoi pronësinë dhe fermerët e rinj dolën se janë pronarë të sipërfaqeve fare të vogla bujqësore prej më pak se një hektari, me të cilat janë të paaftë për të ushqyer bile familjet e veta, kurse për konkurrueshmëri në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare nuk bëhet fjalë fare. Kjo çoi deri në shpopullimin e fshatrave dhe në vendbanimet e vogla mbetën kryesisht pensionistë.
Vetëm prodhimi i grurit mundi në një farë shkalle të konsolidohet dhe të modernizohet dhe aty u formuan firma moderne biznesi mesatarisht të mëdha, të cilat me sukses eksportojnë grurë në Evropë dhe nëpër botë. Prodhimi i trëndafilit vajdhënës dhe livandës, po kështu u ngrit në këmbë dhe vendi mbetet një nga liderët botërorë në tregtinë me vajra eterike. Bullgaria është prodhuesja më e madhe e bimëve mjekësore dhe e erëzave në Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave të Eurostatit gjatë vitit 2017 në vend janë rritur përgjithësisht 81 mijë tonë bimë aromatike dhe mjekësore, si dhe erëza.
Bujqësia ka tradita të gjata në Bullgari, e cila vetëm deri përpara disa dhjetëvjeçarëve qe një vend i zhvilluar agrar. Tani nuk është më kështu. Zhvillimit të degës agrare sot nuk i ndihmojnë as kushtet e shkëlqyera natyrore, as injeksionet financiare as politika e përbashkët bujqësore e Bashkimit Evropian. Prodhimi i ngushtuar agrar çon deri në uljen e të ardhurave të fermerëve. Për vitin 2018 sipas Institutit kombëtar të statistikave të ardhurat e tyre janë pakësuar me 14.8% derisa në përgjithësi ekomoia bullagre shënon rritje mbi 7%. Kjo patjetër që nuk i tërheq as investitorët, as krahun e punës, sepse flet për rentabilitet të ulët dhe vlerë shumë të ulët të shtuar. Por dhe mungojnë çdo lloj shenjash për ndryshime pozitive – kështu për shembull bujqësia biologjike mbetet diçka margjinale dhe përbën vetëm 5% prej produktit të të gjithë degës. Në fund të fundit bullgarët gjithnjë e më shumë konsumojnë fruta, perime, produkte të qumështit dhe mish nga jashtë. Dhe mbajnë mend sesa të shijshme ishin deri përpara disa vjetëve këto produkte të prodhimit vendas, në sajë të punës, mjeshtërisë së fermerëve dhe kushteve të shkëlqyera natyrore.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: BGNES
Shitjet e makinave të reja në Bullgari në tetor u rritën tri herë më shumë se niveli mesatar i Bashkimit Evropian, ku blerja e makinave të reja ishte vetëm 1.1%. Sipas të dhënave të Asociacionit të Prodhuesve Evropianë të Automobilave, 75.9% e..
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..
Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..